Kur situata zgjedhore në Shqipëri u mbyll e qetë dhe pa incidente, bizneset janë optimiste për muajt në vazhdim, ku besueshmëria e partnerëve të huaj dhe e konsumatorëve pritet të rritet.
Por një lum kërkesash për qeverinë e re presin të miratohen
Nga Laura Çela
Mbyllja e zgjedhjeve pa incidente dhe probleme në rendin dhe sigurinë publike ka rritur dozat e optimizmit te bizneset shqiptare. Kompanitë eksportuese janë më të qeta dhe të garantuara në sytë e partnerëve të huaj, të cilët kanë pasur interes për situatën në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.
“Kemi pasur kontakte me partnerët tanë të huaj, të cilët kanë qenë të interesuar për mënyrën sesi po rridhnin ngjarjet këtu. Sigurisht fakti që çdo gjë kaloi me qetësi dhe pa probleme rrit sigurinë e Shqipërisë, që ndoshta deri më sot është parë nga ndërkombëtarët edhe si Egjipti apo shtete të tjera me destabilitet politik”, thotë Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Shqipërisë.
Pozitivë duken edhe ndërtuesit vendas, të cilët, në kushtet kur kërkesa për blerje apartamentesh apo pronash të ndryshme rezidenciale ka rënë ndjeshëm, presin rritje të besimit te konsumatorët.
“Sigurisht që për mënyrën sesi kanë ecuri gjërat deri më tani është shumë pozitive edhe për sektorin e ndërtimit. Në të tilla kushte, investitorët vijojnë të qetë dhe madje nxiten në investimet e reja ndërkohë që edhe konsumatorët gjithashtu nxiten që të blejnë”, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Artan Dulaku.
Edhe përfaqësuesit e sektorit të turizmit, që në fakt po i prisnin me më shumë ankth këto zgjedhje, për shkak edhe të sezonit, janë të kënaqur tashmë se ato nuk dhanë asnjë efekt negativ te turistët. Turistët e huaj, që këtë vit janë edhe më të lartë në numër se një vit më parë, kanë vijuar të shijojnë të qetë Shqipërinë dhe as që e kanë “kuptuar” se këtu po zhvilloheshin zgjedhjet.
“Ky është një fakt pozitiv, sepse nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe, jo vetëm që do të ishte dëmtuar ky sezon, por edhe ato në vitet e ardhshme”, thotë Zak Topuzi, kryetar i sektorit të hoteleve në Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA).
Flasin bizneset:
Konfindustria Shqiptare
Fratari: Të lehtësuar nga situata e qetë
Kryetari i Konfindustrisë Shqiptare, Hajredin Fratari, thotë se biznesi është shumë pozitiv për mënyrën sesi u zhvilluan këto zgjedhje.
“Në këto zgjedhje që u bënë vërtet demokratike dhe shumë të kulturuara biznesi shqiptar është vërtet i lehtësuar. Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste që mori pushtetin, falënderoi kundërshtarin e tij Sali Berishën, i cili gjithashtu po e lë pushtetin duke falënderuar.
Tek ne një klimë e tillë paqësore ndikon shumë.
Biznesi është shumë i kënaqur, jo nga fituesit apo humbësit, por nga fakti se situata është shumë e qetë. Çdo gjë po ecën në bazë të procedurave ligjore dhe është mirë dhe shumë pozitiv fakti që po ndiqen ligjet. Udhëheqësit kanë vepruar mirë.
Kjo ndikon pozitivisht sidomos kundrejt kompanive apo partnerëve të huaj, sepse është një lloj garancie për kompanitë.
Por tani që presim të vijë në pushtet qeveria e re, e ardhmja do të varet shumë nga premtimet që do të mbahen. Projekti i shëndetësisë dhe shumë të tjerë të premtuar nga socialistët janë sfida të mëdha, realizimi i të cilave do të shihet në vazhdimësi.
Ajo që na shqetëson është sistemi tatimor dhe mënyra sesi do të jetë sjellja e tatimorëve ndaj kompanive. Kjo sigurisht që duhet të ndryshojë.
Është fakt se qeveria e re do të marrë një shtet me një arkë me deficit të madh dhe shumë borxhe, që nga ato të rrugëve dhe punimeve të ndryshme që janë realizuar nga qeveria përmes biznesit, por pa e paguar këtë të fundit.
