Flet prof. Selami Xhepa, drejtor i Institutit Pashko
Sido që të serviret politikisht kjo iniciativë, në analizë të fundit këto para do t’u kthehen privatëve në formën e taksave të shtuara të ardhshme dhe duke u kontabilizuar në pasqyrat e financave publike, treguesit e borxhit publik do të duken kërcënuese.
Unë e kam shprehur në shumë raste se, projekti i njohur si “1 Billion”, ku qeveria do të koncesionojë në formë Partneriteti Publik-Privat projekte publike në vlerën e 1 miliard dollarëve, ngre shqetësime serioze sa u takon efekteve që këto borxhe të nënkuptuara publike do të kenë mbi stabilitetin e financave publike të vendit. Sido që të serviret politikisht kjo iniciativë, në analizë të fundit këto para do t’u kthehen privatëve në formën e taksave të shtuara të ardhshme dhe duke u kontabilizuar në pasqyrat e financave publike, treguesit e borxhit publik do të duken kërcënuese.
Të mos harrojmë se edhe sot, buxheti i shtetit shpenzon rreth 350-400 milionë euro për shërbimin e borxhit. Duke planifikuar në të ardhmen një shumë edhe më të lartë pagesash për këto projekte, barra e pagesave të interesave dhe borxheve të maturuara do të tejkalonte edhe shifrën e investimeve publike. Herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht prandaj gjykoj se qeveria duhet ta rimendojë seriozisht këtë projekt.
Rreziku i dytë serioz janë procedurat aspak transparente të prokurimit të projekteve të kësaj natyre. Siç e nënvizoi së fundmi edhe një shqetësim i Bankës Botërore, Shqipëria ka probleme serioze në kontrollin e korrupsionit. Projekte si ky nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë edhe më shumë hapësira abuzuese dhe korrupsion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.