Shqipëria ka aktualisht rreth 60% të rrjedhjeve të ujit që nuk shfrytëzohen si burim energjie, ndaj potencialet në këtë drejtim janë ende të mëdha.
Mbështetur në studimet e Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Veprave Hidroteknike është bërë i mundur projektimi i skemës së plotë të shfrytëzimit të Drinit, Devollit dhe Vjosës. HEC-e më të mundshme për t’u ndërtuar janë: në lumin Drin-Bushati (84 MW), Peshkopi, Skavica 1 (130 MW), Skavica 2 (350 MW); në lumin Vjosë-Kaludhë (75 MW), Dragot-Tepelena (130 MW) dhe Kalivaçi (100 Mw); në lumin Devoll-Bratila (115 Mw) dhe Banja (80 MW).
Interes paraqet edhe shfrytëzimi i energjisë ujore nëpërmjet hidrocentraleve të vogla. Aktualisht është shfrytëzuar kaskada e Devollit nëpërmjet kompanisë Statkraft ku është ndërtuar HEC-i i Banjës dhe është në proces ai i Moglicës. Të dyja HEC-et do të rrisin kapacitetet e prodhimit vendas me rreth 17%, teksa janë bllokuar punimet për ndërtimin e HEC-eve në lumin Vjosë. HEC-i i Kalivaçit, tashmë me investitor Francesco Bechettin, është në konflikt gjyqësor me shtetin shqiptar. Teksa pak kohë më parë, Gjykata Administrative vendosi të bllokojë edhe punimet në HEC-in e Poçemit që po ndërtohej në lumin Vjosë nga kompania turke “Kovlu Energji”. Me shumë gjasë edhe HEC-e të tjera mbi Vjosë nuk do të zhvillohen, pasi qeveria shqiptare është edhe nën presionin e BE-së për të mos dëmtuar biodiversitetin në lumin, ndër më të veçantët të Europës.
Gjithashtu qeveria shqiptare ka shmangur planet për ndërtimin e Skavicës, pasi kostoja e zhvendosjes së popullsisë është shumë e madhe. Studio franceze Soegrah, në një studim të posaçëm shfrytëzimin e kaskadës së Drinit, nxori në dukje se nëse Skavica ndërtohet, do të zhvendosen 500 mijë banorë dhe të paktën 5 mijë hektarë tokë bujqësore do të përmbyteshin. Për shkak të këtyre kostove, projekti në Skavicë është zhvendosur në ndërtimin e HEC-it Katundi i Ri, i cili sigurisht nuk ka të njëjtat efekte me Skavicën. Ndërtimi i Skavicës është parë nga Instituti i Studimeve dhe Projekteve të Veprave Hidroteknike si investim strategjik, jo më shumë për prodhimin e energjisë se sa për rritjes e eficiencës në kaskadën e Drinit.
Përveç 140 HEC-eve të vogla të ndërtuara nga privatët që tashmë janë në proces prodhimi, kanë leje për t’u ndërtuar edhe 10 HEC-e private me kapacitete më të mëdha se 2 MW.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë janë në proces ndërtimi gjithsej 10 HEC-e, me kapacitet të përgjithshëm 458 MW që do të rrisin prodhimin e energjisë në total me 31% në vitet në vijim.
Ndër këto projekte, më i madhi është ai i Moglicës me 171 MW fuqi, i cili është në proces ndërtimi. Projekte të tjera të mëdha në sektor janë ndërtimi i HEC-it të Fangut me 72 MW në zonën e Mirditës, HEC-i i Stavecit me fuqi 20 MW, HEC Qarrishtë me 37 MW, HEC Gostime me 21 MW.