Ne si Konfindustria mendojmë se duhet të ketë një fokus të veçantë tek mënyra se ku dhe si do të shpërndahen investimet. Është e vërtetë që qeveria e djathtë ka realizuar shumë vepra të mira infrastrukturore, por nga ana tjetër janë realizuar disa rrugë që janë një luks për Shqipërinë. Këto janë projekte që edhe mund të mos ishin ndërmarrë dhe ky lloj modeli duhet të ndryshojë.
Ne presim që ekonomia e vendit të zhvillohet duke u fokusuar tek turizmi, kryesisht ai atdhetar. Ne duhet të zhvillojmë turizmin sepse punësimi në këtë sektor, sipas përllogaritjeve të kryera, është katër vetë për çdo një turist. Ky është sektori kryesor në kushtet kur edhe punësimi është sfida më e madhe.
Ne nuk kemi industri dhe ne po ecim shumë mirë në disa sektorë të veçantë, turizëm dhe biznese të agroindustrisë, që në fakt janë shumë të lidhura me turizmin. Ne mendojmë se duhet pikërisht të promovojmë këta sektorë. Çdo turist që vjen në Shqipëri kërkon gjithashtu të konsumojë ushqim vendas, që nga ato bujqësore dhe ato të përpunuara.
Turizmi atdhetar është një mundësi e madhe, sepse këtu mund të rritet më shumë numri i pushuesve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia apo atyre që jetojnë në shumë vende të Europës dhe që kanë kapacitete të mira financiare.
Tashmë në Kosovë është një fakt pozitiv që bregdeti i Shqipërisë po vlerësohet si të jetë pjesë e një tregu të përbashkët dhe kjo duket që nga reklamimet e agjencive turistike atje. Në Prizren, për shembull, ka promovime për apartamente që jepen me qira ku shkruhet: 1 orë e gjysmë larg detit (dhe këtu sigurisht që bëhet fjalë për bregdetin e Adriatikut)”.
Ndërtimi
Dulaku: Do të çlirohen energji të reja pozitive
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku, e vlerëson gjithashtu mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri dhe sesi po bëhet ndërrimi i pushteteve.
“Absolutisht që nëse kalimi i pushtetit deri në fund do të bëhet i tillë me qetësi dhe në mënyrë normale për ne, bizneset e ndërtimit, përkthehet në diçka shumë pozitive. Kjo do të thotë klientë të qetë që sigurisht edhe blejnë dhe vazhdimësi të qetë të projekteve të nisura apo të reja që ende nuk kanë nisur.
Nga ana tjetër, ne si përfaqësues të sektorit të ndërtimit, e vlerësojmë ndërrimin e pushteteve dhe jemi optimistë se tashmë do të çlirohen energji të reja pozitive në treg që ishin bllokuar për shumë arsye. Më problematik ishte fakti se piramida ishte tepër e decentralizuar dhe mënyra si u orientuan investimet publike dhe në përgjithësi ekonomia, ishte e gabuar.
Gjëja e parë që duhet të ndryshojë nga qeveria e re është pikërisht mënyra sesi bëhen investime në vend. Nëse flasim në veçanti për infrastrukturën rrugore, ato duhet të bëhen në bazë të një logjike ku duhet të ndërtohen rrugë që kanë një normë kthimi të lartë dhe kanë fluks trafiku.
Një nga modelet më negative të qeverisë së djathtë ishte rruga Durrës-Kukës. ‘Bechtel Enka’, që ishte kompania turke që fitoi edhe koncesionin e kësaj rruge, ishte padyshim ‘vrasësja’ e ndërtimit dhe ekonomisë në tërësi, që e thelloi edhe më shumë krizën ekonomike në vend. U shpenzuan mbi 1.2 miliardë euro në këto projekte, trefishi i parashikuar në projektin e mëparshëm, dhe të gjitha këto para dolën jashtë vendit dhe ushqyen ekonominë turke. Nga ana tjetër, ishte shumë i dëmshëm fakti që një pjesë shumë e madhe e fondeve publike u orientuan në një drejtim të vetëm.
Pikërisht, në këtë aspekt, gjërat duhen bërë ndryshe nga qeveria e re që duhet të marrë pushtetin në muajin shtator.
Është fakt tashmë dhe personalisht jam i mendimit se sektori i ndërtimit e ka minimizuar rolin udhëheqës që ka pasur në ekonomi dhe sigurisht edhe ne ndërtuesit nuk mund ta pretendojmë më një gjë të tillë.
