Bizneset vendase kanë pritshmëri të larta për qeverinë e re “Rama” dhe nuk i paragjykojnë emërimet në administratën fiskale. Ato presin shlyerjen e borxheve që qeveria u ka, trajtimin e barabartë të tyre dhe shkatërrimin e monopoleve
Nga Laura Çela
Sipërmarrësit shqiptarë duken optimistë për ecurinë e biznesit nën drejtimin e qeverisë së re. Revista “Monitor” intervistoi drejtues të organizatave kryesore të biznesit vend, për të njohur pritshmëritë dhe opinionin e tyre për qeverinë e re. Sipërmarrësit nuk i paragjykojnë emërimet e reja të qeverisë “Rama” në krye të Tatimeve dhe Doganave, pasi për ta më e rëndësishme është ndershmëria e tyre dhe trajtimi i barabartë i bizneseve dhe jo përvoja.
“Emërimet e fundit premtojnë se mungesa e ‘përvojës’ e drejtueseve të reja do na ndihmojë që biznesi të mos gjobitet më, që biznesi të mos kontrollohet më në mënyrë selektive e klienteliste, që biznesi të nderohet e respektohet si kontributori kryesor i të ardhurave në buxhetin e shtetit”, thotë z. Luan Bregasi, drejtues i organizatës “Biznes Albania” dhe një sipërmarrës me përvojë të gjatë.
Për bizneset, një nga hapat më emergjentë që duhet të ndërmarrë qeveria e re është shlyerja e borxheve që i ka biznesit, që përllogariten në afro 400 milionë euro.
“Kemi anëtarë të organizatës, që janë kryesisht biznesmenë të ndërtimit të rrugëve, të cilët po falimentojnë nga mospagesa e punëve që kanë kryer nga ana e qeverisë”, thotë z. Hajredin Fratari, i Konfindustrisë.
Shlyerja e borxheve, qoftë të punëve, qoftë rimbursim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në rastin e eksportuesve, etj., është kërkesa dhe pritshmëria kryesore që sipërmarrësit kanë.
Ata mirëpresin ngritjen e institucioneve që mundësojnë bashkëpunimin biznes-qeveri, por, sipas tyre, duhet që këto këshilla të jenë efikase, ndryshe nga çka ndodhur deri më sot.
INTERVISTA/Flet Luan Bregasi, President i “Biznes Albania”
Optimistë, por duhet të goditen monopolet
Cilat janë pritshmëritë për marrëdhëniet e biznesit me tatimet e doganat, nisur edhe nga emërimet e krerëve të rinj?
“Biznes Albania” mendon se pritshmëritë e sipërmarrjes do të jenë pozitive në të ardhmen për sa u përket marrëdhënieve të botës së sipërmarrjes me organet tatimore dhe doganore. Së pari, sepse qeveria e re ka premtuar se do të ndërtojë një partneritet të ri me biznesin, dhe jo marrëdhënie mospërfillëse siç ka ndodhur më parë. Ka deklaruar se do të respektojë parimin e vetëdeklarimit nga ana e sipërmarrjes, në vend të kontrolleve selektive dhe klienteliste. Qeveria është angazhuar për ngritjen e Këshillit Social Ekonomik, por jo me pjesëmarrjen e ministrave, siç ishte më parë, por me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit. Ka vendosur ngritjen e Këshillit Kombëtar të Punës me një rikompozim të përfaqësuesve realë të punëdhënësve dhe punëmarrësve në Shqipëri. Po kështu, premtuese janë dhe lëvizjet e fundit që ka bërë Drejtoria e Doganave për të zbuluar dhe ndëshkuar rastet e kontrabandës, çka japin sinjale se një betejë e re ka nisur midis biznesit që kërkon rregulla loje dhe atyre që duan ta shkelin atë. Edhe emërimet e fundit premtojnë se mungesa e “përvojës” së drejtueseve të reja do na ndihmojnë që biznesi të mos gjobitet më, që biznesi të mos kontrollohet më në mënyrë selektive e klienteliste, që biznesi të nderohet e respektohet si kontributori kryesor i të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Pritet që të ngrihet Këshilli Social-Ekonomik, që do të nxisë partneritetin e qeverisë me biznesin. Si e shikoni këtë nismë?
