Profesionet e lira do të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore më të larta. Paketa e re fiskale, që shoqëron buxhetin e vitit të ardhshëm, shprehet se: “Për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, ku përfshihen inxhinierët, ekspertët kontabël, noterë, farmacistë, mjekë, avokatë etj. kontributet shoqërore dhe shëndetësore do të paracaktohen sipas nivelit të pagës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj”.
Ky ndryshim nuk është pritur mirë nga grupet e interesit, të cilët pohojnë për Monitor se do të shtojë barrën e profesioneve të tilla.
Ilir Daiu, Kontabilist i Miratuar dhe ekspert i fushës fiskale shpjegon se rritja e kontributeve, që në rastin konkret, e prek këtë grup me rreth 20 mijë lekë shtesë, do të vështirësonte një kategori kontabilistësh që ushtrojnë profesionin e tyre me zyra të vogla. “ Kjo shtesë pagese për kontributet, do të sillte mbylljen e një sërë zyrave të vogla”, – pohon z. Daiu, duke thënë edhe se duhen bërë specifikime të tjera në këtë pr. ligj, që të ndante zyrat e kontabilistëve si persona fizike, me firma më të mëdha sh.p.k, që kanë edhe të punësuar.
Eksperti i ekonomisë, z. Zef Preçi argumenton se ndryshimi i masës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira, duke u mbështetur në një pagë reference deri në masën e pagës maksimale për efekt sigurimesh, që është në proces shqyrtimi nga Kuvendi, në fakt është një vazhdim i procesit të nisur nga qeveria aktuale në fund të vitit 2013. “Atëherë rreth 12500 specialistë, ekspertë, drejtues kompanish private, etj., u bënë objekt i taksës progresive, që prej asaj kohe prek deri në 23% të të ardhurave mujore të tyre. “- pohon ai.
Preçi shton “ Në rastin konkret, mendoj se dalin të paktën dy probleme. Së pari, kjo rritje taksash edhe pse synon të ulë informalitetin e supozuar në këtë veprimtari, mendoj se shkon në linjën e rritjes së ndërhyrjes shtetërore në ekonomi. Kjo sepse po vendoset një page reference e detyrueshme që nuk merr parasysh diferencat në veprimtarinë e këtyre profesionistëve, përndryshe tregjet specifike dhe sjelljen e tyre.”
Arsyen e dytë z. Zef e lidh me faktin se, jo të gjithë të ardhurat e këtyre profesioneve të lira shkojnë për konsum në formën e pagave të punës si e ardhur personale, se ato kanë edhe shpenzime të tjera për të përballuar për ushtrimin e veprimtarisë së tyre (si blerje pajisjesh pune dhe zyre, etj) dhe tarifat që përdorin janë subjekt kontrolli dhe verifikimi tatimor gjithashtu. “Në këto kushte, ekziston rreziku që jo vetëm të demotivohet ushtrimi i këtyre profesioneve, por edhe të deformohet iniciativa e lirë dhe rezultatet e ushtrimit të kësaj veprimtarie në krahasim me fusha të tjera së të bërit biznes në vendin tonë.”- argumenton më tej z. Preçi.
Ekspert i sigurimeve shoqërore Naim Balluku shpjegon për Monitor se, këto profesione deri tani, kanë paguar kontribute sipas dy fashave: mbi pagën minimale prej 22 mijë lekë dhe mbi pagën e 44 mijë lekëve. “ Tashmë, kontributet shtohen mbi 20 mijë lekë duke u bazuar në vendimin e pagës maksimale që është 97,030 lekë”- thotë z. Balluku.
Ai shton se, tani një i vetëpunësuar në këto profesione, paguan kontribute për sigurimin shëndetësor, me normën prej 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44 000 lekë, si dhe paguan kontribut shoqëror mbi pagën minimale, me normën prej 23%.
Ndërkohë, nëse ky individ do të ishte i punësuar në një subjekt tjetër tatimor, do të paguante kontribut shëndetësor, në bazë të pagës bruto të deklaruar, në masën 3,4% si dhe kontribute shoqërore në masën 24.5% mbi pagën bruto.
