Socialdemokratët në pushtet në Rumani njoftuan rishikimin e taksave për vitin 2018, duke hequr dorë nga një taksë të sheshtë prej 16% mbi të ardhurat dhe fitimin, e cila rezultoi mjaft e suksesshme në tërheqjen e investitorëve në ekonominë që po rritet me ritmet më të shpejta, por njëkohësisht më pak të zhvilluar të Bashkimit Europian.
Tregjet reaguan keq, sepse si aksionet, edhe monedha vendase Lei, shënuan rënie. Presidenti i qendrës, Klaus Iohannis, i kritikoi ashpër masat e marra.
Parlamenti i dha qeverisë së Kryeministrit, Mihai Tudose, votëbesim ditët e fundit. Tudose zëvendëson Sorin Grindeanu, i cili u rrëzua nga socialdemokratët në pushtet (PSD) dhe partneri i vogël i koalicionit ALDE-ja, si pasojë e dështimit në moszbatimin e programit qeverisës, i cili ishte pikërisht ai që i ndihmoi në fitoren e arritur në zgjedhjet e dhjetorit.
Kritikët u shprehën se i vënë përballë disa prej figurave kryesore politike të qeverisë, të cilat u akuzuan për marrje ryshfeti, Grindeanu u rrëzua nga detyra pikërisht sepse nuk arriti të bënte aq sa duhet për të hedhur poshtë legjislacionin antikorrupsion. Rumania është një prej shteteve që po rrënohet nga burokracia dhe korrupsioni.
Ndryshimet tatimore – të përfshira në një program qeverisjeje të rishikuar dhe në një plan për heqjen e një shtylle të detyrueshme pensionale private, e cila më vonë u tërhoq – shkaktuan rënie të monedhës vendase, si dhe rënie të tregut të aksioneve të Bukureshtit me pothuajse 3.6%. “Ne kemi bërë koalicionin me një qeveri të re dhe çuditërisht me një program të ri qeverisës”, u shpreh Iohannis në ceremoninë e betimit.
“Një sjellje e tillë sigurisht që nuk është pjesë e parashikimit fiskal-buxhetor dhe sigurisht shkakton dyshime në mjedisin e biznesit.
Presidenti i vendit mund të pengojë ndryshimet, por në një masë të kufizuar.
Ai është bërë një kundërpeshë ndaj përpjekjeve të koalicionit në fillim të këtij viti për të dobësuar legjislacionin antikorrupsion.
Kreu i partisë PSD, Liviu Dragnea, tha se programi i taksave ishte rishikuar në mënyrë të tillë që të kompensoheshin vonesat. Ish-ministri i Financave, Darius Valçov, i cili është aktualisht në proces gjyqësor me akuzën për marrje ryshfeti, është një nga autorët e tij.
“Nuk kam asnjë objektiv tjetër përveçse zbatimit në mënyrën e duhur të programit qeverisës të rikuperimit nga vonesat e shkaktuara”. “Nëse duam që premtimet e fushatës të bëhen realitet, duhet ta harrojmë gjendjen e normalitetit”, u shpreh Tudose përpara ligjvënësve.
Planet e lirshme fiskale kanë shqetësuar Komisionin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar lidhur me objektivat e munguara të buxhetit. Komisioni pret që Rumania të menaxhojë deficitet më të mëdha të BE-së, si këtë vit, edhe vitin e ardhshëm.
Investitorët rumunë dhe ata të huaj i kanë kërkuar vazhdimisht PSD-së të sigurojë politika të parashikueshme fiskale.
“Masat e propozuara kanë ndikim të madh në ekonominë rumune dhe nuk mund të bëhen pa konsultime publike dhe një vlerësim të ndikimit”, tha Koalicioni për Zhvillimin e Rumanisë, në të cilin bëjnë pjesë shoqatat e investitorëve.
Natyra e ndryshimeve të propozuara tatimore mund të ndikojë tek investimet në shkallë të gjerë dhe të rrezikojë ciklin pozitiv të rritjes së ekonomisë rumune.
Pensionet private, në fokus
Planet e programit zëvendësojnë taksën e korporatës prej 16% mbi fitimin me një taksë progresive prej 1-3% të xhiros. Tatimi mbi të ardhurat do të ulet në 10%.
Kontributet e sigurimeve shoqërore do të ulen me 4.25 pikë përqindjeje në 35% dhe do të paguhen vetëm nga punëtorët, jo nga punëdhënësit e tyre.
Një taksë e dividentit do të hiqet, por shkurtimi me një pikë përqindje mbi Tatimin në Vlerën e Shtuar do të shtyhet deri në vitin 2019. Një taksë e re solidariteti mund të vendoset mbi njerëzit që fitojnë më shumë se 14,500 lei (3,617 dollarë amerikanë) në muaj, tha ministri i Financave, Ionut Misa, duke theksuar se të gjitha të dhënat ishin paraprake.
Në një kthesë të re, z. Misa tha se kabineti planifikonte të hiqte një shtyllë të detyrueshme të pensioneve private, që u prezantua në vitin 2008, për të plotësuar një sistem të epokës komuniste. Rreth 7 milionë rumunë kontribuojnë në fondet e detyrueshme të pensioneve private, asetet e të cilave kanë një vlerë afërsisht në 35.1 miliardë lei (8.78 miliardë dollarë amerikanë).
Hungaria dhe Polonia kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, të cilët kanë shkaktuar shqetësime tek investitorët, si dhe kanë ndikuar në tregjet vendase për vite me radhë.
Partia PSD e kishte mohuar planifikimin e heqjes së shtyllës së detyrueshme të sistemit të pensioneve private. Këtë mohim e konfirmuan edhe kreu i PSD-së, Dragnea dhe Kryeministri Tudose, të cilët kundërshtuan ministrin Misa dhe mohuan ekzistencën e planeve të tilla. Shoqata e Pensioneve private rumune e mirëpriti mohimin.