Biznesi duhet të sigurohet që çdo hap i qeverisë së re në lidhje me politikën fiskale do të konsultohet me publikun sipas standardeve të detyrueshme, të njohura dhe praktikave më të mira.
Av. Ardjana Shehi
KALO & ASSOCIATES
Pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, palët politike fituese janë përfshirë në punën për përqasjen e programeve politike të anëtarëve të kampit politik fitues, me qëllim finalizimin e një programi të përbashkët të gatshëm për zbatim. Një nga pikat e rëndësishme të programit për t’u finalizuar është edhe pjesa që i takon politikës fiskale.
Nga të interesuarit shpresohet që finalizimi i politikës fiskale është duke u kryer bazuar në qëllimin kryesor të saj: formulimi i ndryshimeve në strukturën e tatimeve dhe të shpenzimeve publike në funksion të gjenerimit të cikleve rritëse ekonomike dhe rritjes së treguesve të punësimit. Ashtu siç është sugjeruar nga Banka Botërore, në lidhje me këtë, pritet konsolidimi fiskal, një plan jo ambicioz investimesh dhe përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve publike, kryerja e pagesave të prapambetura ndaj sektorit privat. Mbi të gjitha pritet që kampi politik fitues të njohë domosdoshmërinë dhe ndikimin e zbatimit të rregullave fiskale për qëllime të efektivitetit të politikave fiskale, si një element i stabilizimit makroekonomik.
Pritet që siguria juridike efektive, në veçanti për biznesin, të jetë një nga bazat mbi të cilat po finalizohet programi i kampit fitues. Palët fituese duhet të mbajnë parasysh se zbatimi i sigurisë juridike efektive është i domosdoshëm pasi është parim kushtetues, detyrim në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria, test i rëndësishëm për vlerësimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, etj., dhe se tashmë siguria juridike efektive është pritshmëria kryesore e biznesit. Për këtë arsye, programi final duhet të ofrojë garancitë përkatëse, duhet të përmbajë veprime dhe shërbime efektive konkrete të hartuara mbi bazën e shqetësimeve dhe problemeve të biznesit, për ta siguruar atë se në çdo kohë do të jenë në gjendje të parashikojnë në mënyrë të arsyeshme pasojat ligjore që ndikojnë në investimet e tyre, pra, të përmbajë shërbime konkrete për të mënjanuar çdo potencial për pasiguri juridike që mund të shkaktohet nga mungesa e qëndrueshmërisë së legjislacionit, nga paqartësia dhe pasaktësia e ligjit, mospërdorimi i mirë i pushtetit, etj.
Është me vend të përmend këtu se në mënyrë të veçantë sugjerohet nga Banka Botërore që qeveria e re duhet të forcojë dhe të sigurojë
(i) zbatimin e ligjit, zbatimin pa diskriminim të ligjit, pasi asgjë nuk është më shqetësuese dhe përkeqësuese për zbatimin e ligjit sesa realiteti, por edhe perceptimi, se ai zbatohet në një mënyrë selektive dhe të pandershme, dhe
(ii) se është e rëndësishme që Shqipëria të rrisë kredibilitetin e institucioneve publike dhe të ketë një administratë profesionale dhe të depolitizuar; në fushën e zbatimit të politikës fiskale këto janë të domosdoshme dhe programi final duhet të përmbajë hapa konkrete për zbatimin efektiv të këtyre sugjerimeve.
Po kështu, nga të gjithë pritet që programi final për zbatim edhe ai që ka të bëjë me politikën fiskale të jetë i arritshëm, realist, i përcaktuar në kohë, i besueshëm dhe bazë e mirë për llogaridhënie.
Biznesi duhet të sigurohet që çdo hap i qeverisë së re në lidhje me politikën fiskale do të konsultohet me publikun sipas standardeve të detyrueshme, të njohura dhe praktikave më të mira.
Për shkak se programi final i gatshëm për zbatim nga kampi politik fitues pritet të sigurojë atë që është shkruar më sipër, është e rëndësishme që faza “inception” pas fitimit të zgjedhjeve parlamentare të shterohet me kujdes, duke përfshirë edhe në këtë fazë palët e interesuara, në mënyrë që kontrata sociale me publikun shqiptar të krijojë edhe bazë për zbatimin e kësaj kontrate sociale, sipas parimit të mirëbesimit, kjo në interes të publikut të gjerë dhe të komunitetit të biznesit në veçanti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.