Energjia e diellit dhe erës, terren i paprekur
Nëse energjia diellore do të shfrytëzohej sa në Greqi, atëherë vendi do të kishte së paku 75 MW prodhim vjetor, kryesisht nëpërmjet paneleve diellore për përdorim shtëpiak. Kjo sasi energjia është e barabartë me prodhimin e HEC-it të Banjës në lumin Devoll, që nisi punën vitin e kaluar. Energjia e diellit, të cilën Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar aspak deri më tani, do të ishte një burim shumë i mirë për të diversifikuar prodhimin dhe eficient për të siguruar prodhim në kohën kur reshjet mungojnë, thanë ekspertët e OSHEE-së. Ministria e Energjetikës ka dhënë deri më tani gati dhjetë leje për të ndërtuar parqe të energjisë diellore, por Enti Rregullator i Energjisë nuk e ka miratuar bazën ligjore për instalimin e matësve hyrës dhe dalës dhe gjithashtu nuk ka çmim të përcaktuar se sa do të mund të shitet kjo lloj energjie.
Potenciale të mëdha paraqet edhe energjia e erës. Sipas studimeve të Ministrisë së Energjisë, me 150 milionë euro investim në energjinë e erës mund të gjenerohen 400 gigavatorë energji elektrike. Disa leje janë dhënë dy vitet e fundit, por asnjë impiant energjie nga era nuk ka nisur nga puna.
Termocentralet, plane të largëta
Gazsjellësi TAP ka rizgjuar shpresat për aktivizimin e termocentraleve që do të prodhojnë energji me gaz. Planet e para lidhen me riaktivizimin e termocentralit të Vlorës, e cili ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2009 dhe nuk është vënë në punë për shkak të një defekti gjatë procesit të ndërtimit. Sikur TEC-i të vihej në punë më 2012, çmimi i shitjes së një kilovatori energji elektrike do të ishte 21 lekë, vlerë kjo tre herë më e lartë se çmimi i pakicës që paguhej në atë periudhë nga konsumatorët familjarë dhe dy herë më i lartë se çmimet e importit. Vitin e kaluar, qeveria shqiptare, porositi nëpërmjet një tenderi një studim fizibiliteti për shqyrtimin e rivënies në punë të Termocentralit nëpërmjet gazit të TAP. Kompania zvicerane Roland Berger po e bën këtë studim me fondet e grantit 6 milionë euro që qeveria e Zvicrës ka dhënë për ndërtimin e kapaciteteve të sektorit të gazit në Shqipëri. Por efektiviteti i studimit vihet në dyshim për faktin se gazsjellësi TAP ende nuk ka miratuar kuotat shtesë të gazit në Shqipëri. Por me ndërtimin e gazsjellësit TAP, Ministria e Energjetikës është shprehur se do të marrë në konsideratë ndërtimin e një termocentrali të ri në Fier.
Shkëlqim Bozdo, menaxher i TAP për Shqipërinë, pohon se leverdi përdorimi i gazit të TAP për të vënë në punë TEC-in e Vlorës. Bozdo pranon se situata me TEC-in e Vlorës është pak komplekse, megjithatë kushtet e veçanta të Shqipërisë favorizojnë përdorimin e gazit. Nëse do të punonte me regjim normal, shumë TEC-e me gaz do të rezultonin problematikë, por Shqipëria favorizohet nga fakti që ne vazhdojmë të importojmë energji dhe në këtë mënyrë, TEC-i i Vlorës mund të bëjë balancimin në periudhën kur çmimi i energjisë në bursa shkon në pikun e vet. Për më tepër që në Shqipëri, tregu i energjisë nuk është tërësisht i liberalizuar.
Zgjedhjet dhe ministrat teknikë
Menaxhimi i situatës së thatësirës dhe garantimi i furnizimit me energji përmes importeve ishin rasti tipik që treguan se politika mbyt çdo lloj problematike dhe interesi social. Vetë kompanitë e sektorit duket se kanë pasur një reagim fillestar gjatë fundprillit dhe majit për t’i dalë para një skenari problematik, por përplasja mes opozitës dhe mazhorancës ka hequr vëmendjen nga kjo çështje, duke lënë që proceduat që pasuan të jenë spontane në momentin e fundit. OSHEE pati ndryshim të drejtorit ku në krye të saj u vendos një drejtor teknik ndërkohë që edhe në qeveri, me marrëveshjen PS-PD patëm edhe disa ministra teknikë dhe një zëvendëskryeministre të re. Vetëm kur përfunduan zgjedhjet dhe u lexuan rezultatet, vëmendja u fokusua te situata e vështirë energjetike. OSHEE prokuroi energjinë për korrikun në ditët e fundit të qershorit, ndërkohë që për gushtin do të duhet që në lojë të hyjë KESH.