Këshilli Social-Ekonomik që do të ngrihet së shpejti, funksionon në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Vetëm në Shqipëri funksiononin disa këshilla e komisione që vetëm e lodhnin dhe sorollatnin biznesin, komisione të ashtuquajtura konsultative, krejt formale, ku asnjë propozim nga biznesi nuk respektohej, qeveria vetë fliste, vetë vendoste.
“Biznes Albania” është shumë krenare për ngritjen e këtij Këshilli, pasi sheh të realizuar një nga propozimet e saj, të bëra në kuadër të fushatës elektorale të 23 qershorit. Ky Këshill, që ne mendojmë se do të dominohet nga përfaqësuesit e biznesit, do të jetë një vend ku do të debatohen projektligje, rregullime të ndryshme ligjore në interes të përmirësimit të klimës së të bërit biznes në Shqipëri. Ky Këshill do ta kryejë misionin e vet nëse përfaqësuesit e qeverisë, në vend të monologut, do të dialogojnë me biznesin, në vend të recetave burokratike, do të dëgjojnë argumentin e sjellë nga përfaqësuesit e sipërmarrjes.
A prisni që qeveria e re t’i shlyejë borxhet që ka ndaj biznesit?
Është një nga angazhimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria e re e z. Rama, megjithëse nuk e ka krijuar vetë këtë borxh. Unë besoj se do ta bëjë një gjë të tillë, pasi qeveria e ka treguar rrugën se si do t’ia kthejë detyrimet që qeveria e mëparshme nuk shleu biznesin. Mendoj se nuk duhet parë thjesht si një kthim borxhi dhe kaq. Është një veprim i mençur ekonomik, pasi do t’i injektohen ekonomisë gati 500-600 milionë euro, bizneset do të marrin oksigjen, bankat do të ulin nivelin e kredive të këqija, do të fillojnë të kreditohen projekte dhe do të rikthehet besimi te biznesi.
Cilat janë për ju problematikat kryesore ku duhet ndërhyrë me shpejtësi nga qeveria për të ndihmuar biznesin?
Së pari, kthimi i besimit tek sipërmarrja e lirë, për krijimin e një klime për një konkurrencë të lirë dhe të ndershme në treg, tashmë i goditur keq nga krijimi i tregjeve monopol, që janë krijuar me vendime qeverie ose me dhënie koncesionesh, që në mënyrë të pandershme kanë rritur kostot e shërbimeve ndaj biznesit.
Së dyti, beteja me korrupsionin është një nga problemet kryesore që biznesi ka vuajtur shumë gjatë këtyre viteve të fundit dhe do të jetë përballja më e vështirë për qeverisjen e re, por jo e pamundur.
Së treti, beteja për formalizimin e tregut dhe rritja e besueshmërisë ndaj organeve tatimore dhe doganore, për të garantuar barazi në treg, dhe konkurrueshmëri, që për bazë ka tregun dhe jo favore, për njërën palë, në kurriz të palëve të tjera.
Së katërti, përmirësime të një pjese të legjislacionit tatimor dhe doganor, i cili në mënyrë të pandershme, penalizon shpeshherë biznesin, duke ia mbyllur hapësirat e ankimimit, kur administrata tatimore dhe doganore, gjobisin biznesin padrejtësisht. Është një premtim që qeveria e re e ka premtuar dhe ne besojmë se do të realizohet.
INTERVISTA/ Flet kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku
“Qeveria e ka për detyrë të paguajë borxhet”
Cilat janë pritshmëritë tuaja për marrëdhënien e tatimeve dhe doganave me biznesin, nisur edhe nga krerët e rinj të tyre?