Qeveria e re, në bashkëpunim me biznesin, duhet të gjejë hapësira dhe sektorë të rinj ku do të bazohet ekonomia e vendit.
Turizmi
Zak Topuzi: Optimistë për numrin e turistëve
Zak Topuzi, kryetar i sektorit të hoteleve në Shoqatën Shqiptare të Turizmit (ATA) është shumë i qetë që gjithçka u zhvillua në normalitet duke mos u cenuar sektori i turizmit.
“Parashikimi ka qenë optimist për sektorin e turizmit dhe para zgjedhjeve dhe është fakt se gjatë kësaj periudhe ka pasur ardhje nga të huaj deri në 15-20% më tepër.
Probleme ka pasur te pushimet apo prenotimet jashtë vendit sepse njerëzit nuk kanë lëvizur.
Në përgjithësi, tek të huajt nuk pati probleme dhe fushata ka qenë e qetë. Bizneset e kanë ndier dy javët e fundit, sepse administrata dhe shoqatat e huaja ndërprenë aktivitetet e tyre, të tilla si seminare apo ardhje të biznesit.
Por turistët e huaj kanë qenë më të shumtë dhe ata që ishin këtu as që e kuptuan që po zhvilloheshin zgjedhje. Kjo është shumë pozitive, pasi përcjell imazhin se ne jemi një vend normal europian dhe ofrojmë garanci për çdo pushues.
Këtë vit, sektori duket se ka shumë prenotime dhe ato janë shtyrë në kohë, deri më 20 tetor, si rezultat i kombinimit të paketave turistike, kulturë, rërë, etj. Turistët e huaj janë shtuar në numër. Duke u kthyer Ballkani në një markë, ne po na vijnë turistë nga Maqedonia, që ka bërë revolucion në turizëm, ka ulur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në 5%, subvencionon 50-60 euro për çdo turist, ka rritur promocionin. Vetëm këtë vit, Maqedonia ka përdorur 2.5 milionë euro për turizmin. Grupet e turistëve të moshës të tretë vijnë në masë dhe 20% e këtyre kalojnë një ditë në Shqipëri.
Qeveria e re duhet të vlerësojë pozicionin gjeografik të Shqipërisë sepse vendet e Mesdheut kanë 25-30% të PBB-së nga turizmi dhe ne jemi ende larg këtij niveli. I duhet hapur rrugë ndërtimit të rezorteve të mëdha dhe cilësore dhe jo ta bazojmë turizmin te numri i hyrjeve por për ato që shpenzohen këtu.
Të dyja grupimet e kanë konsideruar turizmin si shtyllën e dytë pas bujqësisë për të mbështetur punësimin dhe të ardhurat dhe ne shpresojmë që të bëhen realitet. Përgjysmimi i TVSH-së për industrinë turistike është një masë pozitive nëse realizohet.
Shqipëria mund të bëjë më shumë dhe se zhvillimi i qëndrueshëm në turizëm vazhdon të jetë në risk, si rezultat i rrezikut të përballjes me konkurrencën e destinacionet rajonale dhe ndërkombëtare.
Duke analizuar problematikat me të cilat ndeshet sektori privat, duke ndjekur përvojat dhe politikat e vendeve të tjera fqinje, argumentohet si domosdoshmëri, nevoja për politika stimuluese fiskale dhe një aplikim i TVSH-së së reduktuar në hotele.
Ministria e Turizmit ka mbështetur nismat për një klimë të favorshme për biznesin turistik, në zbatim të dokumenteve kryesore, si ligji për turizmin dhe strategjia sektoriale e turizmit 2007-2013. Aksioni 5.7.4 “Azhurnimi i sistemit të taksave të turizmit”, flet për politika lehtësuese për bizneset, por realizimi duket i largët.
Deri tani nuk kemi masa konkrete në drejtim të incentivave fiskale dhe Shqipëria është ndër vendet e rralla europiane që nuk ka zbatuar politika të tilla në nxitje të turizmit.
TVSH-ja prej 20% që aplikohet në hotele si elementi bazë i paketës së shërbimeve turistike përbën pjesën kryesore të barrës fiskale dhe vlera e saj ndikon direkt në çmimin ndaj konsumatorit. Hotelet ballafaqohen mbi të gjitha me konkurrencën e shtëpive private të pushimit, të cilat nuk paguajnë taksa.
