Nga fqinjët e Shqipërisë, Greqia dhe Italia, me të cilët kemi aktivitet intensiv tregtar dhe për investimet, dhe ku jetojnë e punojnë pjesa më e madhe e emigrantëve, lajmet janë relativisht në mira.
Italia pritet të ketë një ecuri pozitive ekonomike në 2018-n, për t’u ngadalësuar në 2019-n.
Greqia do të vijojë rimëkëmbjen graduale, pasi dhe reformat strukturore të ndjekura që pas krizës së borxheve po japin efekt. Gjithsesi, problemet e shtetit helen vijojnë të mbeten të larta.
Italia, mirë në 2018-n, më pas rritja do të ngadalësohet
Rritja e PBB-së në Itali parashikohet të ulet nga 1.5% në 2018 deri në 1.3% në 2019. Konsumi privat do të vazhdojë të jetë nxitësi kryesor i rimëkëmbjes, i cili do të vazhdojë të rritet si për investimet ashtu edhe për eksportet, sipas pritshmërive të OECD. Fitimet e punësimit do të mbështesin të ardhurat e disponueshme të familjeve. Incentivat e taksave dhe rritja e kërkesës së jashtme do të mbështesin investimet e biznesit dhe rritjen e eksporteve.
Kapaciteti i tepërt po ngushtohet, por inflacioni i çmimeve të konsumit dhe presionet e rritjes së pagave do të vazhdojnë të mbeten të ulëta. Politika fiskale do të kthehet nga një ekspansion i butë në një qëndrim gjerësisht neutral në vitin 2018. Teksa rimëkëmbja të bëhet më e qëndrueshme, zbatimi i reformave strukturore duhet të shoqërohet nga një suficit buxhetor primar në rritje graduale. Kjo varet nga ecuria e mëtejshme për zvogëlimin e evazionit fiskal dhe racionalizimin e shpenzimeve fiskale dhe shpenzimeve aktuale.
Për të përmirësuar sferën sociale, burimet duhet të zhvendosen drejt programeve që synojnë rritjen e stimujve të punësimit të të rinjve. Niveli i lartë i normës së kredive me probleme të bankave dhe borxhi i lartë publik, janë dy prej faktorëve kryesorë që paraqesin dobësi financiare. NPL-të kanë ndikim shumë të madh në bilancet e bankave, duke rritur rreziqet për financat publike në rast të një krize të mundshme. Borxhi i lartë publik kufizon politikën fiskale, duke e bërë atë tepër të ndjeshme ndaj ndryshimeve në normat e interesit. Strategjia e qeverisë për t’u marrë me bankat e dobëta po jep frytet e saj dhe NPL-të kanë filluar të shënojnë rënie.
Rimëkëmbja është duke avancuar
Investimet e biznesit, sidomos në makineri dhe pajisje, kanë shënuar rritje për shkak të incentivave bujare të taksave të investimeve dhe nevojës së firmave për të rinovuar kapacitetin e tyre prodhues. Rritja e kërkesës së jashtme është shumë e rëndësishme për rritjen e eksporteve. Rritja e punësimit ka qenë e qëndrueshme, pavarësisht përjashtimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore nga kontratat e përhershme. Megjithatë, hapja e vendeve të reja të punës po mbështetet gjithnjë e më shumë në kontrata të përkohshme. Rritja e të ardhurave reale të disponueshme dhe kreditimit të konsumatorëve ka mbështetur konsumin privat, duke u krijuar familjeve mundësinë për të rritur kursimet e tyre. Edhe norma e kredive me probleme (NPL-ve) po ulet ndjeshëm.
Treguesit kryesorë të prodhimit dhe shërbimeve, si dhe rritja e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, janë disa prej faktorëve kryesorë tregues të një aktiviteti të fuqishëm ekonomik në një periudhë afatshkurtër. Edhe pjesa e bizneseve që planifikojnë të rrisin investimet në muajt në vijim po shënon rritje. Kapaciteti i tepërt është ngushtuar, por ende nuk është reflektuar në rritje të çmimeve dhe pagave. Pritshmëritë e inflacionit të bizneseve kanë rënë nga piku i tyre në fillim të 2017-s dhe tashmë janë në nivele të ulëta. Ngadalësia e tregut të punës mbetet e konsiderueshme për shkak të rritjes së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore dhe nënpunësimit, duke frenuar rritjen e pagave.
