Ligji për koncesionet dhe prokurimet publike pret që të pësojë sërish ndryshime. Në Kuvend janë duke u diskutuar disa amendime që janë paraqitur si nismë e grupit parlamentar të LSI-së. Parashikohet përfshirja e Kuvendit në dhënien e miratimit për procedurat koncesionare me kohëzgjatje mbi katër vjet. Juristët thonë se ligjvënësit duhet të bëjnë kujdes dhe ta shoqërojnë legjislacionin me tabelën e përafrimit me atë të BE-së, pasi rrezikohet sërish të merren vërejte. Sipas tyre, neni 2 i Direktivës 2014/23/EU, Për dhënien e kontratave të koncesionit, njeh lirinë e autoriteteve kontraktore për të vendosur për koncesionet, të njëjtën gjë që legjislacioni ynë e përkufizon dhe e rregullon.
Në fundmarsin e këtij viti, kur Fondi Monetar Ndërkombëtar përmbylli shqyrtimin e shtatë të Marrëveshjes së Zgjeruar, një nga “detyrat e shtëpisë” që la ishte edhe fuqizimi i menaxhimit të investimeve publike. “Të gjitha propozimet për Partneritet Publik-Privat duhet t’i nënshtrohen studimit të hollësishëm të fizibilitetit dhe analizës kosto/përfitim, studim i cili duhet të vlerësohet nga Ministria e Financave përpara sesa të jepet miratimi. Ndikimi që ka çdo PPP i ri në llogaritë fiskale reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e FMN-së. Por, kjo nuk është e vetmja vërejtje e artikuluar nga ndërkombëtarët, këtë gjë e ka bërë edhe Bashkimi Europian, i cili ka theksuar se janë bërë hapa prapa.
Edhe ndërhyrjet në kornizën ligjore kanë qenë të shpeshta. Aktualisht në tavolinat e ligjvënësve ndodhet për shqyrtim projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat’, të ndryshuar”. Kjo është një nismë e ndërmarrë nga një grup deputetësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga ana e tyre, argumentohet se shtesa që propozohet ka të bëjë me përfshirjen e një sërë institucioneve në atë që njihet si “vlerësimi i alternativës” e më konkretisht të: Ministrisë së Financave, asaj të Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe Avokatura e Shtetit. Sipas hartuesve të amendamenteve, arsyeja se përse kërkohet që të përfshihen këta aktorë ka të bëjë me faktin se kontratat e koncesioneve/partneriteteve publike dhe private në thelb janë të drejta afatgjata për punë apo shërbime që shteti ia jep kompanive private. Por, sipas juristëve, përfshirja e këtij koncepti nuk është parashikuar si pjesë e ligjit, por i lihet si detyrë Këshillit të Ministrave përmes VKM-ve, ndryshe nga sa thuhet në relacionin që shoqëron draftin e ligjit.
Një tjetër ndryshim që parashikohet ka të bëjë edhe me afatet dhe më konkretisht me faktin se kontratat koncesionare/PPP-të me afat mbi katër vjet duhet të hyjnë në fuqi pas miratimit në Kuvend dhe kjo nga hartuesit është motivuar nga disa argumente. E para, afatet më të gjata se 4 vjet për kontratat koncesionare janë afate zbatimi që i kalojnë mandatet politike të mazhorancave dhe si të tilla imponojnë përgjegjësi politike, shtetërore dhe detyrimin e zbatimit të tyre korrekt ndër vite, pavarësisht çdo lloj ndryshimi me karakter politik.
E dyta, miratimi i kontratave koncesionare nga Kuvendi i Shqipërisë siguron maksimizimin e garancive ligjore dhe financiare për investitorët privatë në lidhje me projektet afatgjata ku ata kanë investuar e rrjedhimisht, shërben si bazë për thithjen e investimeve të tjera të mundshme, pasi investimet e tyre do të jenë më të sigurta.
Juristët: Certifikimi nga Kuvendi zbeh rolin e Autoritetit të Prokurimit
Juristët kanë disa argumente në lidhje me ndryshimet që parashikohen në këtë projektligj, sipas tyre në të duhet të merren në konsideratë edhe përputhshmëria me direktivat e BE-së. Ja argumentet që ata sjellin:
Neni 1 i projektligjit, koncepti “vlerësimi i alternativës”
“15/a. “Vlerësim i Alternativës” është vlerësimi paraprak i studimit të fizibilitetit nga Autoriteti Kontraktues, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Ministrinë që mbulon çështjet e Ekonomisë dhe Avokaturën e Shtetit, me qëllim përcaktimin e alternativës së dhënies me koncesion/Partneritet Publik Privat, si alternativa më e leverdishme ekonomikisht ose jo, në krahasim me alternativën e dhënies së një kontrate prokurimi publik”.