Në pr.ligj qeveria argumenton se statusi ekonomik i profesioneve të lira nuk mund të barazohet me të vetë-punësuarit e tjerë, ky trajtim i diferencuar krijon shtrembërim në kontribute mes një të vetëpunësuari dhe një të punësuari, që merr një pagë të caktuar për ushtrimin e profesionit, si i punësuar në një subjekt tatimor. Me anë të këtij propozimi synohet që të arrihet eliminimi i shtrembërimeve në trajtimin e pagesës së kontributit shëndetësor për të vetëpunësuarit, profesionistë të lirë. Relacioni vijon duke sqaruar se, në rast se paga bruto është më e madhe se paga maksimale, për efekt të pagesës së kontributeve, kontributet paguhen mbi pagën maksimale.
Nga rritja e kontributeve për profesionet e lira, qeveria pret të arkëtohen rreth 1.1 miliardë lekë.
Në kategorinë e të vetëpunësuarit, sipas përkufizimit ekzistues, përfshihen edhe tatimpaguesit, të cilët ofrojnë shërbime si profesionistë të lirë, të tillë si noter, doktor, farmacist, avokat, inxhinier, vlerësues pasurish, etj., të cilët gëzojnë të njëjtin trajtim fiskal, megjithëse me të ardhura më të larta, sikurse një i vetëpunësuar në sektorin e tregtisë, zejtarisë, etj. Nëse do të krahasojmë një të punësuar në një kompani X, që merr një pagë prej 100 mijë lekësh në muaj, dhe një avokat, rezulton se, me normat në fuqi, baza e llogaritjes së kontributeve është, si më poshtë:
Relacioni i qeverisë, jep një shembull konkret: një avokat paguan 6 556 lekë në muaj kontribute, ndërsa i punësuari paguan 27 172 mijë lekë në muaj. Pikërisht për të hequr këtë shtrembërim fiskal propozohet ky ndryshim në të treja ligjet që lidhen me pagesën dhe normat e kontributeve, të cilat, në finale, janë në përfitim të vet profesionistëve të lirë, sepse, duke kontribuar më shumë sot, në sistemin e kontributeve, do të marrin më shumë përfitime, si në pensione edhe në sistemin shëndetësor.
Projektligj është hartuar nga Ministria e Financave, për zbatimin e këtij projekt-ligji, ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky pr. ligj pritet të diskutohet në komisionet parlamentare dhe lista e plotë e profesioneve të lira do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Duan te krijojne monopole ne fushat e sherbimit profesional kjo duket e qarte
Shume dakort Arben. E njejta gje ndodh me dentistet, un per vete kliniken do ta mbyll dhe do te shtohen ata ne shtepi me agravantin qe kushtet higjenike i merr lumi. Keta profesioniste kane dhe shpenzime te tjera (materiale, qira, mirembajtje e ne rastin e klinikave dentare kane edhe nje investim fillestar jo indiferent) dhe nuk mund te krahasohen me avokatet e punesuar per te cilet ligji po ve “drejtesi”….. Po ku e gjeten kete avokat te punesuar me rroge 100 mije leke, vetem ne ato shoqerite qe fitojne tenderat e qeverise japin keto rroga. Nese merret nje mesatare, avokatet,… Read more »
Mendoj qe ligji eshte hartuar gabim. Nje avokat i punesuar mund te marre 100.000 leke ne muaj por ka me qindra e qindra ekonimiste, juriste qe ne firmat private paguhen realisht 30-40 mije lek ne muaj. Une jam ekonomist (kontabel miratuar) dhe po trajtoj probemin tone. Ne paguajme 100% te TVSH=se deklaruar, qe perben 20% te vleres qe arketojme, paguajme taksa te tjera si gjithe bizneset, paguajme qera zyre , internet, roje, energji elektrike etj. Me kete pagese shtese ne i japim shtetit mbi 50% te te ardhuarave bruto. Kjo eshte diskriminuese. Per te perballuar gjithe keto shpenime ne duhet… Read more »