Rritja pritet të ngadalësohet
Rritja e PBB-së është parashikuar të mbetet gjerësisht e qëndrueshme në 2018 dhe të ulet në vitin 2019. Rritja e konsumit privat do të lehtësohet pas rritjes së moderuar të pagave dhe punësimit. Rritja e kërkesës globale dhe të brendshme, si dhe incentivës së taksave do të mbështesë rritjen e eksporteve dhe investimeve. Rritja e kërkesës së brendshme do të mbështesë rritjen e importit, por suficiti i llogarisë rrjedhëse do të vazhdojë të rritet. Një rënie më e shpejtë se sa pritej e NPL-ve, madje edhe nëse është graduale, do të rriste dhe do të forconte më tej besimin e investimeve private. Besimi më i fortë dhe më i qëndrueshëm i konsumatorit mund të sjellë ulje të kursimeve dhe rritje të konsumit privat. Një rikuperim më i shpejtë global do të nxisë rritjen e eksporteve.
Nga ana tjetër, pjesa në rritje e kontratave të përkohshme mund të rezultojë në rritjen e kursimeve, duke zvogëluar rritjen e konsumit privat. Një inflacion më i lartë në Eurozonë, në krahasim me atë që ishte parashikuar, mund të shpejtojë ritmin e normalizimit të politikës monetare, duke kërkuar një suficit fiskal më të lartë për arritjen e objektivave fiskalë dhe uljen e kredisë konsumatore. Ngadalësimi i ritmit të reformave strukturore dhe fiskale pas zgjedhjeve të planifikuara në fillim të vitit 2018 do të ulte besimin dhe do të prishin një rimëkëmbje të qëndrueshme.
Greqia, rimëkëmbje graduale
Ekonomia e Greqisë parashikohet të rritet me 2.3% në vitin 2018 dhe pastaj të shënojë rënie të moderuar deri në 2% gjatë vitit 2019, sipas parashikimeve të OECD. Rritja e konsumit privat dhe investimeve janë ndër faktorët kryesorë që do të ndikojnë në rimëkëmbjen, duke zvogëluar pasiguritë politike dhe duke përmirësuar gradualisht kushtet financiare. Eksportet duhet të vazhdojnë të rriten, mbështetur nga kërkesa e jashtme në rritje. Përshpejtimi i importeve do të shënojnë rënie në vitin 2019. Kapaciteti i tepërt po zvogëlohet, por gjithsesi vazhdon të mbetet jashtëzakonisht i madh, duke kufizuar presionin e çmimeve dhe pagave. Suficiti buxhetor është në rrugën e duhur për të tejkaluar objektivin e 2017-s, duke përmirësuar politikën fiskale dhe kufizimin e shpenzimeve.
Një progres i mëtejshëm është i shumë i nevojshëm edhe në drejtim të zvogëlimit të borxhit të taksave. Zvogëlimi i niveleve të larta të varfërisë, sidomos tek të rinjtë, vazhdon të mbetet një prej pikave më emergjente. Si hap i parë, programi i garantuar i të ardhurave minimale është mirëpritur, por mbrojtja sociale në përgjithësi duhet të rifokusohet.
Sipas rishikimit të fundit të shpenzimeve është vënë re një zgjerim i moderuar drejt programeve sociale. Reformat e vazhdueshme të tregut të produkteve do të përmirësonin edhe më tej konkurrueshmërinë. Borxhi i lartë publik i Greqisë dhe shkalla e lartë e bankave me kredi me probleme (NPL) janë shkaqet kryesore të dobësimit të financave. Ulja e nivelit të borxhit dhe vendosja e tij në rrugën e duhur do të kërkojë reforma të qëndrueshme për të rritur prodhimin potencial dhe ristrukturimin e borxhit shtesë. Niveli i lartë i bankave që kanë kredi me probleme shton rreziqet dhe kufizon kreditimin e bankave. Trajtimi gradual dhe asgjësimi i NPL-ve mbeten disa prej prioriteteve kryesore.