Po t’i referohemi relacionit që shoqëron projektligjin, argument i përfshirjes së këtij “koncepti” është se, përdoret në VKM, por jo në ligj.
Në nenin 16, pika 3 të ligjit, thuhet se Këshilli i Ministrave harton rregulla më të hollësishme, pra vetë ligji ka autorizuar për përcaktime më të detajuara në aktet nënligjore, sikurse ndodh normalisht.
Nëse në VKM nr. 575, datë 10.7.2013 “Për Miratimin e Rregullave për Vlerësimin dhe Dhënien me Koncesion/Partneritet Publik Privat” konkretisht në nenet 4 (pika 3), 8 (pika 1) dhe 9 (pika 1, germa “ç”) parashikohet se studimi i fizibilitetit duhet të përcaktojë dhe vlerësojë se: alternativa përmes së cilës është parashikuar të përfundojë projekti nëpërmjet dhënies së një kontrate me koncesion/PPP është më e dobishme në krahasim me alternativën e dhënies së një kontrate prokurimi publik, (referim i relacionit), në Ligj, neni 19, pika 2, germa b, përcaktohet se studimi i fizibilitetit, ndër të tjera, përmban “analizat teknike, financiare, ekonomike dhe ligjore”, pra së pari mund të thuhet se ka përcaktim në VKM, por jo në Ligj. Për më tepër që në pikën 17, të nenit 3 kemi një përkufizim të “vlerës për para”, që është në përputhje me Direktivën dhe përfaqëson edhe nocionin e dobishmërisë së procedurës, citoj:
“17. “Vlera e parasë” është një term, i cili përdoret për të përcaktuar nëse autoriteti kontraktues ka marrë fitimet maksimale të mundshme nga punët apo shërbimet e dhëna me koncesion/partneritet publik-privat. Ky term nuk kufizohet në masën e vlerës së parasë së punëve/shërbimeve, por përfshin, gjithashtu, edhe vlerësimin e cilësisë, kostos dhe shfrytëzimin e burimeve, përshtatshmërinë me qëllimin dhe objektivin e kontratës, kohën dhe mundësinë për të vendosur nëse të gjitha këto elemente të kombinuara përbëjnë vlerën me të mirë ekonomike”.
Në vijim, në relacionin shoqërues, thuhet se: “por të gjitha këto përcaktime i atribuohen vetëm Komisionit të Dhënies me Koncesion”, kjo qëndron dhe kështu duhet të jetë, pasi sipas nenit 13, pika 1, e ligjit, kompetencën për ndërmarrjen e një procedure koncesioni/PPP, ky ligj ia njeh autoritetit kontraktues. Për sa kohë, pavarësisht kompozimit të Komisionit të Dhënies me Koncesion, kjo e drejtë i njihet Autoritetit kontraktues, ky përcaktim do të sillte dyzime brenda të njëjtit ligj.
Neni 2 i projektligjit
Komisioni i koncesionit/Partneritetit Publik-Privat:
“a) harton studimin e fizibilitetit për koncesionin ose partneritetin publik-privat dhe e paraqet për dhënien e vlerësimit të alternativës te Ministria e Financave, Ministria që mbulon çështjet e ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit. Pasi merr miratimin e këtyre institucioneve se projekti përkatës është alternativa më e leverdishme ekonomikisht vijon me përcaktimin e procedurës së zbatueshme për dhënien e koncesionit/Partneritetit Publik-Privat dhe harton dokumentacionin e tenderit”.
Sipas relacionit, pranohet se Ministria e Ekonomisë është e përfshirë, fakti që 2 nga anëtarët e Komisionit vijnë nga ATRAKO, e përmbush qëllimin e propozimit, duke e bërë të panevojshëm.
Ministria e Financave, është e përfshirë në këtë proces. Neni 42 parashikon se kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave, sa herë ka nevojë për mbështetje financiare. Dukshëm nuk është i nevojshëm ndonjë amendim ligji në këtë aspekt.
Lidhur me Avokaturën e Shtetit, në Ligjin 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, në nenin 5, përcaktohet se kur konsultohet ky institución, dhe në të gjitha rastet draftkontrata, në përfundim të procedurës së koncesionit/PPP, merr konfirmimin e Avokaturës së Shtetit, para se të nënshkruhet nga Autoriteti kontraktor. Ligji i koncesioneve, në formën aktuale, nuk e ka shmangur këtë institución.
