Klubet e Premier League do të votojnë për të mbyllur merkaton në ditët e para të gushtit, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, duke bllokuar transferimet në fillim të kampionatit deri në janar.
Presidentët e klubeve do të mblidhen më 7 shtator, për të votuar, ndër të tjera, në favor të kësaj lëvizjeje. Që kjo formulë të miratohet, kërkohen dy të tretat e votave.
Ndryshimi do të hyjë në fuqi para fillimit të sezonit 2018-19. Mundësitë e transferimeve në janar nuk do të ndikohen.
Shumë presidentë dhe drejtues klubesh mendojnë se paqartësia e shkaktuar nga merkato ende e hapur për tre javët e para të sezonit mund t’u sjellë probleme skuadrave dhe planifikimeve.
Megjithatë do të ishte e nevojshme t’u jepej mundësia lojtarëve që të shiteshin, siç kërkohet edhe nga rregullorja e transferimeve të FIFA-s.
Ekziston po ashtu shqetësimi se një merkato më e shkurtër mund t’i vërë klubet më të mira në një dizavantazh konkurrues krahasuar me rivalët.
Sinjalet që vijnë nga klubet e mëdha, ndër to edhe Manchester United, janë pro këtij ndryshimi, ndërsa klubet e vogla do të tentojnë të bien dakord. Siç e thamë, që kjo formulë të miratohet, duhen 15 vota nga 20.
Rregullorja aktuale u paraqit në vitet 2002-2003 si pjesë e një kompromisi mes FIFA-s dhe Komisionit Europian, por këto rregulla mund të mos zbatohen më në Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit.
Natyrisht, agjentët e lojtarëve janë kundër këtij ndryshimi. Ata pretendojnë se çmimet mund të rriten pasi klubet do të gjendeshin në presion deri sa marrëveshja të arrihet në afat.
Çështja mbetet e hapur. Shkurtimi i afateve sigurisht do të ketë pasoja ekonomike, por nuk ka dyshime se si në nivel sportiv, si në atë mediatik, një zgjidhje e tillë duhet të shihet në mënyrë pozitive.