INSTAT ka publikuar rezultatet e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2012 për Republikën e Shqipërisë sipas rajoneve statistikore në nivelet 1, 2 dhe 3 të përcaktuara sipas Nomenklatures së Njësive Territoriale për Statistikat (NUTS) të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2012, sipas rajoneve statistikore niveli 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korrente ishte 1.335,5 miliardë lekë, duke shënuar një rrije prej rreth 1,6 % krahasuar me vitin 2011. Në vitin 2012 sipas rajoneve statistikore niveli 2, në rajonin Qendër, PBB me çmime korrente ishte 615,3 miliardë lekë ose 46,1 % ndaj totalit të PBB-së së vendit. Krahasuar me vitin 2011, PBB me çmime korrente shënoi një rritje prej 1,6 %. PBB me çmime korrente në Rajonin Jug ishte 399,7 miliardë lekë ose 29,9 % ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2011, PBB me çmime korrente u rrit me prej 1,0 %.
PBB me çmime korrente në Rajonin Veri ishte 320,5 miliardë ose 24,0 % ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2011, PBB me çmime korrente shënoi një rritje prej 2,3 %.
Sipas rajoneve statistikore niveli 3 (Qarqet) vlera më e ulët në PBB paraqitet në qarkun e Kukësit me 27,9 miliardë lekë ose 2,1 % ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2011, PBB me çmime korrente shënoi një rënie prej 4,3 %. Vlera më e lartë në PBB paraqitet në qarkun e Tiranës me rreth 510 miliardë lekë ose 38,2 % e totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2011, PBB me çmime korrente shënoi një rritje prej 2,1 %.
PBB për frymë sipas niveleve statistikore
Në vitin 2012 niveli i PBB-së për frymë në rajonin statistikor nivel 1 (Republika e Shqipërisë) ishte rreth 460 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2011 PBB për frymë u rrit me 2,7 %.
Në rajonet statistikore niveli 2, në rajonin Qendër, PBB për frymë në vitin 2012 ishte rreth 565 mijë lekë ose 22,7 % mbi mesataren e vendit. Krahasuar me vitin 2011, PBB për frymë në rajonin Qendër shënoi një rritje prej 0,9 %. Në rajonin Veri PBB për frymë në vitin 2012, ishte rreth 372 mijë lekë ose 19,3 % nën mesataren e vendit. Krahasuar me vitin 2011, PBB për frymë në rajonin Veri shënoi një rritje prej 3,1 %. Në rajonin Jug PBB për frymë në vitin 2012 ishte rreth 421 mijë lekë ose 8,5 % nën mesataren e vendit. Krahasuar me vitin 2011, PBB për frymë në rajonin Jug shënoi një rritje prej 5,0 %.
Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore niveli 3 (Qarqe) në vitin 2012 ishte Tirana me rreth 650 mijë lekë ose 41,1 % mbi mesataren e vendit dhe pati një rritje prej 0,8 % krahasuar me 2011. Më pas renditet Qarku i Durrësit me rreth 481 mijë lekë ose 4,5 % mbi mesataren e vendit, i cili pati një rritje prej 0,7 % krahasuar me 2011. Më pas renditet qarku i Fierit me rreth 521 mijë lekë ose 13,1 % mbi mesataren , i cili pati një rritje prej 16,1 % krahasuar me 2011. PBB për frymë për qarqet e tjera ishte nën mesataren e vendit ku më e ulta ishte ajo e qarkut të Dibrës me rreth 310 mijë lekë ose 32,7 % nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon qarku i Kukësit, me rreth 320 mijë lekë ose 30,5% nën mesataren e vendit. PBB-ja për frymë në Qarkun Korçë, është rreth 322 mijë lekë, ose 30,1 % nën mesataren e vendit.
PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standartin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Parities- PPS) në vitin 2012 është 21.790 PPS ose 29,5 % e mesatares së Bashkimit Evropian BE28 = 100 (shih informacion për përdoruesit, fq.4). Sipas rajoneve statistikore niveli 2 në Rajonin Qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2012 ishte 36,1 %, ndërsa në rajonet Veri dhe Jug ishte përkatësisht 23,8 % dhe 27,1 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.