Flet Selami Xhepa, ekonomist, drejtues i Institutit “Pashko”: Për të realizuar programe të tilla, do të duhej që ose të ardhurat buxhetore të ishin minimalisht mbi 35% e GDP-së, ose shifra e borxhit publik do të shkonte menjëherë nga rreth 70% e GDP-së që është aktualisht, në mbi 80% të GDP-së…
Kanë mbetur vetëm pak ditë nga data e zgjedhjeve nga tre partitë e mëdha politike në vend, PS, PD dhe LSI, vetëm kjo e fundit ka afishuar në faqen e saj në internet një program elektoral për zgjedhjet e vitit 2017.
Duke u ndalur tek jeta ekonomike dhe problematika sociale e vendit, programet e të tre forcave politike kanë një pikë të përbashkët: natyrën thellësisht populiste dhe aspak të studiuar se si do të operojnë me përmirësimin e sistemit tonë ekonomik. Meqë nuk disponohet një kopje e saktë e programeve të dy partive të mëdha, PD dhe PS, llogaritjet e mëposhtme janë indikative dhe jo plotësisht të sakta, por krijojnë një ide solide dhe plotësisht të përafërt me realitetin makroekonomik dhe fiskal që do të krijohej për vendin. Të tre forcat politike kanë si thelbin e tyre: uljen e taksave direkte (PD thotë taksa e sheshtë 9%; PS thotë se mund ta rikonsiderojë tatimin mbi fitimin prej 15% në norma të diferencuara sipas niveleve të xhiros – duke reflektuar ndaj kritikave që Zoti Blushi ka adresuar përherë në Parlament; LSI ka paraqitur një tatim të përshkallëzuar sipas niveleve të xhiros që shkon nga 5% deri në 10% maksimumi). Të njëjtën qasje kanë të tre këto forca dhe në raport me tatimin mbi të ardhurat personale: PD sërish ka opsionin e taksës së sheshtë prej 9% ndërsa LSI ka një nivel maksimal tatimi mbi të ardhurat personale prej 10% për të ardhurat mbi 2 milionë lekë. PS ka thënë se do ta rishikojë këtë tatim, por nuk është shprehur në mënyrë eksplicite, por ideja e tyre duket se përkon me atë që ka parashikuar programi i LSI. LSI gjithashtu ka dhe një paketë përjashtimesh të biznesit nga tatimi mbi të ardhurat për fermerët, investimet në zonat turistike, etj. Ka një konvergjencë midis PD dhe LSI ku të dyja palët e shohin nivelin maksimal të tatimit PD në 9% dhe LSI në 10%, me dallimin se LSI ruan progresivitetin në raport me të ardhurat.
Nëse do të konvertoheshin në kosto masa të tilla uljesh tatimore dhe përjashtimesh fiskale, në rastin më konservator efekti i tyre fiskal do të ishte një shifër e barabartë me gati 3-5% të GDP-së. Kjo do të thotë se, në një pamje statike, automatikisht të ardhurat buxhetore nga gati 26% e GDP që janë sot, do të binin në afër 22-24% e GDP-së! Ndërkohë që PS nuk ka një qëndrim të qartë dhe për pasojë nuk mund të bëjmë vlerësime të efekteve të programit të saj.
Në krahun e shpenzimeve, premtimet elektorale janë të pamundura: rritje e investimeve në bujqësi: 200-250 milionë euro mbështetje e drejtpërdrejtë plus kredi të buta me norma interesi 2%. Kjo do të përkthehej në një shifër mbështetjeje për bujqësinë që shkon në gati 2% të PBB-së, nga gati 0.7% që është aktualisht. Po ti shtojmë edhe premtimin që investimet në arsim do të shkojnë në 5% të GDP-së dhe po aq edhe mbështetja për shëndetësinë (nga gati 6% që janë të dyja së bashku aktualisht), vetëm nga këto masa, shpenzimet qeveritare do të shkonin nga rreth 30% e GDP-së që janë aktualisht, në rreth 37-39%. Nëse vlerësojmë edhe mbështetjet e tjera për kategori të caktuara të popullsisë – si pensione minimale jo më pak se 20 mijë lekë, paga minimale jo më pak se 35 mijë lekë; energji falas deri në 200 kwh për shtresat në nevojë; rritje me 40% të pagave në administratën publike; krijimin e nga 150-250 mijë vende pune (të cilat nëse konvertohen në kosto do të kishin një faturë që shkon në gati 1 miliardë euro!) – duket se faturat do të ishin në absurd!
Është evidente se për të realizuar programe të tilla, do të duhej që ose të ardhurat buxhetore të ishin minimalisht mbi 35% e GDP-së, ose shifra e borxhit publik do të shkonte menjëherë nga rreth 70% e GDP-së që është aktualisht, në mbi 80% të GDP-së. Nëse kjo do të ndodhte, është e qartë se kosto e financimit të borxhit dhe normat e interesit për borxhin e jashtëm të vendit, do të fusnin vendin në një krizë buxhetore edhe më të keqe se ajo që kaluan Greqia dhe vendet e tjera të Europës Jugore..
Ajo që nga ana tjetër spikat dukshëm, është se asnjëra nga partitë politike nuk ndalet në reformat strukturore që do të ndihmonin realisht që ekonomia dhe investimet private të zhvilloheshin. Ekonomia zhvillohet nga sipërmarrja private dhe jo nga shteti.
Asnjëra nuk ndalet në zhvillimin urban dhe rural dhe integrimin e tyre në planet e zhvillimit ekonomik – siç janë parqet industriale ose zonat ekonomike; jetësimi i qasjes europiane sipas konceptit Smart Cities ku harmonizohen disa objektiva zhvillimi dhe modernizmi të jetës së qyteteve; se si do të përmirësojmë arsimin dhe shëndetësinë jo thjesht duke shtuar para (të cilat sigurisht që nuk do të shtohen aspak), por duke planifikuar reforma të mundshme dhe që realisht mund të mbështeten me fonde të mjaftueshme.
Xhepa
Asnjëra nga partitë politike nuk ndalet në reformat strukturore që do të ndihmonin realisht që ekonomia dhe investimet private të zhvilloheshin. Ekonomia zhvillohet nga sipërmarrja private dhe jo nga shteti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.