Problemi i të qenët “shef” dhe “punonjës” njëkohësisht

12/11/2018 4:34 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Sot, gjithnjë e më shumë njerëz punojnë nga shtëpia, për një pjesë ose gjatë gjithë javës. Fleksibiliteti mund të duket një ide e mirë, por shumë njerëz kanë vështirësi në menaxhimin e kohës.

Të punuarit nga shtëpia në izolim mund t’i pengojë njerëzit në marrëdhëniet e përditshme ndërpersonale që mund të ofrojë jeta profesionale – e cila mund të nxisë kreativitetin dhe të përmirësojë mirëqenien tonë mendore.
Koha është e çmuar dhe një monedhë që duhet ta shpenzoni. Menaxhimi i kohës përfshin menaxhimin e marrëdhënieve komplekse dhe konflikteve brenda vetes dhe po ashtu me të tjerët.

Në një vend pune të zakonshëm, në menaxhimin e kohës na vjen në ndihmë fakti që aksesi ndaj shumë tundimeve është i kufizuar. Nuk na duhet ta monitorojmë vazhdimisht veten, pasi me shumë mundësi këtë gjë e bëjnë kolegët apo drejtuesit tanë. Edhe pse mund të ankohemi rreth mungesës së zgjedhjes së asaj që bëjmë dhe kur e bëjmë – si për shembull pjesëmarrja në një mbledhje prej dyorëshe – mund të ndihemi gjithashtu të lehtësuar nga nevoja se do të duhet të bëjmë zgjedhje se çfarë do të bëjmë më pas.

Por kur punojmë nga shtëpia, rriten tundimet që mund të konsumojnë kohën tonë. Ushqimi është në frigorifer ose mund të blejmë diçka te dyqani pranë shtëpisë. Ne mund të tundohemi lehtësisht nga rrjetet sociale, faqet e ndryshme në internet apo lojërat online. Për disa, tundimi për të përdorur “keq” kohën e tyre, veçanërisht online, mund të jetë joshës. Në çdo moment, ekziston një ekuilibër delikat i fuqisë brenda. Midis anës sonë krijuese, konstruktive dhe anës që kërkon kënaqësi në mënyrën më të lehtë.

Puna e vërtetë shpesh mund t’ju trembë dhe përgjegjësia mund t’ju frikësojë. Detyrat e vështira mbeten të mjegullta nëse nuk i fillojmë. Zvarritja nuk është një mënyrë e mirë për të menaxhuar ankthin, por është diçka e zakonshme. Shtyrja e gjërave rrit natyrshëm ankthin, por po ashtu mban gjallë mundësinë që detyra të çohet në fund me sukses – në një pikë të caktuar të së ardhmes.
Në punë, presioni i menaxhimit të kohës vjen në pjesën më të madhe nga të tjerët. Në shtëpi, ndihemi si “shefi” si “punonjësi”, kështu që konflikti, tani i brendshëm, mund të jetë shumë më i vështirë për t’u menaxhuar.

Nëse jemi me fat, ne kemi një zë të brendshëm, të sjellshëm dhe prindëror që mund të na drejtojë drejt zgjedhjeve të dobishme, ndërkohë që na jep kohë që të argëtohemi. Megjithatë, pjesa më e madhe prej nesh kanë një zë të brendshëm të bezdisshëm që na kritikon pse nuk i kemi bërë gjërat si duhet, duke rritur ankthin për aftësitë që të përfundojmë punën që kemi në dorë. Për disa njerëz, ‘shefi’ në kokën e tyre mund të jetë më kritik dhe jomiqësor se ai në vendin e punës. Kjo me shumë mundësi do t’i çojë ata drejt përdorimit të mënyrave destruktive për t’ju shmangur apo për të mbrojtur vetveten.

Në punë ne përballemi me të tjerët në mënyra që mund të na vijnë në ndihmë: ata mund të hedhin poshtë idetë tona kur jemi të përfshirë në një mënyrë të ngushtë të menduari ose të shprehin vlerësimin e tyre për punë tonë. Por edhe kur kemi konflikte apo marrëdhënie të vështira me të tjerët, mund të na ndihmojnë në njëfarë mënyre. Jo vetëm mund t’i përcaktojmë dhe përmirësojmë idetë tona nëpërmjet këtyre diskutimeve, por nëse këto konflikte nuk ndodhin vetëm brenda kokës sonë, shqetësohemi më pak së brendshmi.

Ne mund t’i bëjmë disa prej këtyre gjërave virtualisht kur punojmë nga shtëpia, por komunikimi nëpërmjet email-it, mesazheve nëpërmjet rrjeteve sociale ndryshon shumë nga komunikimi ballë për ballë. Shumë njerëz kanë nevojë për t’u përballur me njerëz të tjerë për të pasur sukses në jetën e tyre profesionale dhe krijuese dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre – në mënyra që shkojnë përtej nevojës së tyre për miqësi ose për të shmangur vetminë.

Pra, nëse mendoni se të punuarit nga shtëpia është sfiduese, mos u shqetësoni, shumë njerëz e bëjnë një gjë të tillë. Merreni seriozisht mundësinë që keni për të krijuar diçka të ngjashme me një vend pune në shtëpinë tuaj, larg hapësirës së çlodhjes. Mendoni për atë që duhet të bëni, duke u qëndruar larg shpërqendrimeve si aksesi në internet gjatë ditës. Merreni seriozisht mundësinë për të krijuar marrëdhënie ndërpersonale me kolegë dhe miq, përveçse online. Nuk jemi krijuar për ta jetuar jetën tonë emocionale në izolim dhe kemi nevojë që të tjerët të socializohen me ne.

*Sue Kegerreis, lektor në Centre for Psychoanalytic Studies në University of Essex.
Burimi: BBC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of