Flet Bledar Çergani, zëvendësdrejtor Departamenti i Shitjes për Biznesin Union Bank
Plotësimi i kuadrit ligjor për energjinë nga burimet e rinovueshme dhe rritja e interesit për këtë aspekt ka bërë që edhe sektori bankar t’u përshtatet zhvillimeve të tregut, duke nxjerrë produkte të dedikuara.
Bledi Cergani, zëvendësdrejtor i Shitjeve pranë Union Bank, në një intervistë për “Monitor” shprehet se ky sektor vlerësohet me potencial për shkak të kushteve të favorshme klimatike që ofron Shqipëria, ndaj ofrimi i një produkti të dedikuar është një hap pozitiv.
Ju keni diversifikuar portofolin e produkteve që lidhen me energjinë duke shtuar përveç eficencës edhe pjesën e fotovoltaikëve. Pse ky vendim?
Union Bank, prej disa vitesh është në treg me produktin e kredisë për eficencën e energjisë. Kjo kredi ka si përfitues të saj individët, të cilët investojnë në apartamentin e tyre në funksion të eficencës së energjisë.
Politikat energjetike kudo në botë po zhvillohen drejt një ekonomie me karbon të ulët, duke nxitur prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Kapacitetet e limituara, si dhe varësia e plotë e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike po i orientojnë bizneset gjithnjë e më tepër drejt investimeve në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, një prej të cilave është edhe energjia diellore. Për shkak të kushteve të favorshme atmosferike, Shqipëria renditet ndër vendet me potencial të lartë për prodhimin e energjisë së rinovueshme në Europë. Duke parë interesin e bizneseve në këtë drejtim, Banka jonë vendosi të futet në treg me këtë produkt të ri.
Çfarë përfaqëson produkti i ri që keni lidhur me fotovoltaikët (kushtet mbi të cilat jepet, interesi etj.)?
Kredia për Panele Fotovoltaike është një produkt kreditor që financon nevojat e bizneseve për investime në blerjen dhe instalimin e paneleve diellore për prodhimin e energjisë elektrike, me qëllim përdorimin vetjak të biznesit. Panelet Fotovoltaike kanë jetëgjatësi të lartë, amortizimi i tyre shkon deri në 25 vjet, ndërsa kthimi i investimit shkon në 6-7 vite pune. Ky investim është me shumë përfitime, pasi shoqëria do të paguajë këstin e kredisë me ato çfarë do të kursejë nga pagesa e faturës së energjisë për vitet e kredisë ndërsa pas shlyerjes së kredisë do të kursehet totalisht pagesa e energjisë pasi shoqëria do ta prodhojë vetë atë.
Banka financon deri në 70% të vlerës së investimit, me normë interesi preferenciale prej 5% për kredinë në euro dhe me këste mujore sipas sezonalitet të biznesit. Mjafton që biznesi të ketë rezultuar me fitim gjatë 3 viteve të fundit dhe kësti i kredisë të rezultojë më i ulët se pagesa e kryer për faturën e energjisë dhe kredia rezulton e aprovuar.
Nëse aplikimi për kredi nuk shoqërohet me një kolateral hipoteke, kemi opsionin e financimit me anë të Leasing-ut me kompaninë tonë Landeslease, ku mjafton paneli i blerë si garanci për kredinë e kërkuar.
A mund të kemi një shembull për një kredi një plan shlyerje. Nëse unë si (X) biznes kam një investim 20 mije euro për këtë projekt dhe marr nga ju 70% të vlerës, si vijohet me planin sa llogariten këstet?
Për një investim në panele fotovoltaike kërkohet kapital më i lartë se 20 mijë euro, pasi energjinë e prodhuar do ta përdorësh për konsumin e biznesit tënd dhe nevojitet një konsum minimal mujor me kosto 1.5 milionë lekë në vit që investimi të rezultojë eficient.
Më poshtë po ilustroj 2 shembuj plan shlyerje kredie:
1) Nëse investimi është 20 mijë euro, klienti mund të financohet nga UB deri në 14 mijë euro, për shumën 14 mijë euro me afat 5-vjeçar rezulton një këst 265 euro/muaj.
2) Nëse investimi është 300 mijë euro, klienti mund të financohet nga UB deri në 210 mijë euro. Për këtë shumë me afat 5-vjeçar rezulton një këst
3’970 euro/muaj.
Siç e theksova më sipër. klienti kredinë do ta paguajë me kursimin që kryen nga mospagesa e faturës së energjisë elektrike me investimin e ri, duke qenë se nuk do t’i duhet të blejë me energji nga OSHEE.
Si ka qenë interesi i bizneseve dhe qytetareve për këtë lloj kredie?
Në Shqipëri janë kryer disa investime nga bizneset në panelet fotovoltaike, por mangësia në legjislacion për këto lloj investimesh dhe saktësimi i ligjit i cili përcakton marrëdhënien me shtetin në këtë fushë ka stepur shumë nga bizneset që të futen në këtë lloj investimi, i cili është shumë atraktiv për investitorin. Me miratimin e ligjit, pritet të rritet kërkesa për këto lloj investimesh dhe padyshim për këto lloj financimesh bankare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.