Kohët e fundit nuk kanë munguar protestat para Kryeministrisë për importimin e plehrave nga Italia. Është hera e parë që një pjesë e publikut shqiptar proteston për një problem të tillë dhe pse plehrat kanë gati 10 vjet që na janë bërë pjesë e ditës. Kazanë të tejmbushur me plehëra e mbeturina nga më të ndryshmet sheh anembanë lagjeve të kryeqytetit. Për t i dhënë fund këtij fenomeni shqetësues për banorët e kryqytetit si dhe për të zgjidhur problemin e përpunimit të mbeturinave, qeveria shqiptare vendosi që të shpallë në tenderin e fundit fituese firmën përpunuese, por dhe importuese të plehrave Albania Beg. Deri këtu gjithë banorët e kryeqytetit ishin dakord, por kushti i vendosur nga vetë firma italiane ishte ne do të pastrojmë plehërat tuaja por do të sjellim dhe disa tonelata në ditë plehëra nga Italia për ti ricikluar. Këtu filluan dhe kundërshtitë jo vetëm nga publiku, por dhe nga firmat e tjera konkuruese për pastrimin e kryeqytetit. Për më shumë informacion rreth historisë së tenderave dhe situatës aktuale të mbetjeve urbane në vendin tonë Monitor i është drejtuar z. Agron Lamko, specialist i përpunimit të mbetjeve pranë Ministrisë së Mjedisit, i cili shpjegon ndër të tjera dhe odisenë tre vje[are të tenderave për përpunimin e ndotjeve urbane. Si paraqitet situata e ndotjeve urbane sot në Shqipëri dhe çfarë masash janë marrë vitet e fundit?Situata aktuale e ndotjes nga plehrat në Shqipëri vazhdon akoma të jetë alarmante. Hedhja e tyre e pakontrolluar e pa kriter kryesisht në brigjet e lumenjve dhe në gropa natyrale ka ndikuar në ndotjen e ujrave sipërfaqësore dhe atyre nëntokësore sikurse në përhapjen e erërave të këqija dhe zënien e sipërfaqeve të mëdha të terreneve. Duke qenë se plehrat hidhen vend e pa vend kudo dhe situata është jashtë kontrollit, ato vetëdigjen duke lëshuar në atmosferë gaze nga më helmueset që nga dioksina, kloroflorokarbonatet, furanet, okside të squfurit, azotit, gazit karbonik etj.Në vitin 1996, qeveria nëpërmjet një financimi nga Komuniteti Europian, në kuadër të Programit Phare, arriti të realizojë planin e veprimit për administrimin e mbetjeve të ngurta urbane për gjashtë qytetet kryesore të Shqipërisë. Në këtë studim u paraqitën metodat e përpunimit të plehrave, kostot e tyre të investimit, zhdëmtimi për ton\mbetje, teknologjitë dhe të gjithë treguesit e tjerë të domosdoshëm. Pas miratimit të këtij studimi, qeveria shpalli si prioritet trajtimin e mbetjeve urbane në Shqipëri. Në vitin 1998 me nxitjen e investitorëve të interesuar për trajtimin e mbetjeve urbane të Qarkut Tiranë dhe Durrës, u hap për herë të parë konkurrimi i ofertave të pakërkuara, ku morën pjesë disa firma të huaja me teknologji dhe kosto të ndryshme. Nga ky konkurrim u përjashtua firma Progetto Europa, që kishte kosto më të ulët zhdëmtimi për ton/mbetje dhe teknologji tepër të përparuar, që kapte një vlerë investimi prej 60 milion euro. Ky veprim i qëllimshëm sigurisht ishte një spekulim, pasi nuk mund të përjashtosh asnjë firmë nga konkurrimi kur i ka dokumentet të protokolluara dhe të plotësuara konform kërkesave që ka një tender i tillë. Kështu firma Fip s.r.l. fitoi në atë vit konkurrimin e ofertave të pakërkuara, por megjithatë Këshilli i