Prodhimi në “Trepçë”, 18 për qind më i ulët se në vitin 2017

04/12/2018 9:59 AM 0 komente

Sipas të dhënave të menaxhmentit të “Trepçës”, deri në fund të tetorit të këtij viti janë prodhuar 8.954 tonë koncentrate të plumbit dhe të zinkut, 18 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri në fund të tetorit të vitit 2017 janë nxjerrë 154.884 tonë xehe, ndërsa këtë vit 132.496 tonë xehe. Bordi Mbikëqyrës emëron ushtruesin e ri të drejtorit, inxhinierin Xhevdet Tahiri, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Prodhimi i koncentratit të plumbit dhe të zinkut, si dhe i xehes në minierën e Stan Tërgut vazhdon të shënojë rënie. Duke e krahasuar me vitin 2014, prodhimi i koncentratit dhe i xehes në minierën e Stan Tërgut ka shënuar rënie për gati 50 për qind.

Menaxhmenti aktual i “Trepçës” ka dalë me të dhënat e prodhimit në vitin 2018, sipas së cilave deri në fund të tetorit të këtij viti janë prodhuar 8.954 tonë koncentrate të plumbit dhe të zinkut, 18 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas drejtuesve të “Trepçës”, deri në fund të tetorit të vitit 2017 janë nxjerrë 154.884 tonë xehe, ndërsa këtë vit 132.496 tonë xehe, që është shumë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2014 ishte shënuar rezultati rekord i prodhimit, 18 mijë tonë koncentrate të plumbit dhe të zinkut, si dhe janë prodhuar 204 mijë tonë xehe. Niveli i ulët i prodhimit në gjigantin ekonomik kosovar ka ardhur si pasojë e teknologjisë së stërvjetruar, mungesës së investimeve, moshës së shtyrë të minatorëve, si dhe mungesës së zbatimit të Ligjit për “Trepçën”.

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” ka emëruar ushtruesin e ri të drejtorit të “Trepçës”, pasi që ushtruesi i deritashëm Miftar Hyseni ka shkuar në pension. Ky i fundit vazhdimisht ka potencuar se shteti i Kosovës dhe Qeveria nuk janë duke bërë asgjë që “Trepça” të funksionalizohet sepse Ligji për “Trepçën” nuk është duke u zbatuar, ndonëse kanë kaluar dy vjet nga miratimi i tij. “Që nga paslufta ‘Trepça’ vazhdimisht është përballur me vështirësi të mëdha. Investimet kanë munguar, teknologjia është e stërvjetruar, andaj ka edhe rënie drastike të prodhimit”, ka thënë Hyseni, i cili ka bërë të ditur se në vitin 2014 është arritur rezultati rekord i prodhimit të koncentratit dhe të xehes.

2014-a, viti rekord i prodhimit
“Në vitin 2014 është shënuar rezultati rekord i prodhimit. Janë prodhuar 18 mijë tonë koncentrate të plumbit dhe të zinkut, si dhe janë prodhuar 204 mijë tonë xehe”, ka precizuar ai. Në anën tjetër, ushtruesi i ri i detyrës së drejtorit të “Trepçës” Xhevdet Hyseni, i cili ka mbi 15 vjet të punës në “Trepçë”, ka thënë se duhet punuar që prodhimi në “Trepçë” të rritet dhe të përmirësohen kushtet për punë të minatorëve.

“Duhet punuar të gjithë që të funksionalizohet Bordi Menaxhues, si dhe që Ligji të zbatohet, të miratohet statuti dhe ndërmarrja të regjistrohet. Në ‘Trepçë’ ka nevojë të investohet, si dhe të përmirësohet gjendja financiare”, ka thënë ai.

Ndonëse Ligji për “Trepçën” është miratuar në tetorin e vitit 2016, gjendja në gjigantin ekonomik kosovar nuk ka ndryshuar, përkundrazi situata është përkeqësuar edhe më tutje. Me miratimin e Ligjit “Trepça” i kishte shpëtuar likuidimit, por më tutje nuk ishte bërë asnjë hap që gjendja të ndryshojë dhe që kombinati të rimëkëmbët. Në bazë të këtij ligji pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës. 80 për qind e aksioneve i kaluan shtetit të Kosovës, përkatësisht Qeverisë, ndërsa 20 për qind e aksioneve janë të punëtorëve të “Trepçës”.

E ndërkaq menaxhmenti i “Trepçës”, i cili funksionon me ushtrues të detyrës së menaxherit, ka kërkuar që sa më parë të miratohet statuti dhe ligji të fillojë të zbatohet, me çka do t’i hapet rrugë regjistrimit dhe investimeve në gjigantin metalurgjik kosovar. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik kanë pranuar se statuti është dorëzuar, por nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur ai do të mundë të dërgohet në Kuvend për miratim. E ndërkaq, duke u bazuar në Ligjin për “Trepçën”, struktura organizative, kapitali, menaxhimi dhe çështjet e tjera organizative të “Trepçës” përcaktohen me statutin e ndërmarrjes. Miratimi i statutit i hap rrugë regjistrimit të ndërmarrjes dhe zbatimit të ligjit, gjë që e mundëson rimëkëmbjen dhe zhvillimin e “Trepçës”.

Kryetari i Sindikatës kërkon miratim të shpejtë të statutit

Ardian Syla, kryesues i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, ka thënë se hartimi i statutit të ndërmarrjes “Trepça” ka përfunduar dhe ai është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës. Në hartimin e statutit të “Trepçës” kanë marrë pjesë dy grupe, njëri që kanë vlerësuar asetet që janë në pronësi të ndërmarrjes, si dhe grupi tjetër që ka ofruar zgjidhjen e çështjeve sociale sipas kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”.

Në SP të Punëtorëve të “Trepçës” kanë thënë se pothuajse të gjitha kërkesat e sindikalistëve janë përfshirë në statutin, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës. Kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ka kërkuar nga institucionet e shtetit të Kosovës që ta miratojnë sa më shpejt statutin e “Trepçës”, në mënyrë që ndërmarrja të mund të lëvizë përpara dhe të mos ketë më ngecje. Ai ka shtuar se si pasojë e vonesave të mëdha dhe mosfunksionimit të Ligjit edhe prodhimi në “Trepçë” ka shënuar rënie drastike, gati 50 për qind./ ZERI

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of