Pr.ligj, krijohet një Akademi Shkencash ‘Europiane’, lidhje rajonale dhe inkurajim kërkimit shkencor

12/04/2019 12:00 PM 0 komente

Ndryshime të reja pritet që të realizohen rreth strukturës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të cilat vijnë në një moment ku i gjithë rajoni po fokusohet më tepër në kërkimin shkencor.

Në një studim të parë rajonal në kuadër të projektit “Krijimi i sinergjisë në Ballkanin Perëndimor për forcimin e arsimit, kërkimit dhe shkencës”, Shqipëria identifikohet problematikën e ekzistencës së pengesave në zbatim të akteve nënligjore në fushën e hulumtimeve shkencore.

Në relacion theksohet se, ky projektligj është hartuar në përgjigje të kërkesave të drejta të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, por edhe të komunitetit akademik e shkencor të vendit si dhe interesit publik për të ndërtuar një Akademi të Shkencave sipas modeleve më të suksesshme bashkëkohore, konform standardeve të ALLEA-s (All Europian Academies).

Projekti ridimensionon dhe ripërcakton funksionet e Akademisë së Shkencave, duke theksuar rolin këshillimor, rekomandues, promovues, botues, nxitës, bashkëpunues dhe bashkërendues të saj në sistemin e kërkimit shkencor të vendit. Projektligji synon dhe pritet të realizojë ripërtëritjen e Akademisë së Shkencave dhe të përbërjes së saj me përfaqësues nga më të shquarit të komuniteteve shkencore të vendit, nëpërmjet harmonizimit të brezave, moshave e fushave të kërkimit. Për këtë qëllim, projektligji vendos kritere më rigorozë e të matshme për pranimin e anëtarëve të rinj si edhe vendos si kufi pranimi për anëtarët e rinj të Akademisë moshën 65 vjeç, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë e të kërkimit në përzgjedhjen e kandidatëve.

Gjithashtu, projektligji nuk përfshin më kategorinë e akademikut të përhershëm, duke iu dhënë akademikëve mbi 75 vjeç statusin Emeritus, duke i çliruar ata nga disa detyrime institucionale të pjesëmarrjes në veprimtarinë e Akademisë, çka mundëson krijimin e vendeve të lira për rifreskimin e Akademisë me anëtarë të rinj.

“ Projektligji krijon një hapësirë të re për përfshirjen si anëtarë të jashtëm të gjithkujt, me origjinë shqiptare, që ka një aktivitet të dallueshëm jashtë vendit e sidomos ndaj gjithkujt që ka fituar titullin “akademik” nga një akademi simotër. Projektligji parashikon funksionimin e Akademisë së të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues pranë Akademisë së Shkencave, me synimin për të inkurajuar drejtpërsëdrejti veprimtarinë kërkimore shkencore të kërkuesve të rinj dhe për vendosjen e një ure komunikimi e promovimi me ta.”-theksohet në relacion.

Gjithashtu, synohet krijimi i kushteve ligjore për demokratizimin e funksionimit të Akademisë së Shkencave, duke harrnonizuar vendimmarrjen e organeve ekzekutive më atë të Asamblesë dhe seksioneve, si edhe duke përcaktuar qartë kompetencat, funksionet dhe procedurat vendimmangse. Një tjetër risi është se kufizohen mandatet e drejtuesve të zgjedhur të Akademisë deri në dy, duke krijuar kushtet për ripërtëritjen edhe të drejtuesve të Akademisë. Projektligji synon të ndërtojë një Akademi të Shkencave të hapur drejt komuniteteve të arsimit të lartë dhe atyre kërkimore të vendit. Kjo do të realizohet nëpërmjet ndërtimit të komisioneve, si njësi permanente të Akademisë, në kuadrin e seksioneve, dhe të përbëra, përveç se nga anëtarët e Akademisë, edhe nga profesorë dhe ekspertë të kualifikuar të të gjitha fushave dhe me arritje të spikatura në disiplinat përkatëse. Qendra e gravitetit të veprimtarisë së Akademisë zhvendoset nga Kryesia, drejt Asamblesë, seksioneve e komisioneve. Projektligji përcakton dispozita ligjore për garantimin e integritetit të kërkimit shkencor në Shqipëri, jo vetëm në kuadrin e veprimtarisë së Akademisë së Shkencave dhe anëtarëve të saj, por për të gjithë sistemin e kërkimit shkencor dhe të institucioneve të arsimit të lartë në vend. Kjo realizohet në sinergjinë e këtij projektligji me projektligjin tjetër që po paraqitet për miratim paralel me të, “Kodi i Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”, i cili përmban parimet dhe normat themelore të sjelljes së institucioneve akademike e kërkimore dhe punonjësve akademikë e kërkuesve shkencorë në Republikën e Shqipërisë. Akademia e Shkencavb propozohet të jetë mjedisi institucional ku do të funksionojë Kolegji i Etikës, si instanca më e lartë e shqyrtimit të ankimimeve dhe vendosjes së sanksioneve për shkeljet e integritetit të kërkimit shkencor. Gjithashtu, integriteti i Akademisë dhe i akademikëve garantohet edhe nga përcaktimet ligjore të qarta mbi vlefshmërinë, papajtueshmëritë dhe ndërprerjen e mandateve të akademikëve e drejtuesve të Akademisë. Projektligji krijon kushtet ligjore që funksionimi i Akademisë së Shkencave dhe veprimtaria e saj të hapen dhe sinkronizohen me veprimtarinë e Akademive dhe akademikëve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Një dispozitë e veçante e tij parashikon që personat me shtetësi shqiptare që janë anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të ALLEA-s, fitojnë drejtpërdrejt statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kjo dispozitë do të mundësojë sinergjinë midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtarëve të saj me akademikët shqiptarë në vendet e rajonit dhe në Diasporë, për trajtimin në mënyrë më të institucionalizuar e më të koordinuar të problematikave shkencore mbarëkombëtare.

Projektligji nuk sjell si pasojë rritje të shpenzimeve buxhetore për Akademinë e Shkencave, as për institucione te tjera.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of