Deri në mesnatë të hënën, ‘kujdestarët’ e financave të Bashkimit Evropian më në fund do të shohin projekt-buxhetin populist të Italisë.
Pas javëve të mesazheve kontradiktore nga Roma, trazirat e tregut dhe një paralajmërim të hershëm se planet e shpenzimeve do të shkelin rregullat e BE, Komisioni Evropian do të fillojë shqyrtimin e planit të Italisë për të nisur mbajtjen e premtimeve ‘të kushtueshme’ zgjedhore, shkruan Bloomberg.
Për administratën populiste, nuk ka të bëjë vetëm me mbajtjen e marrëveshjes së tyre të koalicionit. Ata gjithashtu duhet t’i tregojnë elektoratit të tyre se ata mund të fitojnë kundër eurokratëve të Brukselit, përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maj.
“Gjithkush po na ‘fotografon’ – nuk kalon një ditë pa qenë në buletinin e lajmeve të Komisionit Evropian, Bankës së Italisë apo agjencinë e statistikave duke thënë se nuk mund ta bëjmë këtë”, u tha zëvendëskryeministri Matteo Salvini në një event në pjesën veriore të Italisë gjatë fundjavës. “Votat tuaja më japin forcë për të shkuar në Bruksel dhe do të thonë se janë italianët që vendosin, jo ata.”
Të dy, Salvini i Lidhjes Anti-Migrante dhe zëvendëskryeministri Luigi Di Maio, kanë sfiduar në mënyrë të përsëritur Komisionin Europian, duke këmbëngulur se nuk do të ndjekin masat e parashikuara, por planet e tyre për të varfërit, uljen e taksave dhe uljen e moshës së pensionit.
Megjithatë, Di Maio dhe Salvini mbeten në mosmarrëveshje rreth masave fiskale për t’u përfshirë në ligjin e buxhetit, shkruante gazeta la Repubblica të hënën në mëngjes pa cituar burimet e saj.
Kryeministri Giuseppe Conte do të kërkojë të shtyjë rastin e qeverisë së tij me krerët duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin e Komisionit Jean-Claude Juncker gjatë një samiti në Bruksel të mërkurën dhe të enjten.
Nëse krahu i ekzekutivit të BE-së (KE), pasi të lexojë pr.buxhetin 2019, mendon se ekziston rreziku që financat e Italisë të përkeqësohen seriozisht, atëherë do të ngrenë alarmin me qeverinë brenda një jave dhe të lëshojë një opinion negativ që kërkon ndryshime në buxhet brenda dy javëve. Ky është një hap që Komisioni kurrë nuk ka e marrë më parë, me asnjë qeveri të BE-së.