Ligji i Bankës së Shqipërisë parashikon që emri i guvernatorit të vijë nga një prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës (që zgjidhen nga kryeministri, kuvendi dhe vetë Këshilli), ndërkohë që presidenti Bujar Nishani hap procedurën e tij paralele për zgjedhjen e guvernatorit jashtë Këshillit. Si e interpeton komentari nenin 44 për zgjedhjen e guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës: ..
Procedurat paralele
Pak ditë më parë ishte kryeministri Edi Rama , që ftoi shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikqyrës, të postojnë letrën e tyre të interesit, me afat 30 shtator. Dje, kryeministri ka shkruar në rrjetin social Facebook se deri tani 32 aplikantë I janë përgjigjur thirrjes për të aplikuar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ligji i Bankës së Shqipërisë parashikon që emri i guvernatorit të vijë nga një prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës (që zgjidhen nga kryeministri, kuvendi dhe vetë Këshilli), ndërkohë që presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se nuk përcaktohet një kriter i tillë dhe emri që ai do të propozojë si guvernator nuk është e thënë të vijë nga brenda Këshillit Mbikëqyrës. Ky paralajmërim duket se po bëhet realitet me hapjen e procedurës paralele për aplikimin për guvernator jashtë nga aplikimet për këshillin Mbikëqyrës, duke rrezikuar krijimin e konfliktit të radhës mes presidencës e qeverisë.
Neni 44 dhe komentari shpjegues i tij
Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, si më poshtë:
• Guvernatori i Bankës së Shqipërisë – kryetar i Këshillit Mbikëqyrës;
• zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë – zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës;
• zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë;
• gjashtë anëtarë.
Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:
pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi;
tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;
një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në
propozimin e bërë nga guvernatori.
Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë:
arsimin e lartë ekonomik ose juridik;
përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;
kualifikime profesionale të profilit;
përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare;
të mos kenë pengesa të parashikura në nenin 47.
Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendës guvernatorët është shtatë vjet, duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatëvjeçare. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori dhe zëvendës guvernatorët mund të rizgjidhen, përveçse kur shkarkohen sipas rasteve të parashikuara në nenin 47 të këtij ligji.
Komentari i Nenit 44 :
Në dy pikat e para të këtij neni ligjvënësi ka përcaktuar numrin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, drejtimin e tij si dhe organet që propozojnë dhe emërojnë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Kështu, kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës propozohen nga institucione të ndryshme, por të nëntë anëtarët miratohen nga Kuvendi. Kjo gjë synon (a) vendosjen e raporteve të drejtpërdrejta të Bankës së Shqipërisë me Kuvendin; (b) mundësia e tërheqjes në një shkallë sa më të gjerë të ekspertëve dhe specialistëve, akademikë ose jo, në pozicionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës; (c) pavarësia dhe garantimi i saj nga ekzekutivi.
Duhet patur parasysh se në bazë të nenit 161 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përcaktohet se “Banka e Shqipërisë drejtohet nga një Këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje”. Pra, siç shihet, Kushtetuta ka ndryshuar mënyrën e propozimit dhe të emërimit të Guvernatorit. Një ndryshim i tillë kushtetues është reflektuar edhe në amendamentet e bëra së fundi ligjit ekzistues të Bankës së Shqipërisë.
Në pikën 3 të këtij neni, ligjvënësi ka rradhitur një sërë kriteresh që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Pra, që një kandidat të mund të zgjidhet anëtar i Këshillit Mbikëqyrës duhet të përmbushë secilin prej këtyre kritereve pa përjashtim dhe njëkohësisht ndaj tij të mos vërtetohet qoftë edhe njëri nga rastet e parashikuara në nenin 47.
Pika 4 e këtij neni na jep kohëzgjatjen e qëndrimit në detyrë të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, kohëzgjatje e cila parashikohet 7 vjet nga data e emërimit. Ligjvënësi këtu ka dhënë një orientim që konsiston në një shpërndarje të ndryshme kohore të datave të mbarimit të afatit 7 – vjeçar të secilit anëtar, çka nënkupton që të synohet që emërimet e të gjithë anëtarëve të mos jenë në të njëjtën datë, por të jenë të shtrira në kohë. Arsyeja pse ligjvënësi ka dhënë këtë orientim (që në fakt nuk përbën një dispozitë urdhëruese) mund të thuhet, qëndron në faktin që nëpërmjet tij synohet të transmetohen përvojat dhe politikat, që Banka e Shqipërisë ka përshtatur nën drejtimin e Këshillit Mbikëqyrës paraardhës tek anëtarët e rinj të tij. Në këtë mënyrë do të mund të zbuten efektet potenciale që shkakton zëvendësimi i mundshëm i të gjithë anëtarëve të vjetër të Këshillit Mbikëqyrës me anëtarë të rinj. Duhet nënvizuar fakti se ligji i njeh të drejtën anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës që ai të rizgjidhet. Përsa ligjvënësi nuk ka përcaktuar një kufi të numrit të herëve që një anëtar mund të rizgjidhet, atëherë e drejta e rizgjedhjes mund të ushtrohet pa kufizim, mjafton që anëtari të mos ketë pengesa të parashikuara në nenin 46 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”
(Burimi: Komentari i ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “PËR BANKËN E SHQIPËRISË” dhe amendamentet e bëra atij/Banka e Shqipërisë)/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.