Një vendim që autorizon Korporatën të përdorë fondin 22.4 milionë euro nga Banka Botërore në Planin e Rimëkëmbjes u bë “mollë sherri” mes qeverisë, e ndarë në dy pjesë. Të majtët pretenduan se teknikët nuk po firmosnin vendimin në fjalë kurse të djathtët akuzuan për mungesë transparence. Fillimisht ishin burime pranë ministrave të majtë që konfirmuan ekzistencën e kësaj “përplasjeje” në distancë. I menjëhershëm do të ishte reagimi i zëvendëskryeministres, Ledina Mandija, e cila u shpreh se, edhe nëse ministrat e teknikë nuk kishin firmosur ligji mund të kalonte me shumicë. Po kështu, sipas saj, drafti që autorizonte KESH për përdorim të parave për import, nuk ishte i shoqëruar me relacionin shpjegues. Nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të dilnin disa dokumente që tregonin ekzistencën e një relacioni dhe një drafti të konsultuar dhe firmosur nga ish-ministri Arben Ahmetaj dhe ish-ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. Edhe në këtë rast, nga pala teknike (të djathtët në qeveri) do të shpërndahej një tjetër variant drafti që përgënjeshtronte joteknikët e Ramës. Për disa ditë rresht, qeveria u përfshi në një “lojë” përgënjeshtrimi duke i lënë fajin tjetrit. E ndërsa kjo situatë vijonte Këshilli i Mbikëqyrjes i OSHEE-së miratoi një vendim për rikthimin në krye të kompanisë së shpërndarjes së drejtorit Adrian Çela, i cili ishte zëvendësuar nga tekniku Haki Mustafa.
Me zgjidhjen e konfliktit, KESH mund të nisë lirisht importet sipas vendimit që sanksionon se “në raste përjashtimore dhe situata të pafavorshme hidrike, Këshilli i Ministrave mund të vendosë që sasia e nevojshme e energjisë për përmbushjen e kërkesave të klientëve që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit të sigurohet në tregun e parregulluar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga shteti” thuhet në vendim.
Kredia e rimëkëmbjes me Bankën Botërore
Në gjithë sektorin energjetik, “Thembra e Akilit” cilësohet varësia e madhe që Shqipëria ka nga situata klimatike. Çdo thatësirë reflektohet menjëherë në situatën hidrike të kaskadës së Drinit, duke rrezikuar edhe furnizimin normal me energji. Një të metë të tillë të portofolit të energjisë e njeh edhe Banka Botërore, e cila më herët financoi për ndërtimin e Termocentralit të Vlorës, që është përndjekur nga një seri problematikash që kanë bërë që kjo vepër të mos vihet asnjë ditë në punë. Gjithsesi, Banka Botërore në kredinë e rimëkëmbjes prej 112 milionë eurosh, mori në konsideratë disa komponentë që duhet të zbatoheshin. Te KESH, rëndësi jetike sipas bankës, kishte hartimi i një mekanizmi për menaxhimin e riskut. “KESH dhe parashikimi i së ardhmes së kompanisë mbeten shumë të varura nga kushtet ekstreme klimatike. Është e nevojshme që të vendoset në mënyrë urgjente një mekanizëm i përshtatshëm për menaxhimin e riskut, duke vendosur një bazë për rastet e ndikimit kur prurjet bien nën mesatare, në mënyrë që të mbrohet qëndrueshmëria e kompanisë dhe shërimi i brishtë i saj”, – thuhet në raportin e Bankës Botërore në vitin 2014. Rezultati sot tregon se ende nuk është arritur në këtë menaxhim risku dhe situate, edhe pse KESH, nga ana e tij, është përpjekur që të optimizojë kaskadën. Vetëm në muajt e parë, nga ana e KESH u shit në orare piku me një çmim mbi 50 euro megavati dhe u ble gjatë natës me një çmim pak më shumë se 30 euro/megavati. Një tjetër komponent që Banka ka kërkuar që të shihet me kujdes është parashikimi i situatës hidrike në afatgjatë.
