Çfarë po ndodh me biznesin në Shqipëri? Si po “përkthehen” mesazhet që vijnë nga politika në këto ditë të ngrohta pranvere?
Çfarë do të ndodhë me planet e tyre të biznesit? “Monitor” sjell opinionet e përfaqësuesve të biznesit, akademikëve dhe ekspertëve të ndryshëm. Të gjithë urojnë që situata të mos përkeqësohet
Nga Elona Bedalli
Momentalisht duket se gjithçka në vend rrotullohet rreth politikës. Nga njëra anë është opozita me protestën e saj, e cila kërkon qeveri teknike; nga ana tjetër është qeveria, e cila ndryshoi katër nga emrat e ministrave, duke bërë që për herë të parë të ketë një dominancë femërore në përbërje të kabinetit qeveritar. E këtyre lëvizjeve të politikës së brendshme, së shpejti do t’i shtohen edhe ato që do të zgjedhin në prill Presidentin e ri të Republikës, e më pas vjen zyrtarisht fillimi i fushatës zgjedhore (që de fakto ka nisur). Nuk do të mbetet me kaq, se pas votimit, më 18 qershor, vendi do të duhet të kalojë edhe situatën postzgjedhore ku do të përcaktohet mazhoranca e re. E kështu deri në shtator (të paktën) ujërat e politikës nuk do të jenë të qeta.
Përballë kësaj është biznesi, i cili ka planet e veta, por që ndikohet jo pak nga sjellja e politikës e kjo reflektohet në ekonomi, por edhe te konsumatori.
Biznesi “kryqëzon gishtat” për vetëm një gjë, për mospërshkallëzim të situatës. “Nëse kalojmë në një situatë të mungesës së rendit publik, të mosbindjes civile, atëherë është shumë e mundur që elementi kriminal të vërshojë rrugëve dhe të kërcënojë pronat, pasuritë dhe funksionimin e bizneseve”, thotë Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare. Sipas tij “qeverisja ‘e keqe’ është gjithsesi më e mirë sesa banda më e mirë”.
Ndërsa Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se biznesi po e ndjek me interes të gjithë situatën që po kalon vendi. “Arsyeja është se gjithmonë në momentet përpara zgjedhjeve ka sfumatura, dinamika, tendenca të reja”, thotë ai.
Gjergji Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, shkon më tej dhe thotë: “Të duket sikur qëllimi i gjithçkaje është dhe bëhet vetëm në funksion të ardhjes ose mbajtjes me çdo kusht dhe mjet të pushtetit”.
Padyshim, një sektor që pritet të ketë ndikime nga situata aktuale, qoftë kjo edhe ajo postzgjedhore, do të jetë turizmi, i cili këtë sezon do të duhet të përballet edhe me operimin me rregullat e reja, që po shkaktojmë shumë kaos nga sa ishte parashikuar.
Ky fokusim te politika ka edhe një tjetër kosto për biznesin, çështjet e tij të ditës nuk po dëgjohen ose më saktë, vëmendja nuk është ajo e duhura.
Një rast është diskutimi që po bëhet për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, një nismë e deputetit të Kuvendit z. Gjovalin Kadeli.
Pas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ishte Dhoma Amerikane ajo që reagoi, duke u shprehur se po mungon konsultimi publik në diskutimin e ligjeve dhe kjo dëmton vendimmarrjen.
“Mund të themi se administrata tatimore është pak më e ‘relaksuar’, po kështu edhe ajo doganore. Institucionet shtetërore nuk kanë atë intensitet pune me të cilën përballen çdo ditë. E kjo është më se e kuptueshme, në një kohë parazgjedhore. Edhe vetë administrata tatimore është familjarizuar me këtë situatë, e cila përsëritet”, thotë z. Shkodra.
Ndërsa z. Buxhuku thotë se kur përplasjet në politikë dhe/ose ndryshimet në qeveri shoqërohen edhe me platforma të reja zhvillimi tërësore ekonomike dhe institucionale, mund të prodhojnë përfundime pozitive për ekonominë në tërësi, si dhe biznesin në vend, në afatshkurtër dhe afatgjatë.
Megjithatë, situata aktuale politike duket se ndikimin më të fortë e ka tek investitorët e huaj e te vendimmarrja e tyre. Janë ata të cilët janë në gjendje “pritjeje” në lidhje me planet zhvillimore, të cilat me gjasë do të shtyhen deri në fillimin e vitit të ardhshëm. Nëse mazhoranca aktuale konfirmohet, atëherë ka një vazhdimësi, por nëse do të kemi të bëjmë me një mazhorancë të re, atëherë gjithçka do të duhet të shihet në një prizëm tjetër.
Më herët, në një intervistë për “Monitor”, drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Matteo Colangeli, deklaroi se është e natyrshme që procesi zgjedhor do të ketë ndikim në përcaktimin e kohës së investimeve nga bizneset.
“Sa u përket investimeve potenciale apo atyre investitorëve që po konsiderojnë projekte apo aktivitete të reja në Shqipëri, besoj se ata do të kalojnë në gjendje ‘pritjeje’, do të presin disa muaj për të parë sesi do të shkojnë zgjedhjet deri në krijimin e një ekzekutivi të ri”, tha z. Colangeli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.