Shtimi i konkurrencës mes qendrave tregtare (një e re pritet të hyjë në treg), ulje e çmimeve të zyrave për shkak të ofertës më të lartë, zhvillim i mëtejshëm i segmentit të hotelerisë në Tiranë e jug të vendit janë disa nga zhvillimet e pritshme në tregun e pasurive të paluajtshme jo për qëllime banimi përgjatë vitit 2016.
Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e ‘Colliers International Albania’, pohon se segmenti i shitjes me pakicë ka parë disa ndryshime gjatë vitit 2015, po ashtu edhe risia pozitive, nga ana ndërtimore dhe manaxheriale, e ardhjes në treg të qendrës së re tregtare ‘Ring Center’.
Në parashikimin që mund të bëhet për vitin 2016, znj. Dhami shprehet se Stoku i zyrave pritet të ndikohet nga përfundimi i disa godinave me vendndodhje strategjike në qendër të Tiranës dhe do të shohim një rënie të çmimit të qirave për zyra këtë vit, si rrjedhojë e rritjes së stokut të zyrave.
Sa u përket qendrave tregtare, znj. Dhami tregon se priten të kenë një zhvillim të mëtejshëm me ardhjen në treg të ‘Toptani Shopping Center’ rreth fundit të vitit 2016. Ajo që po diferencon qendrat nga njëra-tjetra, sipas saj, është komponenti i argëtimit, çfarë risie sjell njëra nga tjetra, duke qenë se qendrat kryesisht tërheqin familjarët, trend i cili do të vijojë edhe në 2016-n.
Një tjetër parashikim që znj. Dhami ofron, është ai i kategorisë së qiramarrësve në këtë vit. Sipas saj, tre do të jenë qiramarrësit më të mëdhenj për këtë vit: institucionet bankare, operatorët e mëdhenj telefonikë dhe call center.
Znj. Dhami shprehet edhe se këtë vit pritet një zhvillim i fushës së hotelerisë, që në Tiranë do të shohë ndërtime biznesesh hotelerie të reja, ndërsa në jug të vendit, krijimi i infrastrukturës aeroportuale, do të zhvillojë këtë sektor.
———-
“Stoku i zyrave do të rritet, këtë vit ndërtime me standarde”
Flet Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania
Çfarë pritet të ndryshojë në tregun e pasurive të paluajtshme në 2016?
Risia pozitive për tregun e pasurive të paluajtshme është kuptimi nga ana e investitorëve për të hedhur në treg një produkt cilësor si nga ana ndërtimore, po ashtu edhe nga ana manaxheriale.
I tillë ka qenë edhe hyrja në treg e ‘Tirana Ring Center’ e cila ka shtuar hapësirat e tregtisë me pakicë, duke shërbyer më tej klientët dhe banorët e zonës së “21 Dhjetorit” e Don Boskos.
Gjithashtu kjo godinë ka ndikuar edhe tregun e zyrave, duke rritur stokun e tyre me 4,000 m² të hapësirave të zyrave të cilësisë ndërkombëtare.
Stoku i zyrave pritet të ndikohet nga përfundimi i disa godinave me vendndodhje strategjike në qendër të Tiranës.
Çfarë problemesh janë hasur kryesisht gjatë vitit të shkuar?
Deri më sot, probleme si financimi e ndryshimi i destinacionit kanë sjellë që pikërisht këto godina që priteshin të vinin të reja, të vonohen në ardhjen e tyre në treg. Me hapjen e tyre do të ketë një impakt të menjëhershëm në rritjen e stokut të zyrave, si dhe një presion të drejtpërdrejtë për uljen e qirave. Megjithatë ky presion mbetet më i vogël në godinat me vendndodhje qendrore dhe me mungesë financimi nga bankat.
Çfarë zhvillimi do të kenë qendrat tregtare këtë vit?
Qendrat tregtare priten të kenë zhvillim të mëtejshëm me ardhjen në treg të ‘Toptani Shopping Center’ rreth fundit të vitit 2016. Kjo qendër pritet të sjellë markat më të mira në qendër të Tiranës. Pritet të shihet gjithashtu se çfarë risie do të ketë për sa i përket komponentit të argëtimit që sot po diferencon shumë qendra me njëra- tjetrën.
Cilët do të jenë qiramarrësit më të mëdhenj në 2016?
Nga ana e qiramarrësve, më të mëdhenjtë për 2016 përsëri mbeten institucionet bankare, si dhe operatorët e mëdhenj telefonikë dhe ata që operojnë në kategorinë e call center. Të tilla institucione kanë nevojë për hapësira të mëdha dhe vendndodhje qendrore.
Shihet gjithashtu edhe një interes për zhvillim të mëtejshëm në fushën e hotelerisë sidomos për hotele biznesi në Tiranë dhe ato turistike në Jug të Shqipërisë.
Krijimi i infrastrukturës aeroportuale në Jug do të ndihmonte edhe më shumë zhvillimin e këtij sektori në vitin që vjen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.