Flet prof. Adrian Civici, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës: Në emër të të “bërit për vete të sa më shumë zgjedhësve”, programet ekonomike nuk kanë konture të qarta, në mënyrë që të dallohet “dëshira dhe vullneti i mirë politik”, “dhembshuria e pafund sociale” nga “objektivat e politikat realisht të realizueshme”.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, thotë se programeve të partive politike të evidentuara në këtë fushatë zgjedhore, në këndvështrimin e mundësive të realizimit konkret të tyre, përtej retorikës tipike të fushatave zgjedhore, u mungon koherenca.
“Gjysma e mirë”, domethënë taksat e ulëta apo përjashtimet fiskale dhe “gjysma e keqe”, domethënë shteti që merr përsipër të rregullojë, subvencionojë e të paguajë gjithçka, është e pamundur të rrinë në ekuilibër së bashku, analizon Civici. Thjesht duhet të bëjmë një zgjedhje dhe ta zbatojmë me përpikëri atë, të bashkëshoqëruar me paketën e politikave ekonomike, reformave strukturore e përmirësimeve institucionale të domosdoshme. Mund të privilegjojmë modelin e kapitalizmit liberal në versionin anglosakson ose modelin e kapitalizmit shtetëror apo social-demokrat në versionin francez apo gjerman.
Profesor, sa të realizueshme i shihni ju programet ekonomike të partive kryesore politike?
Programet e partive politike të evidentuara në këtë fushatë zgjedhore, të paktën të katër prej tyre, PS, PD, LSI dhe Libra, shprehin shqetësimet kryesore që ka ekonomia, financat dhe shoqëria shqiptare. Por, në këndvështrimin e mundësive të realizimit konkret të tyre, përtej retorikës tipike të fushatave zgjedhore, mendoj se këtyre programeve u mungon koherenca. Në emër të të “bërit për vete të sa më shumë zgjedhësve”, programet ekonomike nuk kanë konture të qarta, në mënyrë që të dallohet “dëshira dhe vullneti i mirë politik”, “dhembshuria e pafund sociale” nga “objektivat e politikat realisht të realizueshme”.
Natyrisht, elemente të veçanta të tyre mund dhe besoj se do të realizohen nga cilado forcë politike apo koalicion politik që do të jetë në pushtet në 4 vitet e ardhshme, por në tërësinë e tyre, si “programe ekonomike” – natyrisht me vështirësinë e madhe që të gjesh diçka të shkruar nga A te ZH-ja nga partitë kryesore, kur është fjala për programet ekonomike, se ata që janë paraqitur deri tani, në rastin më të mirë janë thjesht angazhime dhe premtime elektorale – ka doza të mëdha subjektiviteti dhe voluntarizmi.
Në shkencat politike, thuhet shpesh se “Partitë politike nuk duhen gjykuar nga premtimet për të ardhmen, por nga realizimet dhe rezultatet e së shkuarës”. Në këtë kontekst, qindra mijë vende të reja pune të premtuara, qindra milionë euro investime e subvencione, qindra milionë euro të tjera mbështetje buxhetore, etj., etj., të kësaj natyre, të cilat në këto 26 vite qeverisje të majtë apo të djathtë nuk janë bërë asnjëherë në këto përmasa që premtohen, të çojnë natyrshëm te konkluzioni se, realizimi 100% i këtyre programeve është pothuajse i pamundur.
Duke ju referuar përvojës dhe shembujve konkretë të mënyrës se si ndërtohet dhe paraqitet një program ekonomik në vendet e BE-së apo dhe në SHBA, Kanada, Japoni, etj., e kupton se sa reale, profesionale, konkrete e të realizueshme janë ato, pavarësisht debateve të ashpra elektorale që i shoqërojnë. Partitë politike shqiptare duhet t’i marrin më shumë seriozisht përgatitjet e programeve ekonomike, t’i bëjnë ato “produkt” të institucioneve, instituteve apo qendrave të specializuara për politikat ekonomike e financiare, rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, stabilitetit makroekonomik, politikave të punësimit, etj. Të mos mbeten vetëm në kuadrin e premtimeve apo qëllimeve që “sigurojnë sa më shumë vota” apo që tregojnë se sa “i paaftë është kundërshtari i tyre politik”.
Ne kemi vënë re se partitë kryesore kanë në thelb uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve. A kemi burime të mjaftueshme për të gjeneruar këto platforma?
