Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj prezantoi publikimin e “Analizës së Tri Politikave Prioritare mbi Zhvillimin e Tregtisë dhe Burimeve Njerëzore”. Analizat ofrojnë informata mbi politika të përzgjedhura të zhvillimit të tregtisë dhe burimeve njerëzore të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës. Situata aktuale e eksportit në Kosovë dhe deficiti i lartë tregtar pasqyrojnë nivel të ulët të konkurrencës në tregun e brendshëm dhe mungesë të shumëllojshmërisë. Kjo situatë, sipas analizave të bëra, është rrjedhojë e pengesave të ndryshme me të cilat përballet sektori eksportues në Kosovë që nga viti 2000. Për nga natyra, këto pengesa janë vendore, kryesisht institucionale, si dhe pengesa që në mënyrë specifike lidhen me transaksionet ndërkombëtare, çështjet ekonomike dhe politike. Përveç kësaj, ekzistojnë kufizime specifike të kompanive të veçanta, në kuptim të teknologjisë dhe burimeve njerëzore, të cilat në mënyrë të njëjtë mund të kenë ndikim në nivelin e konkurrencës në tregjet e huaja.
Qëllimi i këtij studimi është që të identifikohen pengesat me të cilat përballen eksportuesit aktualë dhe potencialë në Kosovë, duke ofruar edhe informata të vlefshme për pengesat kryesore të lidhura me eksportin, si dhe rekomandime koncize dhe praktike për trajtimin e tyre. Analiza është përgatitur në kuadër të projektit të UNDP-së Ndihmë Tregtisë (AFT) që financohet nga Ministria për Punëve të Jashtme e Finlandës, kurse zbatohet nga UNDP dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si partnerë kryesorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.