Nuk mendoj se marrëdhëniet shtet-biznes duhet të jenë në varësi të individëve/drejtues të institucioneve, aq më pak kjo marrëdhënie të kushtëzohet, paragjykohet ose mbivlerësohet nisur nga mosha e tyre. Duhet të jetë ndërtimi i sistemit mbështetur në ligj, zotërues dhe mbështetja e punës dhe marrëdhënies së dyanshme. Pikërisht përmirësimi i procedurave ligjore dhe pastaj zbatimi i tyre me përpikëri nga palët është ajo çka duhet dhe çka presim në bashkëpunimin me institucionet e fiskut. Duhet të jemi të qartë se në të dy anët e sipërpërmendura, kemi mjaft për të bërë. Mjafton të kujtojmë kontrollet e përsëritura tatimore, që janë bërë shqetësuese për biznesin, vonesat në rimbursimin e TVSH, apelimet, etj. Ndihmë e prekshme në marrëdhëniet shtet-biznes do të jetë Gjykata Administrative, një hallkë e munguar e domosdoshme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Konfindustria, si nismëtare e krijimit të Gjykatës Administrative kërkon nga ekzekutivi të japë të gjithë ndihmën e nevojshme për fillimin sa më shpejt të punës së këtij institucioni të rëndësishëm. Ky do të jetë edhe një tregues i rëndësishëm i vullnetit të qeverisë së re për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme të mbështetur në ligj me biznesin. Çdo përpjekje për të kërkuar përmirësim të marrëdhënies shtet-biznes mbështetur vetëm tek individët, që caktohen në krye të institucioneve është jo vetëm i dështuar, por edhe i dëmshëm në afatgjatë.
Pritet të ngrihet edhe Këshilli Ekonomik, që do të nxisë bashkëpunimin qeveri-biznes. Si e shikoni këtë nismë?
Konfindustria nuk ka pritshmëri të lartë nga formatet, që nuk kanë munguar në show qeveritarë në vite, por i kushton rëndësi profesionalizmit dhe vullnetit të qeverisë për të zgjidhur problemet, që në shumicën e tyre janë mjaft të qarta dhe të paraqitura në pafundësi rastesh. Nëse ka vullnet qeveritar për t’u marrë me thelbin e problemeve janë krejt të parëndësishme ekspozitat e paraqitjes së tyre. Rrugët sesi këto probleme merren, trajtohen dhe zgjidhen janë të shumta dhe mendoj se institucionet e deritanishme janë të mjaftueshme.
A prisni që qeveria e re t’i shlyejë borxhet që ka ndaj biznesit?
Qeveria e ka për detyrë t’i shlyejë borxhet. D.m.th nuk kemi të bëjmë me favor, por me detyrim ligjor dhe kushtetues. Konfindustria e ka shprehur qartë se jo vetëm borxhet duhen shlyer, por njëkohësisht për të qenë të drejtë në zbatim të ligjit duhet që çdo vonesë e kthimit të tyre të shoqërohet me penalitetet përkatëse. As më pak dhe as më shumë kërkojmë atë se çfarë shteti i ngarkon biznesit dhe qytetarëve kur vonojnë në detyrimet e tyre ndaj shtetit, në çdo rast të kundërt nuk kemi të bëjmë me shtet të së drejtës. Mjafton të kujtojmë se çfarë kosto i shtohet biznesit nga vonesat me muaj dhe vite të rimbursimit të TVSH, ndërkohë që vonesat me ditë të derdhjes së TVSH nga biznesi penalizohen skajshmërisht rëndë.
Cilat janë për ju problematikat kryesore ku duhet të ndërhyhet me shpejtësi nga qeveria për të ndihmuar biznesin?
Problematikat janë të shumta, por unë do të theksoja si parësore luftën kundër daljes së parave shqiptare pa arsye jashtë vendit, domosdoshmërinë e kontrollit të territorit dhe zbatimin e ligjit, vazhdimin e projekteve të mëdha në energji, gaz, naftë, luftën kundër politikave dumping në dëm të prodhimit vendor dhe krijimin e tregut të kapitaleve.
