Kriza financiare në Postën e Kosovës ka bërë që kjo ndërmarrje të mos mundë t’i ekzekutojë pagat për të gjithë punëtorët edhe në këtë muaj. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje po i kërkon me “ngulm” aksionarit të saj Qeverisë të organizojë takime intensive me institucionet përgjegjëse për ta tejkaluar gjendjen e rëndë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Zyrtarët për informim në Postën e Kosovës i kanë thënë “Zërit” se njëri ndër faktorët kryesorë që e ka vënë Postën në këtë pozitë është mosmbulimi i Shërbimit Universal Postar me vite.
“Posta e Kosovës ka ngritje të të hyrave dhe zvogëlim të shpenzimeve çdo vit, këtë mund ta verifikoni edhe në raportet e Auditorit të Jashtëm, të cilat janë publike. Faktori kryesor që ka vënë Ndërmarrjen tonë në këtë pozitë është mosmbulimi i Shërbimit Universal Postar me vite, pavarësisht faktit që kjo kërkesë ka kaluar edhe nëpër procedura ligjore te përmbaruesi dhe procedura gjyqësore, e cila nuk po ekzekutohet nga MZHE-ja. Vlera e këtij kontesti gjyqësor është në dobi të PK-SHA, sepse me këtë vendim aksionari është i obliguar që t’i paguajë Postës për këtë shërbim që Posta ofron me humbje në vlerën 3.504.341.89 €, duke përfshirë në këtë vlerë kamatën dhe shpenzimet e tjera deri në datën kur janë nxjerrë vendimet”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Postës.
Arsim Mehmeti, zëdhënës për informim në këtë ndërmarrje, ka sqaruar se humbjet e lartcekura janë vetëm për periudhën 30 qershor 2016, ndërsa për pjesën tjetër, e cila ende nuk ka kaluar përmes procedurave përmbaruese, por në bazë të kalkulimeve fillestare që ka bërë Posta aksionari ka obligim për këtë shërbim.
/ZERI/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.