Potenciali rajonal i sektorit të tekstilit dhe lëkurës, risitë që do të sjellë Expocity Albania
Industria e tekstileve dhe lëkurës ka njohur zgjerim të vazhdueshëm ndër vite dhe ka potencial zhvillimi në rajon dhe më gjerë. Për këtë, Expocity Albania sjell në datat 19-20 Tetor 2018 Textile, Leather & Fashion Expo 2018.
Në organizimin e këtij panairi, fokusi do të përqendrohet në potencialin që ka industria tekstile, e lëkurës dhe modës, duke synuar rritjen e bashkëpunimit në tregun rajonal si dhe orientimin e sektorit drejt tregjeve ndërkombëtare.
Në tregun europian, vihet re një tendencë në rritje e kalimit nga bashkëpunimi me vendet aziatike drejt atyre me origjinë europiane, specifikisht vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes Panairit Textile, Leather & Fashion Expo 2018, vëmendja kushtuar botës së tekstileve, lëkurës dhe modës në mbarë botën do të bëjë ndalesën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Industria e tekstileve dhe këpucëve është vlerësuar nga analistët ndërkombëtarë si një mundësi reale për të zhvilluar kapacitetet prodhuese me orientim drejt tregjeve ndërkombëtare. Në këtë panair do të marrin pjesë përfaqësues të sektorit privat, si prodhues dhe eksportues të lëndës së parë, pëlhurave të thurura dhe të endura për femrat, meshkujt dhe fëmijët, produktet e lëkurës; prodhues dhe eksportues në industrinë e këpucëve, aksesorëve; shoqëri që punojnë me material porositës dhe që synojnë të gjejnë prodhues të interesuar për kapacitetet e tyre të lira apo që duan të eksplorojnë alternativat e mundshme për të zgjeruar aktivitetin.
Sigurisht që platformës nuk do t’i mungojnë institucionet, të cilat me politikat e tyre ndikojnë në mbarëvajtjen dhe zhvillimet e sektorit. Gjatë dy ditëve të panairit do të organizohen forume dhe workshop-e, të cilat jo vetëm do të nxjerrin në pah problematikat aktuale të sektorit, por do të fokusohen kryesisht në vizionin dhe perspektivën e tij në Shqipëri dhe rajon.
Në ditën e dytë të panairit, në datë 20 tetor, do të organizohet një workshop nga znj. Brigitte Heuser, Konsulente e SIPPO në fushën e tekstileve, e cila do të trajtojë tematika me interes të gjerë si eksporti i veshjeve në tregjet europiane, tendencat e tregut në industrinë e veshjeve në BE, kërkesat e blerësve në BE dhe mënyrat e promovimit të bizneseve.
Textile, Leather & Fashion Expo 2018 do të jetë “stacioni” dyditor i cili fton të gjithë individët dhe subjektet e lidhur ngushtësisht me sektorin, si dyqanet e veshjeve, këpucëve, aksesorëve, dyqanet e metrazheve, specialistë të fushës së tekstileve, dizenjues, blerës etj.; por edhe ata që ndjekin tendencat e kohës dhe kanë interes mbi pëlhurat, lëkurën dhe aksesorët më modernë në fushën e tekstileve dhe modës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.