Përmes zgjedhjes së femrave të reja në krye të këtyre institucioneve, qeveria synon të përmirësojë imazhin që kanë doganat e tatimet tek biznesi…
Ministri i financave ka prezantuar sot drejtueset e reja të tatimeve e doganave, dy prej institucioneve kyç, nga ecuria e të cilave do të varen dhe shumë plane të qeverisë për një sërë premtimesh lidhur me reformën e taksave, që u morën në fushatën elektorale.
Në postin e drejtoreshës së përgjithshme të tatimeve u prezantua Briseida Shehaj, e datëlindjes 1984, e cila vjen pas një përvoje në sektorin bankar dhe një emër i panjohur më parë në sferën politike, që ka ardhur si surprizë për shumë kënd si për shkak të përvojës në fushën e tatimeve ashtu dhe të moshës së re.
Ajo po vjen në krye të tatimeve në një kohë që të ardhurat buxhetore kanë shënuar ecurinë më negative që nga viti 1997, siç deklaroi ministri i financave Shkëlqim Cani në një konferencë për shtyp pak ditë më parë. Për tetëmujorin të ardhurat kanë rënë me 3.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që financat tashmë janë të detyruar të rrisin kufirin e borxhit me 24 miliardë lekë.
Ministri i financave, Shkëlqim Cani, gjatë prezantimit të Shehajt ditën e sotme, tha se duhet realizuar objektivi sepse situata nuk është pozitive. Ai e vuri theksin në nevojën për të ndryshuar mentalitetin dhe metodën e punës, me synim ndryshimin e imazhit që kanë bizneset ndaj tatimeve. “Të jeni dhe të sjellshëm por dhe të zbatohet ligji në mënyrë rigoroze”, tha Cani, duke e vënë theksin në domosdoshmërinë e përmirësimit të shërbimit ndaj tatimpaguesve.
Të njëjtën linjë ai ka mbajtur dhe në prezantimin drejtoreshës së doganave, Elisa Spiropali, e datëlindjes 1983, një figurë kjo e njohur në Partinë Socialiste, pasi ka mbajtur postin e drejtueses së FRESH.
Një tjetër femër e re e prezantuar sot është, Drejtoresha e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit Luneda Sufali.
Gjatë prezantimeve, Ministri Cani ka theksuar se drejtueset e reja do të kenë mbështetjen e tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.