Shtimi i sipërfaqeve të mbjella apo krijimi i fermave të reja blegtorale kanë rritur ndjeshëm kërkesat për fonde publike me destinacion mbështetjen financiare në bujqësi. Për rrjedhojë, rritja e buxhetit në bujqësi do të mbetet një sfidë e vazhdueshme për qeverinë shqiptare, në kushtet kur kërkesa fermerë vijon të rritet në mënyrë progresive nga viti në vit, tha Suela Popa, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Gjatë këtyre dy viteve, skemat e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural kanë synuar ngritjen e një infrastrukture moderne për nxitjen e zinxhirit të vlerës nga ferma në tavolinë, tha ajo.
A po funksionon skema aktuale e subvencioneve në Bujqësi?
Skemat aktuale të mbështetjes financiare në bujqësi janë të orientuara drejt investimeve për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor, nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, dhe akuakulturës, si dhe në përgatitjen e fermerëve shqiptarë për zbatimin e politikave dhe kuadrin rregullativ të BE-së në sektorin e bujqësisë.
Fokus të veçantë ka pasur edhe përmbushja e një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, formalizimi i sektorit të bujqësisë. Në kuadër të procesit të formalizimit dhe nxitjes së prodhimit/rezultatit, gjatë dy viteve të fundit është zbatuar skema e subvencionimit, bazuar në sasinë e prodhimit të dorëzuar pranë pikave të grumbullimit apo tregjeve bujqësore, e cila jo vetëm ka nxitur rritjen e prodhimit, formalizimit e fermerëve, nxitjen e punësimit në sektorin bujqësor dhe atë të agropërpunimit, por veçanërisht ka rritur eksportet e produkteve shqiptare drejt tregjeve të rajonit dhe më gjerë.
Gjithashtu, dëshiroj të sjell në vëmendje se për herë të parë, gjatë këtyre dy viteve, skemat e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural kanë synuar ngritjen e një infrastrukture moderne për nxitjen e zinxhirit të vlerës nga ferma në tavolinë, si një incentivë për rritjen e të ardhurave për familjen fermere, garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik në vend.
Cilat janë rezultatet më të fundit të shpërndarjes së fondeve për 2014 dhe 2015?
Bujqësia dhe zhvillimi rural është konsideruar si një nga tre prioritetet madhore të qeverisë shqiptare. Vëmendja e veçantë që i është kushtuar sektorit bujqësor nga qeveria shqiptare reflektohet qartazi në ecurinë krahasimore të buxhetit të alokuar për mbështetjen financiare në bujqësi që nga viti i parë 2007, kur datojnë subvencionimet në bujqësi e deri më sot. Konkretisht, tabela e mëposhtme paraqet ndryshimet në alokimin e buxhetit ndër vite në vlerë financiare dhe numër fermerësh.
Skemat e subvencionimit në bujqësi janë instrument direkt i qeverisë shqiptare për të orientuar prodhimin vendas drejt sektorëve, të cilët rezultojnë me avantazhe konkurruese ekonomike për vendin. Në këtë kontekst, hartimi dhe zbatimi i hartës së rajonizimit të prodhimit ka shërbyer edhe si platformë e shpërndarjes së skemave të mbështetjes në të gjithë vendin.
Për periudhën 2014-2015, vendi ynë përfitoi për herë të parë nga fondet iPA të Bashkimit Europian të alokuara për sektorin bujqësor, përmes projektit tashmë të njohur për fermerët shqiptarë iPARD-like, përmes dy masave kryesore të mbështetjes; “Investime në fermat bujqësore” dhe “Investime në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore”. Përthithja e fondeve komunitare iPA për bujqësinë është konfirmim i arritjeve të qeverisë shqiptare në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Bashkimit Europian për fushën e bujqësisë, si në kuadrin rregullativ, edhe në atë institucional nënvizuar edhe në progres-raportin më të fundit të BE-së në kapitullin për zhvillimet në sektorin bujqësor.
Nga ana tjetër, faktorë të ndryshëm si; informimi i vazhdueshëm publik mbi mundësinë e përfitimit në bujqësi, rritja e interesit të popullsisë vendase për të investuar në bujqësi, veçanërisht familjeve emigrante të kthyera në Shqipëri, rritja e ndërgjegjes publike mbi mundësinë e përfitimit ekonomik nga përfshirja në aktivitete me karakter bujqësor apo agropërpunues, shtimi i sipërfaqeve të mbjella apo krijimi i fermave të reja blegtorale, kanë rritur ndjeshëm kërkesat për fonde publike me destinacion mbështetjen financiare në bujqësi. Për rrjedhojë, rritja e buxhetit në bujqësi do të mbetet një sfidë e vazhdueshme për qeverinë shqiptare, në kushtet kur kërkesa fermere vijon të rritet në mënyrë progresive nga viti në vit.
