Studimi “Modeli Financiar në Shqipëri: Qasje ndaj të Dhënave të Panelit”, i autorëve Elona Dushku dhe Vasilika Kota të Bankës së Shqipërisë synon që të sigurojë një strukturë për mënyrën se si goditjet makrofinanciare transmetohen në sektorin bankar, mundësisht edhe për parashikimin e ardhshëm të tyre. Modeli është ndërtuar për të analizuar goditje të ndryshme makroekonomike ndikojnë në stabilitetin financiar, nëpërmjet rreziqeve që vijnë që nga jashtë sistemit financiar, ku më kryesoret që studiohen janë politika monetare e Bankës së Shqipërisë, ecuria ekonomike dhe kursi i këmbimit.
Sistemi financiar, ecuria
Sistemi financiar në Shqipëri dominohet nga sistemi bankar, i cili mesatarisht përbën 81 % të sistemit, ndërkohë që pesha e segmenteve të tjerë është e ulët. Aktualisht në Shqipëri ka gjithsej 16 banka, nga ku 92.2 % e kapitalit në sistemin bankar shqiptar është kapital i huaj, ku ai me origjinë nga Bashkimi Evropian vijon të zërë peshën më të madhe në strukturën e kapitalit të sistemit bankar.
Përsa i përket ecurisë së sistemit financiar ajo paraqitet e qëndrueshme, ku sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe ka siguruar fitime. Kështu gjatë periudhës 2000-2008, raporti i majftueshmërisë së kapitalit për të gjithë sistemin ka qenë mesatarisht 24 %, rreth 2 herë më e lartë se kapitali minimal rregullator i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë (12 %). Mbas krizës financiare globale vemë re një ulje të nivelit të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, në 15 %, duke treguar për një mirëkapitalizim të sektori bankar. Edhe në terma të fimimit, bankat në Shqipëri janë karakterizuar me fitime pozitive gjatë gjithë periudhës 2000-2012.
Ajo që vihet re është rënia e fitimeve si nga aktivet e veta, ashtu edhe nga fondet e veta kryesisht mbas krizës së fundit financiare. Përsa i përket ecurisë së aktiveve dhe të pasive të sistemit bankar vihet re një zgjerim i tyre, që nga viti 2001-2012, por nga viti 2008 deri në fund të vitit 2012 vihet re një zgjerim i tyre por në terma më të ngadalësuar.
Zëri që ka kontribuar në zgjerimin me ritme më të ulta të aktiveve, është pikërisht zëri “veprimet me klientët“, që përfaqëson kreditë e sektorit bankar për subjektet rezidente dhe jorezidente, pa përfshirjen e interesave të përllogaritura. Ndërsa financuesit kryesore të pasivit, mbeten depozitat në sistemin bankar, që pavarësisht krizës financiare kanë vazhduar të kontribuojnë pozivitisht. Depozitat në sistem përbëjnë mesatarisht 83 % të totalit të pasive.
Kreditimi në Shqipëri filloi të rritej me ritme të shpejta në Shqipëri kryesisht mbas vitit 2004. Kështu nga 6.4 % të PBB-së që zinte kredia totale, në fund të 2012 ajo ka arritur mesatarisht në 42 % të PBB-së. Mbas 2004 bankat zgjeruan kredinë e tyre ndaj ekonomisë me normë vjetore rritjeje në vlerën më të lartë prej mesatarisht 78 % për individët dhe 72 % për kompanitë. Pas këtyre zhvillimeve, në vitin 2008 kredia ndaj bizneseve arriti në 22.5% të PBB-së dhe kredia ndaj individëve arriti në 12.9 %. Fillimi i krizës financiare pati ndikim madhor në rritjen e kredisë. Normat e rritjes vjetore u ngadalësuan ndjeshëm me 1.5 % për kredinë ndaj bizneseve dhe me 0.43 % për kredinë ndaj individëve, në fund të vitit 2012.
Ndikimi i krizës financiare në kreditë me probleme është i konsiderueshëm. Cilësia e kredisë është përkeqësuar, nga një nivel i ulët prej 6.6% në fund të vitit 2008, në 23% në fund të vitit 2012. Ky përkeqësim pasqyron kryesisht stokun e kredive me probleme të bizneseve, i cili po rritet me shpejtësi. Nga ana tjetër, edhe cilësia e kredisë për individë është përkeqësuar, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë, shoqëruar me zhvillime negative në veprimtarinë e tyre huamarrëse.
Së fundi, edhe kostoja e ndërmjetësimit financiar është një element i rëndësishëm i zhvillimit financiar. Ndonëse është e vështirë të vlerësohen këto kosto, marzhet e normës së interesit bankar janë përdorur, në përgjithësi, si një tregues i mirë. Pavarësisht trendit rënës të normave të interesit për kreditë dhe depozitat, marzhet e tyre nuk duket se janë ngushtuar ndjeshëm. Nga fundit i vitit 2000, marzhet e normave të interesit arritën në 5.94 %, dhe u zgjeruan gjatë viteve 2004-2005, kryesisht për shkak të normave më të ulëta të interesit të depozitave. Pas 2008, marzhet e normave të interesit u zgjeruan për shkak të kostos më të lartë të kredisë, e cila u ngadalësua vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2012. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, marzhi i normës së interesit u luhat përreth 5.1% deri në fund të vitit 2012.
