Presidenti i Serbisë u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre dhe të krijojnë një treg të përbashkët për të tërhequr sa më shumë investime të huaja. Konflikti i armatosur në Ballkan përfundoi më shumë se 18 vjet më parë, por pesë nga shtetet që u krijuan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia ende i kanë të pazgjidhura mosmarrëveshjet kufitare me njëra-tjetrën.
Të pesta, së bashku me Shqipërinë, shpresojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, i cili u ka bërë thirrje atyre të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë me njëra-tjetrën përpara se të jenë pjesë e këtij bashkimi, por pak progres është bërë në këtë drejtim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha në një panair biznesi në qytetin boshnjak të Mostarit, se të gjashta vendet kanë nevojë të punojnë më pranë me njëra-tjetrën për të krijuar një klimë më të mirë investimi.
Të ndarë në shtete të vogla dhe tregje edhe më të vogla, ne nuk do të kemi asgjë në vijë dhe madje as se për çfarë të shpresojmë. Mundësia jonë e vetme për të ecur me të njëjtin hap si dhe pjesa tjetër e botës është krijimi i një tregu më të madh në të ardhmen, tha z. Vuçiç. Ai tha më tej se bashkëpunimi ekonomik mund të ndihmojë në vendosjen e stabilitetit dhe paqes në rajon, ku tensionet e vazhdueshme etnike ende janë faktor bllokues i progresit ekonomik.
“Një treg i tillë mund të tërheqë më shumë investitorë, të hapë projekte më të mëdha, të krijojë vende pune dhe të nxisë rritjen dhe zhvillimin”, tha Vuçiç. Për të krijuar tregun, të gjashtë vendet duhet të heqin pengesat në transportin e mallrave dhe të njerëzve, të harmonizojnë taksat dhe të shfuqizojnë taksat fiskale. Ndërmarrja e masave të tilla, mund të tërheqë deri në 15 miliardë euro investime në vitet e ardhshme, më shumë se trefishin e vlerës së tyre aktuale, tha ai më tej.
Për bizneset tona, kjo është një lëvizje e rëndësishme, madje më me rëndësi se për politikanët tanë, duke përmendur se kostot operative për kompanitë, kamionët e të cilave presin mbi 30 orë për të kaluar kufijtë, janë rritur me 7%. Por për të krijuar një treg të përbashkët, Beogradit do t’i duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura që ka me Kosovën, ndër të tjera. Në këtë drejtim, progresi ka qenë i paktë, pavarësisht ndërhyrjeve dhe thirrjeve të vazhdueshme të BE-së, Beogradi ende refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ideja e krijimit të një tregu të përbashkët ka shkaktuar krijimin e një situate të paqartë në rajon, sepse disa nga vendet kanë frikë se do të mbizotërojnë Serbia.
“Krijimi i një tregu të përbashkët do të thoshte shumë në drejtim të rritjes dhe forcimit të lidhjeve ekonomike. Për biznesmenët është më e lehtë t’i heqin këto barriera, në krahasim me politikanët”, tha Pane Skrbic, anëtar i Shoqatës Europiane të Menaxherëve. / Reuters