Produktet tipike shqiptare, 600 restorante në diasporë si mundësi për rritjen e eksporteve

18/10/2018 12:09 PM 0 komente

Rreth 600 restorante në diasporë me pronarë shqiptarë apo që menaxhohen nga shqiptarët janë evidentuar nga përfaqësitë diplomatike për të qenë në dispozicion të eksportuesve dhe shoqatave të agrobiznesit në Shqipëri. Qëllimi i kësaj nisme në kuadër të Diplomacisë Ekonomike është shtimi dhe mundësia për rritje të potencialit të eksportit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizuan eventin e promovimit të prodhimit shqiptar drejt diasporës.

Ministri Peleshi tha se bujqësia shqiptare ka bërë hapa përpara, veçanërisht në eksportet. Në total 14 % më tepër janë rritur eksportet. Megjithatë eksportet mbeten ende sfida jo të lehta, të cilat kërkojnë një bashkëpunim forcash ndërministrore. Për këtë arsye, vijoi ai, këtë databazë do ta vëmë në dispozicion të prodhuesve shqiptarë, për ta bërë më të lehtë aksesin e tyre në tregjet europiane.

Ministri Peleshi bëri me dije se paralel me këtë nismë, po punojmë për të rritur cilësinë, për të rritur marketimin, për të forcuar të gjithë elementët që e ndihmojnë një produkt të shitet sa më mirë në treg. Jemi duke ndërtuar një rrjet të inkubatorëve, pra të punishteve të vogla, në zonat rurale për prodhimin me cilësi dhe me standarde të prodhimeve tipike, jemi duke miratuar, kemi hartuar draft ligjet për prodhimet tipike, edhe konform legjislacionit të BE-së

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se pas fazës së evidentimit të këtyre 600 restoranteve, tanimë do të bëhet kanalizimi i të gjitha energjive që këto restorante të kenë mundësi të bëjnë pjesë të asortimenteve të tyre prodhime shqiptrare.

“Hapi i dytë i këtij projekti do të jetë kanalizimi i të gjitha energjive në mënyrë që nga këto 600 restorante dhe biznese shqiptare ne të kemi mundësi që një pjesë të prodhimeve shqiptare që mund të eksportohen në tregjet europiane dhe të Amerikës së Veriut të mbërrijë në këtë destinacion. Element tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me promovimin apo brendimin e produkteve shqiptare është i lidhur ngushtë dhe me sistemin e incentivave që ofron qoftë qeveria shqiptare, agjenci të ndryshme apo edhe vetë BE”, tha ministri Bushati.

Së shpejti ky projekt do të finalizohet me një aplikacion që do të quhet “Albanian Flavors”, ku do të prezantohen prodhimet shqiptare.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of