Por nëse të gjitha institucionet e përmendura më lart, janë të përfshira në proces, për aq sa parashikon ligji dhe për aq sa kanë fushën e tyre të veprimtarisë, ato nuk mund të marrin kompetencën e autoritetit kontraktor në identifikimin e procedurave dhe realizimin e tyre, pasi kjo nuk është në frymën e Direktivës dhe do ta bënte procesin më kaotik.
Neni 3 i projektligjit
Në nenin 19, pas pikës 5 shtohen pikat 6 dhe 7 me këtë përmbajtje:
“6. Studimi i fizibilitetit të koncesionit/Partneritetit Publik Privat paraqitet për dhënien e vlerësimit të alternativës te Ministria e Financave, Ministria që mbulon çështjet e ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit. Institucionet e përmendura në këtë nen kthejnë përgjigje tek Komisioni i koncesionit/Partneritetit Publik Privat brenda 30 ditësh nga marrja e kërkesës për vlerësimin e alternativës.
7.Në rast se institucionet e përmendura në pikën 6 të këtij neni, konfirmojnë leverdishmërinë ekonomike të koncesionit/Partneritetit Publik Privat si alternativën më të leverdishme ekonomikisht në krahasim me prokurimin publik, autoriteti kontraktues vijon procedurat e mëtejshme sipas këtij ligji. Në rast se këto institucione i vlerësojnë këto projekte si jo të leverdishme ekonomikisht, autoriteti kontraktor ndërpret procedurën e dhënies së koncesionit/Partneritet Publik Privat”.
Duke qenë se është në vijim të nenit 3 të projektligjit, vlen argumenti si më lart.
Neni 4 i projektligjit
Në nenin 26, pas pikës 5, shtohet pika 5.1 me këtë përmbajtje:
“5.1. Për procedurat e koncesionit/Partneritetit Publik Privat, kohëzgjatja e të cilave është mbi 4 vjet, kontrata hyn në fuqi pasi ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ky nen është i diskutueshëm, pasi kontrata merr miratimet e institucioneve përkatëse, Ministria e Financave, Avokatura e Shtetit, nuk duket se ka arsye të ligjshme ratifikimi në Parlament. Argumenti në relacion është politik dhe jo teknik, tingëllon si “blindim” politik i kontratës dhe jo si masë sigurie për performancën e koncesioneve/PPP.
Kontrata ndërmjet palëve ka fuqinë e ligjit dhe i nënshtrohet dispozitave të Kodit Civil, sjellja e palëve gjatë periudhës së ekzekutimit të kontratës, i nënshtrohet këtyre dispozitave dhe mund të jetë objekt i shqyrtimeve gjyqësore në raste mosmarrëveshjesh.
Nëse kontrata ka dalë nga një garë e rregullt dhe një proces ligjor, nuk ka asnjë argument ligjor për ratifikimin e kontratës nga Parlamenti.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Ligji 125/2013 “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, është ligj i përafruar me Direktivat e BE dhe duhet shoqëruar me tabelën e përafrimit të legjislacionit, përndryshe rrezikon të marrë të njëjtat vërejtje nga raporti i përvitshëm i progresit (sqaroj se në 2 vitet e fundit, amendimet që i janë bërë këtij ligji janë cilësuar si hapa mbrapa në procesin e përafrimit).
Neni 2 i Direktivës 2014/23/EU, Për dhënien e kontratave të koncesionit, njeh lirinë e autoriteteve kontraktore për të vendosur për koncesionet, të njëjtën gjë që legjislacioni ynë e përkufizon dhe e rregullon.
Për rritjen e performancës së kontratave të koncesionit, sikurse kjo Direktivë parashikon, ajo çfarë duhet forcuar është funksioni i monitorimit dhe raportimit, i cili praktikisht nuk funksionon, pasi nuk rezulton të jetë monitoruar ndonjë procedurë koncesioni nga institucioni i ngarkuar me ligj, neni 11 i Ligjit për koncesionet, Agjencia e Prokurimit Publik. (referuar raporteve vjetore, nuk pasqyrohet ndonjë monitorim për koncesionet, por vetëm për prokurimet)
Ligji i koncesioneve dhe partneritetit publik privat ka përcaktuar procedurat, institucionin e rishikimit, Komisioni i Prokurimit Publik, që shqyrton ankesat në rast problemesh me zbatimin e ligjit nga autoritetet kontraktore dhe APP, si institucion monitorues pas nënshkrimit të kontratave. Nëse kontrata ratifikohet nga Parlamenti, procedura “certifikohet” dhe ky institucion humbet rolin.
“Afati
Kontrata e koncesionit/partneritetit publik privat nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se 35 vjet.”
“Kontrata
Kontrata hartohet me shkrim dhe nënshkruhet nga personi i autorizuar i autoritetit kontraktues dhe ofertuesi i zgjedhur si më i suksesshmi.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.