Rritja e pagesës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira nga 1 janari dhe më pas taksat e reja të Bashkisë së Tiranës e kanë shtuar ndjeshëm barrën fiskale për këtë kategori në kryeqytet, duke bërë që raporti i taksave në përqindje ndaj fitimit të kalojë 60%.
Nga 1 janari, të vetëpunësuarit i paguajnë kontributet në bazë të pagave referencë të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave, që çoi automatikisht në trefishim të kontributeve nga 6500 lekë në muaj, në rreth 21 mijë lekë në muaj.
Armand Mala, ekspert kontabilist i Miratuar, ka bërë një llogaritje se sa taksa duhet të paguajë një dentist, me një xhiro vjetore deri në 4 milionë lekë dhe që ka një të punësuar. (shiko tabelën në fund të detajuar)
Vetëm taksa bashkie, dentisti duhet të paguajë rreth 43 mijë lekë (taksë tabele, reklame, pastrimi, arsim). Më parë taksat e bashkisë ishin më pak se 5 mijë lekë në vit (pra janë rritur me rreth 38 mijë lekë). Sigurimet vjetore për punëdhënësin janë 251.7 mijë lekë, ose 171.5 mijë lekë më shumë se një vit më parë, kur llogariteshin në bazë të pagës minimale. Vetëm nga taksat e bashkisë dhe kontributet dentisti duhet të paguajë rreth 210 mijë lekë më shumë taksa në vit, shumë që është 8 herë më e lartë se taksa vjetore për biznesin prej 25 mijë lekësh në muaj, që u hoq nga qeveria pak muaj më parë.
Duke llogaritur dhe tatimin mbi qiranë dhe sigurimin mbi të punësuarin tjetër, totali i taksave vjetore të dentistit arrin rreth 429 mijë lekë, apo 10.7% e xhiros totale.
Nëse shtohen dhe shpenzimet për materiale (Blerje Furniturash ndihmesë për aktivitetin) dhe të tjera administrative (qiraja, paga mujore e punonjësit), shpenzimet në total të aktivitetit të dentistit arrijnë në 3.35 milionë lekë, duke i mundësuar dentistit një fitim prej 647 mijë lekësh. Sipas llogaritjeve, totali i taksave ndaj fitimit është 66.3% (429 mijë lekë/647 mijë lekë në vit ose 35,735/53,932 lekë në muaj).
Në tabelën e llogaritjeve janë injoruar shpenzimet e detyrueshme periodike të tjera të një klinike dentare (si pagesa për certifikatën e higjienës, pagesa me kontraktorin për largimin e mbetjeve, licenca, Urdhri i Mjekut, etj.).
“Ja se si është not Doing Business në Shqipëri”- pohon eksperti. “Si mundet që shteti të marrë një pagë 35,735 lekë/muaj nga një individ që paga e tij ngelet vetëm 53,932 lekë/muaj?” – shtron pyetjen z. Mala, duke thënë edhe se një pjesë e këtyre profesionistëve do të detyrohen të mbyllin aktivitetin e tyre dhe të punësohen më mirë diku tjetër, element negativ ky për klimën e biznesit në vend.
Sipas tij, një dentist që realizon një xhiro vjetore 4 milionë lekë, dhe që në këndvështrimin e ligjvënësve dhe jo vetëm është njeri me të ardhura të mira, i aftë të mbajë goxha barrë takse përfundon me një fitim neto (ose pagë mujore për vete) pothuajse të barabartë me atë të ndihmësit të tij. Ai shton se ndonëse u tha se të afërmit mund të ndihmojnë pa u gjobitur, praktikisht kjo nuk po ndodh. “Kryeministri tha që do të marrë fund, më pas kur doli VKM që ndryshoi dhe pagat e referencës për profesionet e lira, konkretisht në pikën 5 të tij ku flet për punonjësit e papaguar të familjes, thotë që do të llogariten referuar VKM-së nr. 77, të datës 28.01.2015, që d.m.th. në thelb mbeti e njëjta gjë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.