INTERVISTA/ Flet Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë Shqiptare
“Te drejtuesit e rinj, rëndësi ka ndershmëria”
Cilat janë pritshmëritë tuaja për marrëdhënien e tatimeve dhe doganave me biznesin, nisur edhe nga krerët e rinj të tyre?
Ne si sipërmarrës, fillimi i punës nga qeveria e re na duket shumë i mirë. Një nga masat që na jep shumë shpresë që biznesi të jetë gjithmonë i barabartë, është aksioni ndaj bizneseve të lojërave të fatit.
Rreth 80% e lojërave të fatit janë pa licencë dhe ndëshkimi i atyre që shkelin ligjin është shumë pozitiv.
Për sa u përket emërimeve të reja të bëra në Tatime dhe Dogana nuk jemi skeptikë. Ministri i Financave është një zgjedhje shumë pozitive, qoftë në profesionalizëm, qoftë në integritet.
Për ne si sipërmarrës, më e rëndësishme është që drejtuesit e rinj të jenë të ndershëm, sepse sistemet fiskale tashmë janë të kompjuterizuara dhe online dhe është shumë më e thjeshtë menaxhimi i punës.
Pritet të ngrihet edhe Këshilli Ekonomik, që do të nxisë bashkëpunimin qeveri-biznes. Si e shikoni këtë nismë?
Këshilli Ekonomik ka funksionuar edhe më parë dhe unë kam qenë anëtar në disa këshilla, si në Ministrinë e Punës, në Ministrinë e Industrisë dhe anëtar i këshillit në Ministrinë e Financave. Por ajo që mund të them është se sugjerimet tona nuk janë marrë parasysh. Janë bërë shumë vërejtje edhe nga Avokati i Tatimpaguesve, por shumë ligje janë nxjerrë dhe janë miratuar nga qeveria e mëparshme në kundërshti me kërkesat e biznesit. E rëndësishme është që këto këshilla duhet të funksionojnë mirë.
A prisni që qeveria e re t’i shlyejë borxhet që ka ndaj biznesit?
Besoj se qeveria do t’i shlyejë borxhet që ka ndaj biznesit sepse vetëm kështu mund të marrë frymë ekonomia. Ne kemi 12 miliardë euro kursime në banka si depozita, ky është një popull që ka kursyer dhe kjo është pozitive dhe prandaj qeveria mund të marrë borxh nga bankat. Edhe nga banka qendrore mund të marrë hua pa interes për një periudhë kohe të gjatë.
Biznesi po e pret me padurim shlyerjen e borxheve nga ana e qeverisë, sepse shumë prej tyre po falimentojnë.
INTERVISTA/ Flet Arben Dervishi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve
“Emergjente, shlyerja e borxheve. Biznesi të trajtohet në mënyrë të barabartë”
Cilat janë pritshmëritë tuaja për marrëdhënien e tatimeve dhe doganave me biznesin, nisur edhe nga krerët e rinj të tyre?
Pritshmëritë tona janë nëse ato që janë shkruar në programin e qeverisë do të realizohen dhe kjo ka rëndësi. Nuk i paragjykojmë fare emërimet e reja, sepse ato nuk janë provuar dhe prandaj nuk mund t’i vlerësojmë ende.
Problemi më i madh që ne kemi është se sa bashkëpunuese dhe sa efektive do të jenë. A do fillojë të trajtohet njësoj biznesi dhe jo ndryshe si deri më tani.
A prisni që qeveria e re t’i shlyejë borxhet që ka ndaj biznesit?
Ne besojmë se borxhet që qeveria ka ndaj bizneseve do të shlyhen, koha dhe procedura është një tjetër fakt. Ne i besojmë asaj që qeveria ka thënë, problemi është si do zhvillohen etapat dhe sa transparent do të jetë procesi. Ka shumë rëndësi që të ketë transparencë për procedurat, afatet, përqindjet dhe bizneset të shlyhen njësoj dhe jo në mënyrë klienteliste, siç ka ndodhur deri më tani.
