Tipat krijues kanë pasur gjithmonë një të ardhme të pasigurt për sa i përket qëndrueshmërisë së karrierës dhe perspektivave të pagës.
Por në një epokë të re të automatizimit dhe pasigurisë së punës, kjo mund të ndryshojë.
Kështu mendon Yuval Harari, historiani izraelit i cili falë studimit mbi trendet e shoqërisë ka fituar mjaft simpatizantë, nga Barack Obama te Bill Gates.
Harari analizoi të ardhmen e debatit të fuqisë punëtore, duke u shprehur i sigurt se teknologjitë e reja do të çonin në humbjen e vendeve të punës brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, ai parashikoi se profesionet me një aspekt krijues, do të prekeshin më pak nga shkurtimet e vendeve të punës apo automatizimi, të paktën tani për tani.
“Është e sigurt se shumë vende pune do të zhduken, sidomos ato më monotonet dhe përsëritëse”, tha Farari në konferencën Asian Insights 2018. “Punët që kërkojnë një nivel më të lartë krijues do të jenë më të sigurta – të paktën në të ardhmen e afërt”, tha ai.
Duke u mbështetur në kërkimet e bëra, Harari u shpreh se nuk ka “asgjë të gabuar” në kryerjen e punëve të përsëritura, të mërzitshme dhe të mundimshme. Në fakt, ai tha se ishte në favor të tyre, duke shtuar se ato mund të zëvendësohen me punë të reja më kuptimplota. Por ai paralajmëroi kundër shfaqjes së një “klase të padobishme” – atyre që mbeten të tepërt nga humbjet e vendeve të punës – dhe u bëri thirrje njerëzve dhe institucioneve që të përpiqen më shumë për të siguruar që punonjësit të jenë në gjendje të aftësohen dhe të marrin role të reja.
“Ato çka duhet të mbrojmë me të vërtetë nuk janë punët, por njerëzit”, thotë Harari. “Mendoj se rreziku i madh i shfaqjes së një klase të padobishme nuk do të vijë për shkak të humbjes së madhe të vendeve të punës, por për shkak të vështirësisë në rikualifikimin dhe ripërtëritjen e vetes”.
“Si mund ta ripërtëritësh veten në moshën 50-vjeçare? Nuk është e pamundur, megjithëse shumë e vështirë: është përpjekje që kërkon shumë nga ana juaj dhe e qeverisë, e cila do t’ju duhet t’ju mbështesë dhe t’ju ritrajnojë”.
Analistët pajtohen me mendimin se përparimet teknologjike në fushën e automatizimit, inteligjencës artificiale dhe robotëve, ka gjasa të çojnë në humbjen e vendeve të punës gjatë viteve të ardhshme. Megjithatë, nuk është ende e qartë deri në ç’masë do të arrijnë këto shkurtime.
Për shembull, firma konsulente McKinsey vlerëson se humbjet globale të vendeve të punës mund të variojnç nga 400 milionë në 800 milionë deri në vitin 2030. Ndërsa Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik parashikon se në ekonomitë e zhvilluara do të humben 14 për qind e vendeve të punës.
*Karen Gilchrist
Burimi: CNBC