Po shfaqet një rimëkëmbje graduale
Përfundimi i rishikimit të dytë të programit të BE-së në qershor të 2017-s rriti besimin, duke mbështetur aktivitetin. Rritja e punësimit është duke mbështetur të ardhurat dhe konsumin privat, edhe pse shumë pozicione të reja pune janë të përkohshme ose me kohë të pjesshme dhe paguhen me pagën minimale. Përmirësimi i konkurrencës së Greqisë po rrit eksportet e mallrave ndërsa rimëkëmbja ndërkombëtare po mbështet të ardhurat e turizmit. Kapaciteti i tepërt mbetet i rëndësishëm dhe inflacioni dhe presionet e pagave janë të dobëta.
Qasja e bankave në gjetjen e fondeve po përmirësohet. Ndërsa depozitat e humbura gjatë krizës ende pritet që të kthehen, qasja e bankave ndaj financimeve ndërbankare po rritet, ndërsa përdorimi i tyre i financimit emergjent nga banka qendrore po zvogëlohet. Megjithatë, bankat vazhdojnë të ulin kreditimin. Normat e kredive me probleme (NPL) mbeten të larta, në 36% të totalit të kredive në fillim të vitit 2017.
Rindërtimi i elasticitetit bankar dhe fiskal për një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse
Qeveria është në rrugën e duhur për të arritur një suficit buxhetor primar prej 2.2% të PBB-së në 2017, mbi objektivin që kishte parashikuar.
Përmirësimet e vazhdueshme në mbledhjen e të ardhurave dhe përfundimi i programeve të përkohshme të shpenzimeve mbështesin buxhetin dhe kompensojnë shkurtimet në normat e tatimit mbi të ardhurat personale dhe rritjen e konsumit të qeverisë. Pasiguria e reduktuar mbi financat publike çoi në një përmirësim të vlerësimit të kredive të qeverisë dhe në zvogëlimin e diferencave në borxhin publik dhe i lejoi asaj të emetojë letrat me vlerë për herë të parë në tre vitet e fundit.
Përmirësimi i sistemit tatimor dhe kontrolleve të shpenzimeve pritet të ndikojnë në një rritje të suficitit buxhetor primar në 2018 dhe 2019. Reformat po përmirësojnë qeverisjen e bankave dhe po ulin kostot. Një strukturë e re për reduktimin e NPL – është në proces e sipër dhe duhet theksuar që bankat kanë arritur të përmbushin objektivat fillestare. Bankat janë të mirëkapitalizuara, por cilësia e kapitalit është e pasigurt, edhe pse kontrollet mbi këtë të fundit janë shtuar.
Përmirësimi i investimeve do të nxisë rimëkëmbjen
Rritja e PBB-së parashikohet të forcohet në vitin 2018 dhe të mbetet e qëndrueshme në 2019. Investimet në sektorin e biznesit dhe të banesave parashikohet të përmirësohen pas 10 vitesh tkurrjeje, atëherë kur si kushtet e financimit ashtu edhe besimi të përmirësohen. Efekti i reformave të fundit të produkteve dhe të tregut të punës do të mbështesë konkurrencën. Rritja e punësimit dhe inflacioni i ulët do të mbështesin konsumin privat. Rimëkëmbja në shpenzimet brenda vendit do të përshpejtojë në mënyrë progresive importet në raport me eksportet, ku eksportet neto do të kontribuojnë negativisht në rritjen e PBB-së në 2019.
Nivelet e larta të borxhit publik dhe NPL-ve e bëjnë Greqinë shumë të ndjeshme ndaj çdo parashikimi. Një progres i ngadalshëm në adresimin e NPL-ve do të ulte besimin, investimet dhe aktivitetin. Kostot e larta të borxhit publik, sidomos pas përfundimit të programit të BE-së në gusht 2018, mund të ndikojnë negativisht si në financat publike ashtu edhe në uljen e besimit, duke zvarritur në këtë mënyrë rritjen. Një përparim më i madh në programin e reformave do të rriste produktivitetin dhe investimet, më shumë se ç’ishte parashikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.