Cilët janë përfituesit kryesorë të skemës, grosistët apo fermerët?
Përfitimet nga skemat e subvencionit nuk kanë vetëm efekte direkte financiare në ekonomitë fermere por përfitoj nga rasti të ritheksoj efektet indirekte të përfitimit si sigurimi i tregut të shitjes si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nxitja e rritjes së cilësisë së prodhimit, krijimi i vendeve të reja të punës, transferimi i dijeve bashkëkohore në sektorin bujqësor, etj..
Skemat e mbështetjes financiare në bujqësi adresojnë të dyja këto kategori. Fermerët, të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre në fermë, mbështeten përmes subvencioneve ndërsa pikat e grumbullimit, qendrat e agropërpunimit të fruta-perimeve, mishit apo qumështit përmes mbështetjes së investimeve deri në masën 50% të vlerës së investimit për sektorët dhe llojet e investimeve të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe aktet nënligjore mbështetëse me fonde të buxhetit të shtetit apo fonde të donatorëve të ndryshëm për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Gjithsesi, përgjatë zbatimit të modelit të suksesshëm të investimeve që qeveria aplikoi për herë të parë në 2014 në këtë sektor përmes skemave të mbështetjes, u konstatua se një pjesë e konsiderueshme e partnerëve, qofshin këta fermerë apo agropërpunues, hasnin një sërë sfidash për realizimin e investimeve të tyre.
Eksperiencat e deritanishme referojnë një numër të konsiderueshëm rastesh ku projekte zhvillimi apo kërkesa për kapital qarkullues nga ana e fermerëve të orientuara drejt sektorit bankar, të kenë rezultuar të pasuksesshme.
Në këtë kontekst, duke marrë parasysh vështirësitë e financimit, si dhe tipologjinë e riskut që ky sektor paraqet, nevojitet një instrument i qartë bashkëpunimi që do të promovojë kushte lehtësuese midis fermerit, sistemit bankar dhe mekanizmave të tjerë shtetërorë. Ky instrument partneriteti ka për qëllim integrimin e fondeve të përbashkëta banka-fermerë-shtet, përmes ndarjes së riskut dhe transferimit të njohurive.
Si rezultat, qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kanë krijuar Fondin Kombëtar të Garancisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, si një nismë e përbashkët solidariteti, në mbështetje të nxitjes së kreditimit me qëllim krijimin e një sistemi unik, afatgjatë dhe të qëndrueshëm, që do të inkurajojë e rrisë ndjeshëm investimet në bujqësi.
Fondi Kombëtar i Garancisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mundëson ofrimin e garancive në trajtën e kolateralit për të nxitur kreditimin nga ana e sektorit bankar për atë grup fermerësh apo sipërmarrjesh bujqësore, të cilat nuk kanë akses të lehtë në kredidhënie, duke iu mbuluar kështu një pjesë të riskut potencial në shlyerjen në afat të kredisë dhe injektimin e kapitalit financiar në tregun vendas.
Kushtëzimi me marrjen e NIPT të subvencionit a është bërë pengesë që subvencionet të përfitohen nga shtresat më vulnerabël të fermerëve?
Sa i përket vitit 2015, skemat e subvencionimit në bujqësi dhe blegtori si kriter përfitimi përcaktonin se fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT ose Kartë Fermeri. Pra pajisja me NIPT nuk ishte kriter skualifikues për sa kohë fermeri ishte i pajisur me kartë fermeri.
Ndërsa për skemat e mbështetjes financiare bazuar në dorëzimin e prodhimit bujqësor ose blegtoral, për vetë natyrën e transaksionit përmes fermerit dhe grumbulluesit, ku financimi ndër elemente të tjerë kontrolli bazohet sidomos në dokumentet tatimorë, fermeri duhet të ishte i pajisur me NIPT. AZHBR në bashkëpunim me drejtoritë e bujqësisë dhe drejtoritë rajonale tatimore, mundësoi informimin e gjerë dhe pajisjen me NIPT fermeri, për të gjithë ata fermerë të cilët aplikuan për skemat e mbështetjes në bujqësi. Nga zbatimi i skemave për vitin 2015, nuk kemi konstatuar asnjë refuzim aplikimi si pasojë e pamundësisë për të siguruar NIPT-in e fermerit.
Përfitoj nga rasti të sqaroj të gjithë fermerët se praktikisht regjistrimi dhe pajisja me NIPT fermeri ka si qëllim evidentimin e lëvizjes së prodhimit për formalizim dhe qëllime të administratës tatimore dhe nuk imponon detyrime tatimore për vetë fermerin. Përkundrazi, pajisja me NIPT është kriter përfitimi edhe në skema të tjera të mbështetjes në bujqësi mbështetur nga donatorë ndërkombëtarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.