Modeli
Modeli përqendrohet në shëndetin e bankave të sistemin financiar shqiptar. Për këto banka, modeli ofron një kuadër sasior për të vlerësuar mënyrën se si transmetohen goditje të ndryshme në bilancet e bankave, duke marrë parasysh rrezikun e kredisë në mjedisin makroekonomik, ndërveprimin ndërmjet bankave dhe efektin reagues, që shfaqet në të dyja anët e bilancit (aktiv, pasiv).
Politika monetare
Një politikë monetare e shtrënguar dobëson direkt bilancet e huamarrësve, të paktën, në dy mënyra. Së pari, një rritje në normën e interesit rrit shpenzimet për interesa, ul sasinë neto të parasë dhe dobëson gjendjen financiare të huamarrësit. Së dyti, një rritje në normat e interesit zakonisht shoqërohet me rënien e çmimeve të aktiveve, gjë që tkurr vlerën e kolateralit të huamarrësit.
Bazuar në kanalin e transmisionit të modelit, autorët arrijnë në përfundimin se një rritje e përhershme në normën e politikës monetare rrit normën e interesit të kredive, që pasqyrohet në raporte më të larta të NPL-ve të individëve dhe bizneseve. Nivelet më të larta të NPL-ve rritin nivelin e provigjoneve të bankave për kreditë e humbura , duke çuar në të ardhura më të pakta neto nga interesat, e për rrjedhojë, në më pak kapital dhe në një raport më të ulët të mjaftueshmërisë së kapitalit. Rritja e normave të interesit të kredive shkakton pakësim të kredisë (deleveraging) për individë dhe biznese, gjë që pasqyrohet në nivel më të lartë të kostos së kredisë dhe të raportit kosto-kredi. Raporti kosto-kredi ndikon aktivet me rrezik dhe raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankës.
Rritja ekonomike
Një rritje më e ulët ekonomike ka ndikim madhor në volumin e huadhënies ndaj individëve dhe bizneseve, i cili zvogëlohet pas tetë tremujorëve. Si rezultat i supozimit për rritje më të ulët të PBB-së, shoqëruar me rritje më të ulët të kredisë, raporti i kostos së kredisë rritet pothuajse 4pikë përqindje dhe hendeku i volumeve të huadhënies zgjerohet. Kreditë me probleme përkeqësohen, ndërkohë që aktiviteti ekonomik ngadalësohet dhe normat e interesit të kredisë rriten. Për rrjedhojë, edhe aktivet e ponderuara me rrezik pakësohen, për shkak të raportit më të lartë kosto-kredi dhe volumit më të ulët të huadhënies përgjatë tetë tremujorëve. Ky zhvillim pasqyrohet në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili fillimisht rritet me 0.14 pikë përqindje deri në tremujorin e tretë pas goditjes, dhe më pas ngadalësohet nën pikën fillestare përgjatë pesë tremujorëve të tjerë. Zhvillimet e fundit pasqyrojnë ndikimin e fortë të rritjes më e ulët ekonomike te të ardhurat neto nga interesat, të cilat kompensojnë ndikimin e rritjes së normave të interesit të kredive.
Kursi i këmbimit
Versioni i tretë i goditjes supozon një nënçmimi prej 10 % në kursin nominal të këmbimit përgjatë dy viteve. Ndikimi i parë shfaqet në raportin e kredive me probleme, sepse nënçmimi i kursit të këmbimit ndikon fuqishëm në kapacitetin e huamarrësve të pambrojtur për të shlyer borxhin e tyre. Ndikimi është edhe më i madh te bizneset, pasi raporti i NPL-ve përkeqësohet deri në 6 pikë përqindje në fund të tremujorit të katërt të goditjes, pastaj ngadalësohet në 0.8 pikë përqindje në fund të vitit të dytë. Ndikimi i nënçmimit të kursit të këmbimit është më i ulët në raportin e NPLve për individë, pasi ai rritet me 1 pikë përqindje në fund të vitit të parë, duke u ngadalësuar në 0.4 pikë përqindje deri në fund të vitit të dytë. Me përkeqësimin e kredive me probleme, edhe raporti kosto-kredi përkeqësohet deri në 2.5 pikë përqindje në fund të vitit të parë e deri në 0.3 pikë përqindje në fund të vitit të dytë. Ky zhvillim përfshin edhe ndikimin e normës më të lartë të interesit të kredisë. Kjo e fundit është për shkak të volumit më të lartë të hendekut të huadhënies, sepse cilësia e kredisë bie, huadhënia pakësohet dhe hendeku i mjaftueshmërisë së kapitalit zgjerohet. Kjo është në linjë me raportin më të ulët të mjaftueshmërisë së kapitalit për shkak të provigjoneve më të larta për të mbuluar rritjen e kredive me probleme. Gjatë vitit të parë, ndikimi i goditjes në rritjen e PBB-së nuk është i madh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.