Ministrave që është dhe autoriteti që miraton përfundimisht marrëveshjen koncesionare për trajtimin e mbetjeve, nuk e miratoi këtë marrëveshje. Në vitin 2002 rihapet përsëri konkurrimi i ofertave të pakërkuara ku Fip S.r.l. merr përsëri pjesë së bashku me disa firma të tjera si dhe 2K Grupi etj. Dhe kësaj here firma Progetto Europa s.r.l. dhe pse kishte kosto më të ulët për përpunimin e plehrave, përjashtohet nga ky konkurrim pa u vënë në dijeni të të interesuarit. Në këtë konkurrim 2K Group hyn me 0.5 USD më pak për ton sesa shoqëria Fip s.r.l. domethënë me 29. 5 dollarë\ton zhdëmtim, me një teknologji përpunimi të groposjes së kontrolluar (landfill). Kjo, sikurse dhe herën e parë, ishte një lojë e parapërgatitur nga ana e qeveritarëve për të dhënë koncesionin firmes 2K Group, që fiton në këtë rast garën. Megjithatë, edhe pse komisioni i vlerësimit të ofertave miratoi 2K Group si firmë fituese, Këshilli i Ministrave nuk ia miraton marrëveshjen koncesionare. Kështu që qeveria në vitin 2002 e rihap për herë të tretë konkurrimin e ofertave të pakërkuara ku morën pjesë disa firma. Megjithatë, sikurse dhe herët e tjera, loja vazhdon duke futur në konkurrim në mënyrë të paligjshme dhe të parapërgatitur, një firmë tjetër italiane me import plehrash nga Italia, jashtë çdo konkurrence të drejtë. Nëse do të kishte një konkurrim me importe plehrash, atëherë duhej të ishte ndryshuar Ligji Për administrimin e mbetjeve të ngurta, që nuk lejonte importin e tyre as për ruajtje, as për depozitim dhe as për asgjësim me qëllim që të merrnin pjesë dhe firma të tjera të këtij lloji. Ekonomikisht dhe artificialisht, u realizua një konkurrim i padrejtë, pasi ka tjetër marzh fitimi një firmë që importon plehrat nga një vend në tjetrin, në raport me një firmë që është thjesht përpunuese e plehrave në vend. Firmat imortuese të plehrave subvencionohen e paguhen nga shteti italin 100 dollarë për ton\mbetje import, pa llogaritur fitimin që marin nga shitja e energjisë së prodhuar. Pra, kjo firmë ka hyrë e parapërgatitur për të fituar garën dhe firmat e tjera ishin vetëm si numër ofertash për të sajuar këtë konkurrim. Dhe ajo që pritej, ndodhi. Qeveria shpall fituese firmën Albania Beg me import plehrash të përpunuara (të thara) në lëndë djegëse me fuqi kalorifike deri në 3500 kkal\kg. Ku konsiston ky import plehrash dhe cilat janë pasojat ambientale për mjedisin e Shqipërisë? Firma Albania Beg kërkon të ndërtojë një inçenenintor me kapacitet prej 1600 T\ditë material të përpunuar nga mbetjet urbane të vendit rreth 200 tonë dhe 1400 tonë në ditë lëndë djegëse me orgjinë nga plehrat e përpunuara në Itali, që përmbajnë në vetvete rreth 60% plastik, ndërsa lëndët e tjera janë tekstil, dru dhe lëndë të tjera djegëse. Sasia e tyre, duke i parë në raport me sasinë e plehrave shqiptare të përpunuara, i bie të jetë 7 herë më shumë se mbetjet urbane të përpunuara të Qarkut Tiranë dhe Durrës së bashku. Çfarëdo teknologji e zbatuar është e detyruar të respektojë kriteret e vendosura dhe normat e lejuara të parametrave të shkarkimeve në Shqipëri. Në këtë rast, bëhet fjalë për shkeljen e ligjit dhe së dyti, në një shtet institucionalisht të dobët, është e pamundur të kontrollosh 1400 tonë\ditë