Edhe agjencitë e luksit bëjnë pazar. Bëhet fjalë për “Prada”, që ka vendosur t´i japë besim një prej të licencuarve të saj.
Grupi i drejtuar nga Patrizio Bertelli ka vendosur të blejë 4-6% të aksioneve të “Sitoy Group”, kompani prodhuese kineze çantash dhe artikuj lëkure, që po kuotohet në bursën e Hong Kongut.
“Sitoy” realizon për llogari të grupit toskan disa pjesë të çantave prej lëkure. “Prada”, duke dashur të shtojë kapacitetet prodhuese dhe kapitalin, vendosi të listohet në bursën kineze nëpërmjet kësaj kompanie. Shoqëria kineze do të paraqesë një ofertë publike për aksionet deri në nivelin maksimal 139 milionë dollarë (102 milionë euro), duke përfituar kështu nga investitorët rreth 20% të kapitalit. Mes të interesuarve në terma afatmesëm është edhe “Prada”, që ka vendosur të investojë nëpërmjet të licencuarit të saj shumën prej 30 milionë eurosh. Nuk është hera e parë që grupi “Bertelli” ndërmerr nisma të tilla. Këtë lëvizje e patën bërë në vitet e arta të modës, kur blenë 10% të aksioneve të shtëpisë së modës “Gucci” për t´ia shitur më pas shoqërisë “Lvmh”. Por, “Prada” ndërkohë kishte blerë edhe 5% aksione të grupit “De Rigo” që atëherë ishte i kuotuar në bursën e “Wall Street” dhe që i kishte besuar prodhimin e syzeve. Pra, me pak fjalë “Bertelli”, nga njëra anë, ndihmon të licencuarit e tij dhe nga ana tjetër, bën investime të dobishme, duke blerë aksione nga “Sitoy” dhe duke siguruar në këtë mënyrë një raport preferencial me shoqërinë kineze.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.