Huawei do të prezantojë dy smartphone-t e rinj, Huawei Mate 10 dhe Huawei Mate 10 Pro, në një event në Mynih, më 16 tetor.
Lajmi u njoftua nga Richard Yu, Ceo i Huawei Consumer Business Group, gjatë IFA 2017, panairi më i rëndësishëm europian kushtuar teknologjisë në Berlin. Yu konfirmoi edhe se Huawei do të përdorë procesorin Kirin970 tek dy smartphone-t e rinj, Mate 10 dhe Mate 10 Pro.
Gjiganti kinez aktualisht është në vend të tretë në tregun e smartphone, pas Samsung dhe Apple, por brenda disa vitesh mund të kryesojë në renditje.
Për t’ia dalë mbanë, Huawei duhet të jetë avangardë në teknologjitë e reja, ndër të cilat Inteligjenca Artificiale është më e rëndësishmja.
Nuk bën habi që procesori i montuar tek Huawei Mate 10 dhe Mate 10 Pro, Kirin 970, të jetë tërësisht i dedikuar Inteligjencës Artificiale. Procesori karakterizohet nga teknologjia NPU (Neural Processing Unit) që është 25 herë më e shpejtë dhe 50 herë më eficiente se sa CPU.
Karakteristikat e Mate 10 dhe Mate 10 Pro
Pak më shumë se një muaj nga prezantimi zyrtar, vijnë informacionet e para rreth karakteristikave të Mate 10 dhe Mate 10 Pro. Dy smartphone-t do të jenë shumë të ndryshëm krahasuar me modelin e prezantuar vitin e kaluar. Dizajni i pajisjes ka ndryshuar tërësisht për t’i lënë vend ekranit të ri 18:9, i cili mendohet se do të jetë 6 inç, me rezolucion 2160 x 1080 piksel.
Huawei Mate 10 dhe Mate Pro do të kenë të instaluar procesorin Kirin 970, i suportuar nga 64GB memorie e brendshme. Sa i përket sektorit fotografik, Huawei ka bashkëpunuar sërish me kompaninë gjermane Leica Camera. Në pjesën e pasme do të ketë dy fotokamera, njëra me sensor 20 megapiksel kurse tjetra 12 megapiksel. Të dyja do të kenë funksionin e fotografimit me kënd të gjerë.
Bateria do të jetë 4000mAh. Disa zëra pohojnë edhe praninë e funksionit të njohjes së fytyrës, por për momentin kjo karakteristikë nuk është konfirmuar.
Mate 10 do të përdorë edhe ndërfaqen grafike EMUI6, mbështetur në sistemin operativ Android Oreo 8.0.
Pritet që kohëzgjatja e baterisë të rritet me 50 për qind dhe që Huawei të jetë më i shpejtë se iPhone 8 me procesorin e ri.