Eksperti Zef Preçi thotë se oferta monetare e parave me origjine kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi. Ai thotë se, vendet e Ballkanit Perëndimor do te duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare. Në komentin e tij, z. Preçi, flet për procesin e de-euroizimit dhe mbron idenë e një strategjie për përdorimin e euros si monedhë kombëtare, ide të cilën ai e dha disa kohë më parë.
Kam tentuar ta shoh procesin e de-euroizimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria Shqiptare si një tentativë që e komplikon më tej situatën e ekonomisë sonë kombëtare. E kjo po ndodh kur de-euroizimi shihet si rruga përmes të cilës qeveria “do të rregulloje punët e saj” (ulja e kostos se borxhit publik) apo vetë Bankës së Shqipërisë (krijimi i mundësive që politika monetare e saj të transmetohet në bankat tregtare dhe të sjellë efekte pozitive në kreditimin e ekonomisë reale) apo të dyja bashke të zgjidhin “hallet” që i kanë zënë.
Në fakt, me keqardhje konstatoj se për një numër arsyesh, debati rreth kësaj teme erdhi duke u zbehur, ndonëse zhvillimet e gjysmës së parë të 2018-s, sidomos sa i takon mbiçmimit të Lekut Shqiptar, po provojnë se oferta monetare e parave me origjinë kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi.
Deri më tani, si evidence në funksion të këtij argumenti, përveç “avullimit” të rreth 350 milionë Eurove nga kursimet e popullatës, janë shfaqur edhe pasojat në përkeqësimin e situatës së kompanive që eksportojnë mallra shqiptare jashtë vendit.
Gjithashtu, edhe “rigjallërimi” i pajustifikuar i tregut të pasurive të patundshme, kryesisht nëpërmjet transaksioneve në cash dhe pa ndonjë lidhje me zhvillimet në kërkesë-ofertën e këtij tregu, është rrjedhojë e kësaj situate?
Në këndvështrimin pozitiv duhet të përmendim uljen me disa dhjetëra miliona Euro të kostos së borxhit publik, përfitim ky i përkohshëm dhe që duket se do të “hidhet në erë” shumë shpejt me kanalizimin e investimeve private në infrastrukturën publike nëpërmjet të ashtuquajturit “Programi 1 Miliarde Euro”. Unë nuk po përsëris këtu rekomandimin e qartë publik të FMN dhe të diplomacisë Amerikane drejtuar qeverise shqiptare për pezullimin dhe heqjen dorë nga ky program, edhe pse besoj se qeveria shqiptare dhe bankat janë nën një presion të madh për krijimin e mundësive Ligjore për futjen në qarkullim ekonomik të parave me origjinë të dyshimtë – kryesisht parave të drogës. Sa u takon bankave, e konsideroj pozitive që bankat tregtare janë pozicionuar zyrtarisht (të paktën) se nuk janë në favor të një programi të tillë…
Ndërkaq, duke u kthyer te tema e përdorimit të euros si monedhë kombëtare: Rumania, Bullgaria dhe Kroacia kanë marrë miratimin përkatës të Eurozonës për t’u bashkuar në zonën Euro jo thjesht se janë vende anëtare të BE-se, as se kanë përmbushur plotësisht kushtet e nevojshme për të zëvendësuar monedhat e tyre kombëtare me Euron. Por se ato kanë kuptuar në këtë mënyrë do të mund të përfitojnë më shumë nga fondet e rëndësishme të zhvillimit të ofruara nga BE- ku bëjnë pjesë… Ekspertet theksojnë edhe faktin se përvoja e Greqisë tregoi se çfarë mund të ndodhë kur politika monetare e pavarur nuk funksiononte më… E për analogji, tashmë njihet publikisht se sa të pavarura janë institucionet rregullatore duke përfshirë edhe entin rregullator bankar ndaj ekzekutivit Shqiptar.
Sipas mendimit tim, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare (përveç Malit të Zi dhe Kosovës që tashmë e kanë hedhur këtë hap), ta përfshijnë atë në idetë e ofruara konverguese të procesit të anëtarësimit ne BE të mundësuara nga Procesi i Berlinit (që mund të mbështesë edhe përgatitjen e kësaj strategjie) dhe t’i japin mbështetje politike këtij procesi shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin.
Kjo do t’i shërbejë si ndërtimit të një zone ekonomike të rajonit, por edhe përshpejtimit të procesit të integrimit Europian te vendeve të Ballkanit Perëndimor jo thjesht duke konkurruar individualisht, por duke zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin ndër-ballkanik, e sidomos bashkëpunimin ekonomik, tregtar e monetar ndër-shqiptar, si pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.