Unë mund të konfirmoj se sidomos në sektorin e ndërtimit të rrugëve dhe infrastrukturës ka kompani që janë në vështirësi shumë të mëdha dhe kjo duket nga niveli i kredive të këqija në banka, ku pjesa më e madhe u takon këtyre bizneseve. Prandaj shlyerja e borxheve është emergjente dhe e nevojshme.
Njerëzit ende janë të trembur dhe qeveria ka vetëm një muaj që ka nisur punën. Aktualisht gjendja e buxhetit është negative dhe nuk shohim ndonjë optimizëm deri në fund të vitit. Vitin tjetër presim efekte pozitive pas shlyerjes së borxheve, miratimit të buxhetit, etj.
Pritet të ngrihet edhe Këshilli Ekonomik, që do të nxisë bashkëpunimin qeveri-biznes. Si e shikoni këtë nismë?
Këshilli Ekonomik i nevojitet biznesit dhe eficenca e tij varet sesa do të merren në konsideratë kërkesat e biznesit. Ai që ka funksionuar deri më sot nuk ka luajtur rolin që ka pasur. Qeveria nuk duhet të jetë më indiferente ndaj kërkesave të biznesit.
INTERVISTA/ Flet Bardhi Sejdarasi, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve
“Vlerësojmë emërimet e reja. Presim zbatimin e premtimeve”
Cilat janë pritshmëritë tuaja për marrëdhënien e tatimeve dhe doganave me biznesin, nisur edhe nga krerët e rinj të tyre?
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve është një nga grupet e biznesit, që ka një marrëdhënie bashkëpunimi e partneriteti korrekte dhe institucionale me entet shtetërore, sidomos ato fiskale. Kjo marrëdhënie është e lidhur me rolin dhe pozicionin që ka në tërë spektrin ekonomik të vendit ky sektor, i cili njihet si një sektor social, që punëson numrin më të madh të punonjësve dhe ka si vlerë të shtuar pikërisht koston e krahut të punës, që përbën rreth 80-85% të shpenzimeve të këtij biznesi. Në këtë kuptim, marrëdhënia është një vijimësi e njohur, me të gjithë administratorët publikë.
Ne kemi vlerësuar emërimet e reja në dogana e tatime dhe madje kemi vendosur prej ditësh edhe relacionet e para të bashkëpunimit, së pari me doganat, për shkak të një urdhri të Doganës së Tiranës të muajit gusht 2013, i cili sipas nesh është i kundërligjshëm. Po punojmë me autoritetet për interpretimin e këtij urdhri dhe kemi gjetur një gatishmëri të vlerësuar edhe nga ana jonë.
Ne gjykojmë se ky bashkëpunim e partneritet do të vijojë edhe me Drejtorinë e Tatimeve në Tiranë e në rrethe.
Kemi rastin të vlerësojmë sidomos emërimet në degën e tatimeve të Tiranës dhe në atë të bizneseve të ashtuquajtura VIP, ku gjykojmë se janë vendosur drejtuese të afta profesionalisht, me përvojë të spikatur në fushën respektive, me njohje të plotë të sipërmarrjes dhe peshës e rolit të saj dhe që premtojnë për një bashkëpunim në rritje. Qoftë zonja Rakipi, qoftë zonja Kalia, kanë një historik të njohur në bashkëpunimin me Dhomën Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV), duke filluar të paktën që nga viti 1998, kur është krijuar DHKPV.
Pritet të ngrihet edhe Këshilli Ekonomik, që do të nxisë bashkëpunimin qeveri-biznes. Si e shikoni këtë nismë?