mbetje importi, kur dihet që mafia e trafikut të mbetjeve të rrezikshme mund të shfrytëzojë rastin për importin e tyre. Nga ana tjetër, një firmë që merr koncesionin nëpërmjet pazareve korruptive, nuk mund të respektojë normat e shkarkimeve, pasi ajo do të abuzojë dhe me gadishmërinë e impianteve të pastrimit të gazeve dhe të ujrave të ndotur. Zonat e zhvilluara të Italisë së Veriut duan të djegin apo të depozitojnë mbetjet e tyre në Italinë e jugut, por kanë hasur në kundërshtimet e vendosura të komunitetit të këtyre zonave. Ndërkohë, Qeveria e Italisë, nisur nga kapacitetet e pakta mbajtëse të zonave turistike të veriut, paguan subvencione si shtet për t i kaluar plehrat e veta drejt vendeve të tjera të pazhvilluara me qeverisje të dobët dhe korruptive.Shqipëria është një vend i vogël ekoturistik, bujqësor e blegtoral, me një peisazh dhe ekosisteme të mrekullueshme. Duke qenë të ndërgjegjshëm që kemi dëmtuar mjaft burimet natyrore, zonat urbane dhe ekosistemet bregdetare si mund të pranojmë djegien apo groposjen e mbetjeve të Europës. Po të vësh re që vetëm për Tiranën e Durrësin, qeveria mendon të importojë 1400 tonë\ditë lëndë djegëse nga përpunimi i plehrave, sa plehra të tjera do të importohen për llogari të qyteteve të tjera? Atëhere, sipas një llogarie të thjeshtë i bie që për Shqipërinë të vijnë dhe 3 mijë tonë\ditë plehra e mbetje të tjera për t u djegur dhe toka shqiptare të kthehet në shkretëtirë pa njerëz. Kjo do të thotë që gjithë vlerat natyrore dhe gjithë ai ekoturizëm që pretendojmë se e kemi, të ketë marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe brezat e ardhshëm të trashëgojnë sëmundje e tokë të shkretë. Cili është qyteti që rezulton me ndotje më të madhe të ajrit në Shqipëri?Qyteti më i ndotur në Shqipëri është Tirana, i cili arrin nivele katastrofike 7 herë më shumë se niveli i lejuar i parametrave në Europë. Problemet më të mëdha të ajrit shkaktohen më shumë nga importet e karburanteve jo cilësore, nga stimulimi i importit të makinave të vjetra që taksohen më pak se makinat e reja dhe nga ndërtimet pa projekte zonale dhe vlerësime mjedisore. Një problem për ndotjen e mjedisit janë dhe ndërtimet jashtë çdo kriteri urbanistik. Një problem thelbësor është që qytetet tona nuk mund të vazhdojnë me ndërtime me projekte individuale, por me projektpropozime zonale, ku parashikohen të gjitha rregullat dhe kushtet urbane, duke marrë parasysh dhe vlerësimin e elementeve të mjedisit. Tjetër aspekt për minimizimin e ndotjes është dhe rritja e nivelit të shërbimeve publike dhe kërkesat për zbatimin e ligjeve. Aktualisht, kush e bën pastrimin e kryeqytetit dhe si po administrohen mbetjet urbane në vend?Plehrat në Tiranë i pastrojnë dy firma private, një shqiptare dhe një italiane. Këto dy firma mbulojnë dy zona, njëra firmë mbulon zonën nga bulevardi kryesor në kinostudio dhe tjetra nga bulevardi në Kombinat. Ndërkohë që është dhe një ndërmarrje shtetërore ajo e Kuartallave që varet nga Bashkia, duke mbuluar zonat ndërmjet pallateve dhe periferinë e Tiranës. Gjithashtu, është dhe Ndërmarrja e Gjelbërimit pranë Bashkisë së Tiranës që mbulon zonat e gjelbra dhe parqet publike.Ku konsiston mungesa e transparencës dhe e konventave ndërkombëtare