Mjaft struktura hoteliere nuk po investojnë në përmirësim dhe rinovim apo dhe në alternativa menaxhimi apo burime njerëzore, tashmë kur cilësia përbën një element të rëndësishëm në konkurrencën ndërkombëtare dhe bizneset hoteliere shqiptare që mund të përballen në këtë nivel janë të pakta. Ndërkohë bizneset cilësore janë kategoria që përballen në mënyrë më të plotë me sistemin e taksave.
TVSH e reduktuar në turizëm është hapi i parë me ndikim direkt në konkurrueshmërinë e hoteleve. Nga 27 vendet e BE-së, 24 kanë reduktuar TVSH për hotelet. Niveli i çmimeve të hoteleve është faktor i rëndësishëm i konkurrueshmërisë në rajon. Të gjithë shtetet mesdhetare (pa përjashtim) ndjekin politika mbështetëse për sektorin e turizmit në fushën fiskale dhe kanë ulur TVSH nën 10%.
Shembulli më i mirë është Turqia. Në vitin 2001, siguronte rreth 300.000 turistë/vit, aq sa Shqipëria në vitin 2004. Falë lehtësive fiskale dhe uljes së TVSH në 7%, sot ka 36 milionë turistë duke u kthyer lider botëror. Greqia, me gjithë masat shtrënguese nga BE, e ngriti TVSH-në në kufirin 6-10%, kurse Mali i Zi e ka 7%.
Në përgjithësi, vlerësimet pozitive janë të lidhura me infrastrukturën, kryesisht rrugore e sinjalistikën si masa konkrete, pa të cilat nuk mund të flitet për turizëm, por kjo nuk mjafton.
Pika e dytë ku çalojmë: Nuk mund të ndërtohen rezorte apo hotele pa u zgjidhur problemet e pronës. Të gjithë ekspertët e huaj e artikulojnë si të rëndësishëm këtë handikap shqiptar.
Gjithnjë e më shumë po kuptojmë se potenciali ynë është i krahasueshëm në rajon dhe që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet në Mesdhe. Përse duhet të vonohemi më shumë.
Në rast se shfrytëzojmë potencialet turistike të vendit, të ardhurat nga turizmi do të kapnin mbi 2 miliardë euro/vit.
Parashikimi për Europën ishte që të ardhurat nga turizmi do të rriteshin 4.3% ndërsa Shqipëria 5.4% dhe kjo është pozitive.
Eksportuesit
Zusi: Pozitivë në sytë e të huajve
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, vlerëson se situata e zgjedhjeve ishte shumë e mirë dhe kjo ndikon shumë pozitivisht.
“Kishte interes nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë sesi po zhvilloheshin zgjedhjet këtu dhe ata morën një lloj sigurie.
Ne e vlerësojmë si shumë pozitiv faktin që nuk ka për të pasur ndikime negative në sezonin veror, sepse në këtë situatë prodhimi shqiptar ka pikun e vet dhe në vitet e kaluara sa herë ka pasur zgjedhje, kjo nuk është arritur.
Kjo fillon të krijojë ndjesinë e normalitetit tek ne, sepse në sytë e partnerëve ndërkombëtarë ne deri më tani jemi parë si Egjipti.
Por tani qeveria e re ka një mori nismash dhe sfidash të reja që e presin me qëllim rigjallërimin e biznesit dhe ekonomisë në tërësi.
Gjëja e parë që duhet të bëjë qeveria e re është të respektojë të drejtat e biznesit, kjo do të thotë rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pagesat ndaj punëve të papaguara dhe të krijojë menjëherë strukturat e komunikimit me biznesit.
Krijimi i strukturave të komunikimit me biznesin është një çështje kryesore për të ardhmen dhe duhet të ketë kujdes të veçantë në vendosjen e njerëzve të duhur tek to dhe jo akademikë që nuk i njohin nga afër problemet tona.
Pagesat e detyrimeve duhet të bëhen menjëherë, sepse do kthehen në investime.
Edhe biznesi do të ketë përfitime materiale nga shlyerja e detyrimeve sepse kështu do të rritet punësimi dhe qeveria nga ana tjetër do rrisë të ardhurat në buxhet.
Sigurisht që ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen bërë, por le fillohet me krijimin e strukturës së komunikimit me biznesin, me qëllim që edhe ne të na kthehet besimi dhe të kemi një derë të hapur ku të adresojmë problemet dhe kërkesat tona.