Këshilli Ekonomik Kombëtar ka qënë propozim edhe i DHKPV, në kuadër të organizatës ombrellë, “Biznes Albania”, ku DHKPV është anëtare themeluese. Në emër të kësaj organizate, anëtare e Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Punës, personalisht si përfaqësues i DHKPV në këto dy ente të rëndësishme të qeverisë, kemi paraqitur edhe një projektligj për krijimin e Këshillit Ekonomiko-Social, një ide e ngjashme me Këshillin Ekonomik Kombëtar, të iniciuar nga Kryeministri Rama. Ne e mbështesim këtë ide, por këmbëngulim në nevojën për përcaktimin e kritereve të përfaqësueshmërisë, pra të organizatave që duhet e mund të marrin pjesë në këtë organizëm të rëndësishëm. Sot, në treg gjenden edhe shumë organizata fantazmë, apo presidentë organizatash fantazmë, që nuk kanë as anëtarësi, nuk janë as të regjistruara në Regjistrin e Organizatave të Punëdhënësve dhe madje nuk respektojnë as edhe një nga pikat e statutit të tyre, atë të mbledhjes së asambleve të anëtarëve një herë në katër vjet. Keni presidentë shoqatash që nga viti 1996, që vijojnë të jenë përsëri presidentë, apo keni presidentë shoqatash që nuk kanë as shoqata. Ky është një handikap i madh që nuk duhet të zërë vend në Këshillin Ekonomik Kombëtar. Në të kundërt, në këtë instancë të rëndësishme nuk do të mund të shkonte asnjëherë zëri i biznesit, i sipërmarrjes, por zëri i individëve të veçantë që nuk kanë asnjë lidhje me biznesin, përveçse biznesit të tyre!
A prisni që qeveria e re t’i shlyejë borxhet që ka ndaj biznesit?
Ne presim që qeveria të respektojë detyrimet ligjore. Ky sektor, pra ai i regjimit të përpunimit aktiv (rieksportet) nuk kanë të njëjtën problematikë që kanë për shembull kompanitë që punojnë me para publike dhe që nuk janë paguar prej vitesh. Rieksportet janë të prira të marrin premtimin nga qeveria e re për të mos pasur vonesa në rimbursimin e TVSH-së, kur ka të tillë, të respektohet afati ligjor për importin e makinerive e pajisjeve për investimet e reja, me TVSH zero. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve kërkon më së shumti respektimin e disa akteve e vendimeve ligjore sidomos me punësimin e të rinjve dhe lehtësitë fiskale për ta, me deklarimin online të të punësuarve të rinj, me thjeshtimin e procedurave të eksportit në dogana etj., duke siguruar një klimë më të mirë në të bërit biznes, sidomos në këtë sektor, që nuk dallohet për burime të shumta njerëzore e profesionale.
Cilat janë për ju problematikat kryesore ku duhet të ndërhyhet me shpejtësi nga qeveria për të ndihmuar biznesin?
E përmenda edhe më lart se janë disa problematika që duhet të merren në konsideratë. Për hir të së vërtetës, ne ia kemi bërë të njohura qeverisë këto problematika në takimet e bëra jo vetëm me ministra të veçantë, por edhe në takimin me kryeministrin e vendit. Qeveria ka gati projektin për anulimin e një liste sipas së cilës do të importoheshin makineri e pajisje për këtë sektor me TVSH zero, ky import do të jetë i lirë për të gjitha makineritë e pajisjet që u duhen investitorëve të rinj në këtë sektor. DHKPV ka kërkuar prej qeverisë implementimin e projekteve të njohura, të financuara edhe nga donatorë ndërkombëtarë që kanë të bëjnë me deklarimin online të të punësuarve të rinj (projekti suedez), projekti i arsimit dhe formimit profesional, ai i partneritetit publik privat për shkollat private të arsimit profesional, një profil i ri i agjencisë së nxitjes së investimeve të huaja që duhet të rrisë nivelin e promovimit të këtij sektori në arenën ndërkombëtare, apo një klimë më e mirë në sektorin publik të shërbimit doganor.
Çështje të tjera specifike janë duke u diskutuar dhe kanë të bëjnë me një qasje të re që qeveria e z. Rama ka premtuar se do të ketë ndaj kësaj kategorie të sipërmarrjes, që sikundër e përmenda, do të jetë prioritet i programit të saj 4-vjeçar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.