në rastin e importit të mbetjeve urbane?Qeveria shqiptare duhet të respektojë Konventën e Arhusit për pjesëmarrjen e komunitetit në vendimmarrje dhe atë të Bazelit për importin e mbetjeve që i ka nënshkruar dhe vetë. Në këtë marrëveshje është e shkruar qartë që, nuk lejohet importi i mbetjeve nga një vend i zhvilluar në vende të pazhvilluara, pasi këto të fundit nuk kanë mundësi institucionale të respektimit të ligjeve dhe teknologji efikase për trajtimin e mbetjeve. Për ju si specialist, cila është mënyra më e mirë për trajtimin e plehrave në vendin tonë? Ka disa mënyra për përpunimin e plehrave. Metoda më e vjetër është groposja e pakontrolluar, hidhen plehrat në gropa natyrale dhe mbulohen me dhe. Metodë tjetër më e avancuar është ajo e gropave të kontrollura, të cilat janë me sistem derazhimi të ujrave dhe me sistem derazhimi të gazit metan, që formohet nga dekompozimi anaerobik i lëndëve të dekompozueshme organike. Në këtë rast, gazi metan është në sasi të pranueshme, shfrytëzohet për djegie dhe prodhim energjie. Kur ka sasi të pranueshme për djegie, shfrytëzohet dhe për prodhim energjie. Plehrat në vetvete kanë lëndë të parë që nëpërmjet riciklimit të tyre kursejnë burime natyrore dhe energjetike. Detyrimisht, duhen ndjekur metodat e përpunimit me fraksionim dhe riciklim të materialeve të dobishme si plastika, hekuri, metalet me ngjyra, sikurse dhe lënda organike që mund të përpunohet në pleh ose në lëndë energjetike. Lënda organike te plehrat tona është e pastër, pasi ne nuk kemi industri ndotëse dhe plehu organik i prodhuar është i pastër.Sa është kostoja e përpunimit të një ton mbetje urbane në Shqipëri?Kostoja e trajtimit të mbetjeve për një ton plehra të trajtuar që kërkohet nga investitorët e interesuar për të investuar, shkon nga 20-40 Euro për ton. Metodat e groposjes kanë kosto më të ulët për ton mbetje dhe megjithatë kjo varet nga investitori sesa e llogarit ai fitimin e vet dhe sa do e vlerësojë ai koston e përpunimit të plehrave. Gjithsesi, kur në konkurrim ka firma shqiptare që mund t i përpunojnë plehrat me 20 Euro për ton dhe me një teknologji shumë të mirë, nuk ka pse një firmë e huaj të jetë prioritare. Në fund të fundit, e gjithë kosto e përpunimit të plehrave i faturohet taksapaguesit shqiptar. Kështu, janë këta të fundit ata që duhet të vendosin për nivelin e taksës që do të paguajnë. Nuk mund të luajnë e të vendosin si duan qeveritarët tanë me taksat e qytetarëve. Prandaj dhe Konventa e Arhusit përcakton qartë komunitetin si pjesëmarrës në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me shëndetin dhe interesat e tij.Çfarë presupozon marrëveshja e qeverisë italiane me atë shqiptare për të marrë kredinë prej 6 miliard euro dhe grantin prej 400 mijë eku?Marrëveshja e qeverisë shqiptare me atë italiane e nënshkruar tashmë për kredinë prej 6 milion euro me interes prej 0,12% në vit dhe 400 mijë euro grant, bëhet për të përmirësuar gjendjen e depozitimit të plehrave në Sharrë nëpërmjet projektimit dhe zbatimit të një ˜landfill-i me afat kohor shfrytëzimi prej 5-6 vjetësh deri sa Qeveria e Shqipërisë të realizojë një zgjidhje afatgjatë të trajtimit të mbetjeve urbane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.