Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u bëri thirrje krerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të marrin në konsideratë idenë e krijimit të një zone të vetme ekonomike në rajon.
Vuçiç vuri në dukje se Beogradi është i etur të vazhdojë të flasë për idenë e krijimit të një zone të vetme ekonomike dhe nuk ka rëndësi nëse ajo i takon Serbisë, Bosnjës apo Shqipërisë.
Ai tha më tej se duhet t’i shpjegonte sa më mirë popullit të tij kuptimin e krijimit të një zone të vetme ekonomike, sepse zakonisht për shumicën prej tyre, kjo gjë tingëllon e pakuptimtë.
“Unë do t’u kërkoj miqve dhe kolegëve në rajon që ta marrin vazhdimisht në konsideratë këtë ide, megjithëse e di se idetë e reja gjithmonë do të priten me skepticizëm”, u shpreh Vuçiç në takimin me Komisionerin e BE-së për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit me Johannes Hahn.
Firmat ruse janë të interesuara në krijimin e zonave të posaçme ekonomike në Serbi. Nëse do të mund të formonim një treg të vetëm, të stabilizojmë masat tona mbështetëse dhe taksat tona, do të fitonim një treg të vetëm dhe një zonë të vetme ekonomike, ulje të shpenzimeve për transportin e mallrave nga një territor në tjetrin, si dhe për transferimin e kapitalit apo të njerëzve, shtoi Vuçiç, duke theksuar se kjo do të ndikonte edhe në rritjen e interesit të investitorëve në rajon.
Nga ana tjetër, Hahn tha se e konsideronte nismën si përgatitje të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Presidenti Vuçiç, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të prillit dhe mori detyrën më 31 maj, dëshiron që Serbia të jetë sa më parë pjesë e BE-së, por është duke ruajtur gjithashtu marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Gjatë takimit, z. Hahn e njoftoi ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, se dy kapituj të rinj të pranimit pritet të hapen në qershor të këtij viti. Tetë nga 35 kapitujt në lidhje me bisedimet mbi pranimin e Serbisë në bllok janë hapur deri më tani.