Këtë e shohim me shumë pozitivitet, sepse administrata e kaluar e injoroi totalisht komunikimin me biznesin, dhe kjo çoi edhe në një orientim të gabuar të investimeve me fonde publike, po derdheshin para në punime publike me normë rikthimi shumë të ulët dhe me aspak nxitje për Prodhimin e Brendshëm Bruto”.
Buxhuku: PS-LSI të kthejnë sa më shpejt sytë tek ekonomia
Kryetari i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, duke vlerësuar se pasojat e rënda të krizës globale mbi biznesin dhe qytetarët shqiptarë ishin shkaku kryesor që ndikoi dhe vendosi përfundimet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, u kërkon të gjithë partive politike, që sa më shpejt të përmbyllin procedurat zgjedhore dhe të fillojnë seriozisht t’i kushtojnë vëmendjen më të madhe të mundshme tejkalimit të gjendjes së vështirë të ekonomisë kombëtare.
Konfindustria, mbështetur në kërkesat dhe shqetësimet e vazhdueshme të biznesit në përgjithësi dhe sidomos të biznesit të huaj, që kanë dhe/ose janë të interesuar të investojnë në Shqipëri, kërkon nga drejtuesit e partive kryesore fituese të zgjedhjeve të përgjithshme 2013 (PS dhe LSI), që publikisht dhe sa më shpejt të sigurojnë biznesin e vendit dhe të huaj për vazhdimësinë: – e politikës së taksave të ulëta konkurruese me vendet e tjera të rajonit, si dhe – respektimin e kontratave koncesionare në fusha si energjia, minierat, etj.
Konfindustria vlerëson se vonesat e paarsyeshme të përmbylljes së procesit zgjedhor dhe njëkohësisht çdo dyshim i krijuar gjatë fushatës zgjedhore për ndryshime të thella të politikave fiskale dhe koncesionare, do të shtonte problematikat e tashme mbi biznesin dhe industritë vendore dhe mbi të gjitha, do të pengonte afrimin e kapitaleve të huaja, aq shumë të nevojshme sidomos në kushtet e vazhdimit të pasojave të krizës globale në ekonominë vendore.
KËRKESAT
-Gjëja e parë që duhet të bëjë qeveria e re është të respektojë të drejtat e biznesit, kjo do të thotë rimbursim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pagesat ndaj punëve të papaguara dhe të krijojë menjëherë strukturat e komunikimit me biznesin.
-Krijimi i strukturave të komunikimit me biznesin është një çështje kryesore për të ardhmen dhe duhet të ketë kujdes të veçantë në vendosjen e njerëzve të duhur tek to dhe jo akademikë që nuk i njohin nga afër problemet tona
-Qeveria e re duhet të vlerësojë pozicionin gjeografik të Shqipërisë sepse vendet e Mesdheut kanë 25-30% të PBB-së nga turizmi dhe ne jemi ende larg këtij niveli
-I duhet hapur rrugë ndërtimit të rezorteve të mëdha dhe cilësore dhe jo ta bazojmë turizmin te numri i hyrjeve por për ato që shpenzohen këtu
-Përgjysmimi i TVSH-së për industrinë turistike është një masë pozitive nëse realizohet dhe mbështetja direkte e operatorëve turistikë
-Gjëja e parë që duhet të ndryshojë nga qeveria e re është pikërisht mënyra sesi bëhen investime në vend. Investimet në infrastrukturën rrugore duhet të bëhen në bazë të një logjike ku duhet të ndërtohen rrugë që kanë një normë kthimi të lartë dhe kanë fluks trafiku.
Një nga modelet më negative të qeverisë së djathtë ishte rruga Durrës-Kukës.
“Bechtel Enka”, që ishte kompania turke që fitoi edhe koncesionin e kësaj rruge ishte padyshim “vrasësja” e ndërtimit dhe ekonomisë në tërësi, që e thelloi edhe më shumë krizën ekonomike në vend. U shpenzuan mbi 1.2 miliardë euro në këtë projekt, trefishi i parashikuar në projektin e mëparshëm
– Duhet të ketë një fokus të veçantë te mënyra se ku dhe si dhe do të shpërndahen investimet.
Ekonomia e vendit të zhvillohet duke u fokusuar tek turizmi, kryesisht ai atdhetar. Punësimi në këtë sektor, sipas përllogaritjeve të kryera, është katër vetë për çdo një turist. Ky është sektori kryesor në kushtet kur edhe punësimi është sfida më e madhe
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.