Qeveria portugeze tashmë e ka marrë vendimin, edhe pse e di se do të përballet me reagimin e ashpër të qytetarëve të saj. Portugezët do të paguajnë më shumë tatime për pronën.
Në rast se nga ballkoni shikon perëndimin e diellit, komunat mund ta rrisin tatimin mbi pronën që paguhet çdo vit deri në 20%.
“U befasuam plotësisht nga ky veprim”, thotë Luís Menezes Leitão, kryetar i Shoqatës së Pronarëve të Shtëpive të kryeqytetit portugez, Lisbonës. “Qeveria, jo vetëm nuk diskutoi më parë me ne, por e ndryshoi ligjin gjatë pushimeve parlamentare dhe kështu shmangu edhe debatin.” Përfaqësuesit e partive të majta, që mbështesin qeverinë e pakicës në Parlament, e miratuan këtë ligj, dhe madje edhe komunistët i quajtën protestat kundër rritjes së taksave absurde.
Kjo është rritja e dytë e tatimit mbi pronën që bëhet mbi bazën e vendit ku gjendet. Rritja e parë prej 5% përllogaritej me formulën e përgjithshme të tatimit mbi pronën dhe nuk binte shumë në sy. Por tani është e qartë, kush banon në zonë të mirë apo ka një shtëpi të bukur, duket të paguajë më tepër taksa.
Socialdemokratët e opozitës kërkuan anulimin e ligjit dhe një debat parlamentar. Por, qeveria dhe mbështetësit e saj në Parlament, nuk duan ta ndryshojnë ligjin.
Për këtë, pronarëve të banesave në Portugali, që përbëjnë rreth 70% të popullsisë, u mbetet vetëm rruga e ankimit në gjykatë. Menezes Leitão, profesor i drejtësisë dhe avokat, thekson se shoqata e tij do t’i mbështesë të gjitha përpjekjet, por se proceset kundër shtetit dhe zyrës së tatimeve në Portugali zgjasin për shumë vite dhe janë tepër të kushtueshme.