Lidhur me kredinë 22.4 milionë euro dhënë KESH nga Banka Botërore, kjo shumë supozohej që të përdorej në kohën kur gjenerimi po kryente ndërhyrje në hidrocentralin e Komanit, duke e plotësuar këtë diferencë me importe. “Në një afat të shkurtër si pjesë e Strategjisë të Menaxhimit të Riskut, që do të zhvillohet vitin tjetër (2015) komponenti do të mundësojë një shumë deri në 30 milionë USD për të kompensuar prodhimin e reduktuar nga rehabilitimi i hidrocentralit të Komanit dhe nën kushtet e pafavorshme të motit për të mbështetur tregun e rregulluar. Përfitimi kryesor në këtë rast është menaxhimi sa më i përshtatshëm i kaskadës së Drinit”, vlerësohet në komponentin 1 të projektit me Bankën.
I njëjti projekt parashikon që mekanizmi për menaxhimin e riskut nga paqëndrueshmëria e motit të aplikohej sa më shpejt, duke mbështetur një studim që do të përcaktonte edhe mënyrën sesi mund të zbutet ndikimi i motit në sektorin e energjisë.
Vlerësimi për zbatimin e projektit dhe treguesit e sektorit
Banka Botërore ka bërë një vlerësim të saj të fundit lidhur me ecurinë e projektit të rimëkëmbjes. Në fokus janë disa nga treguesit për performancën e operatorëve të tregut. “Performanca e sektorit energjetik është përmirësuar dukshëm, arkëtimet janë përmirësuar në nivelin mbi 92% dhe borxhet e prapambetura mes kompanive të sektorit janë ulur në mënyrë drastike, si rezultat i kërkesës që vendoset nga programi. Humbjet në sektor kanë rënë me 3.3% në 2016 (nga 31.3% në 2015 në 28% në 2016) por sërish është mbi objektivin e rënë dakord prej 26%. Edhe likuiditeti i sektorit është përmirësuar me rënien e detyrimeve dhe rritjen e investimeve. Vetëm nga fondet e saj, OSHEE ka kryer investime që kapin vlerën 80 milionë euro në dy vitet e fundit”, – thuhet në raportin e vlerësimit të projekt.
Por i njëjti institucion financiar ndërkombëtar do të sillte në vëmendje vetëm pak javë më parë rënien e vrullit të reformës në energji, në periudhën parazgjedhore, edhe pse kjo nuk ka prekur treguesit kryesorë për ta vënë në rrezik atë. Situata e sektorit për treguesit mbetet e paqartë në kushtet kur vetëm Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka bërë transparencë për situatën në 5-mujorin e 2017-s.
Referuar treguesve, humbjet në maj rezultuan 28.7% ndërkohë që arkëtimet ishin 27.5 miliardë lekë, ose 4.6% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Borxhi i keq principal, për fatura 2007-2014 është 50.1 miliardë lekë në fund të 5-mujorit 2017 nga 67.8 miliardë lekë në fund të vitit 2014.
Koment redaksional
Të lidhësh vështirësitë që ka sot vendi për të garantuar energji të vetëmjaftueshme pa vënë në rrezik ekonominë dhe financat publike, vetëm me thatësirën ekstreme të këtij viti, është miopi.
Rreth katër vite me parë, kur qeveria nisi aksionin e “dhunshëm” për të mbledhur borxhet shumë vjeçare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Revista Monitor në një editorial të saj do të ngrinte pyetjen: Por kur OSHEE të mos ketë në krah qeverinë, a do të mundet që të dëshmojë se është ringritur dhe funksionon si kompani rentabël brenda një sistemi të tërë energjie eficent? Tani është koha dhe janë argumentet për të dhënë një përgjigje:
Mbledhja e borxheve me forcë ligjore për të ndëshkuar çdokënd që vjedh energjinë dha rezultate, duke i përmirësuar ndjeshëm financat aq sa kompanitë patën mundësi të planifikonin investime të mëdha dhe të shkëputeshin nga nevoja për mbështetje buxhetore.
