Në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-prill të këtij viti u përpunuan rreth 1.1 milionë ton mallra të ndryshme, 49% e të cilave ishin mallra eksporti. Sasia e mallrave që nisen me anije dhe tragete jashtë vendit thuajse është barazuar me importet. Sipas statistikave zyrtare, në kalatat e këtij porti u përpunuan rreth 538 mijë ton mallra për eksport dhe vetëm 18 mijë ton mallra më shumë kishin si destinacion qytete të ndryshme të vendit tonë. Eksportet përmes portit të Durrësit ishin 75% më të larta se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në katër muaj në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 445 anije, me një tonazh mesatar prej 6.457 ton secila.
Numri i anijeve të përpunuara është më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa sasia e përgjithshme e mallrave është rritur me 60 mijë ton ose 5% më i lartë se sa 4-mujori i parë i vitit 2012-theksojnë burimet statistikore, sipas të cilave kjo mundëson uljen e kostove të përpunimit. Vetëm në terminalin e kontejnerëve në këto katër muaj janë përpunuar mbi 443 mijë ton mallra, 55% e të cilave i përkasin eksporteve nga vendi ynë drejt porteve të tjera.
Eksportet nga porti i Durrësit vitet e fundit kanë pasur një rritje të ndjeshme. Në të njëjtën periudhë të vitit 2010 vëllimi i eksporteve ishte tre herë më i ulët se sa importet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.