Por këtë vit, pas katër vitesh që qeveria e quajti reformë, rezulton që OSHEE nuk mund të garantojë me fondet e saj më shumë se dy muaj energjie, dhe nëse do ta bëjë këtë, paratë do t’i gjejë duke i hequr nga plani i investimeve. Energji mund të kemi, por sistemi, siç duket, po krijon kosto. Sikundër tha, gjatë javës që kaloi guvernatori i bankës qendrore, energjia po mbetet një risk i lartë që do të ngadalësojë ekonominë dhe brenda saj sektorët e prodhimit do të jenë më të dëmtuarit, së bashku me financat publike.
Që pas vitit 2008 kur vendi ra në një kolaps energjie të përsëritur, u bënë disa hapa cilësorë strategjikë për të rritur kapacitetet prodhuese të energjisë nga uji. Sot janë në funksion dy hidrocentrale të mëdha si Banja dhe Ashta dhe disa dhjetëra HEC-e të vegël lokal. Por këto investime po rezultojnë të pamjaftueshme për të përballur nevojat, jo nga pikëpamja e kërkesë-ofertës, pasi tregu është i hapur dhe energjia e munguar blihet nga importi, por nga aftësia për të krijuar një sistem energjie që nuk vepron në kushte krize, që arrin të krijojë të ardhura aq sa të jetë eficient sa të sigurojë përveçse shpenzime korente edhe investime që përmirësojnë rrjetin. Fakti që sot për të garantuar furnizimin me energji të popullatës dhe biznesit pa ndërprerje, duhet nevoja e një mbështetjeje buxhetore, tregon se ky problem nuk është zgjidhur. Nga ana tjetër ka pasur dy tregues të tjerë që e kanë bërë më të vështirë zgjidhjen. I pari, konsumi i energjisë së prodhuar nga uji, në Shqipëri vazhdon të mbetet burimi kryesor dhe kërkesa për këtë produkt nuk është ulur por përkundrazi është rritur, dhe se në verë konsumi i energjisë elektrike po barazohet me dimrin, çka nuk i krijon mundësi për të krijuar rezerva të mjaftueshme në dimër kur konsumi është më i lartë. Këto dy tregues të konfirmuara dhe nga ERE, po tregojnë se sistemi energjetik shqiptar është gjithnjë në “Alert”.
Pse ndodhi kjo? E para, sepse u mendua politikisht dhe popullata u ngop me lugën bush duke reklamuar se me mbledhjen e borxheve u bë reformë, kur reforma është një tjetër gjë dhe mbledhja e borxheve veçse një aspekt teknik e ligjor. Tani që thatësia u bë më dominuese, u thanë edhe argumentet për reformë.
Së dyti, zgjidhja e krizës u përqendrua tek oferta pra tek burimet që japin energji. Por një reformë e plotë kërkon të rishikosh edhe kërkesën. Nuk ka ende sot asnjë platformë politike për të mbështetur fuqishëm, por vetëm disa lëvizje të lehta për ta orientuar investimet dhe kërkesën e popullatës drejt burimeve të tjera energjike. Reklamohet sot përdorimi i paneleve diellorë, përdorimi i energjisë nga Biomasa, etj. Ka edhe disa projekte të vola për ta demonstruar këtë, por nuk është ndërmarrë asnjë politikë serioze dhe nuk ka asnjë strategji me objektiva të qartë që këto propozime të reja të bëhen atraktive për popullatën që t’i shikojë këto alternativa si më të leverdishme se energjia që marrin sot nga HEC-et.
Së treti, tarifat. Për shkak të paaftësisë për të menaxhuar klientin deri në çdo qelizë, u aplikua një tarifë unike, e cila stimuloi konsumatorët e mëdhenj dhe rëndoi ata me pak të ardhura. Por ndërkohë nuk mundi të ndryshojë sjelljen konsumatore sikundër e kanë shumica e vendeve të përparuara në këtë aspekt që tarifon energjinë edhe në varësi të fashove orare kur më e lirë është energjia gjatë natës dhe më e shtrenjtë në momentet e pikut. Ky tarifim me fasha do të ndryshonte sjelljen e konsumatorit jo vetëm duke e bërë atë më kursimtar por edhe më rentablël.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.