Ky është dhe paradoksi më i madh i këtyre zgjedhjeve. Me pak përjashtime në programin e PS-së, që duket relativisht më i ekuilibruar, edhe për shkak të faktit se vjen pas një qeverisje 4-vjeçare dhe mendon me më “këmbë në tokë”, programet e tjera kanë një disproporcion të madh ndërmjet propozimeve e angazhimeve “për uljen e taksave” dhe “rritjen e shpenzimeve”.
Nga një llogaritje e përafërt e efekteve të uljes drastike të taksave që propozohen – ulje e TVSH, ulje e tatimit mbi fitimin, ulje e tatimit mbi dividentin, ulje e tatimit mbi të ardhurat, përjashtime të shumta fiskale, etj., rezulton që në buxhetet e ardhshme, të mungojnë të paktën 400-500 milionë euro në vit; dhe nga ana tjetër, subvencionet për bujqësinë, naftën, investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve, dyfishimin e shpenzimeve në arsim e shëndetësi, rritjen e minimumit jetik, rritjen e investimeve publike, etj., në rastin më minimal do të kërkonin rritjen me mbi 500 milionë euro të shpenzimeve publike. “Gropa” vjetore në buxhet merr përmasat gati 1 miliard euro.
Në kushtet kur nga gjithë partitë premtohet ulja e borxhit publik dhe mbajtja në nivel të ulët e deficitit buxhetor, vështirë se mund të garantohet ekuilibri makroekonomik dhe stabiliteti financiar e buxhetor i vendit me këto premtime elektorale. Natyrisht, ka rezerva në përmirësimin e luftës kundër informalitetit, luftimit të korrupsionit dhe klientelizmit, etj., por gjithsesi mendoj se Shqipëria ka ende shumë nevojë ta përmirësojë performancën fiskale për ta çuar në nivelet 30-35% mbledhjen e të ardhurave në raport me PBB, dhe kjo nuk realizohet duke premtuar ulje taksash pa fund dhe në çdo aspekt. Po të llogarisësh “me laps në dorë” këtë aspekt të programeve ekonomike të partive politike në këto zgjedhje, e ke të vështirë të gjesh ekuilibrin e domosdoshëm ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhet.
Shpeshherë, ne i referohemi modelit gjerman, sidomos kur flasim për rolin e shtetit dhe gjerësinë e politikave sociale, duke harruar se niveli i taksimit në Gjermani është 60-65%, duke i krijuar mundësi buxhetit dhe qeverisë të ndërmarrë e të realizojë me sukses politika sociale e zhvilluese nga më cilësoret. Aktualisht në Shqipëri, niveli më i lartë i taksimit është 23% dhe kjo vetëm për 12 mijë paga që konsiderohen të larta, ndërsa niveli dominues është 15%. Me propozimet që bëhen, pritet që ky nivel të ulet më shumë. Si dhe ku mund të gjenden gjithë ato para për politikat dhe masat mbështetëse që propozohen?
Cili do të ishte modeli më i mirë fiskal dhe ekonomik për t’i siguruar vendit rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë?
Personalisht mendoj se modeli më i përshtatshëm fiskal dhe ekonomik për Shqipërinë është ai i taksave të ulëta dhe lehtësimit të barrës fiskale për një pjesë të madhe të bizneseve dhe individëve, i shoqëruar me një “qeveri të vogël”, që nuk merr përsipër të zgjidhë dhe të rregullojë gjithçka në ekonomi, por që në plan të parë ka krijimin dhe garantimin e një klime optimale biznesi dhe stabilitet ligjor e institucional.
Më shumë se gjithçka, në këto momente, Shqipëria ka nevojë për IHD, për financime private të të gjitha llojeve, për zgjerimin e kreditit bankar dhe investimin në ekonomi të tij, për shtimin e kapitalit dhe përmirësimin cilësor të tij, për rritjen e prodhimit vendas dhe zvogëlimin e importeve, etj. Nëse ne do të arrijmë të kemi një kuptim më të plotë të “ndërtimit të një tregu sa më funksional dhe cilësor, si një institucion me rregulla të qarta e transparente”, thithja e investimeve apo financimeve do të ishte më e shpejtë dhe më masive se deri më sot, duke ndihmuar rritjen ekonomike dhe punësimin.
Por, nëse jemi në favor të një “Shteti zhvillues” apo “Shteti maksimalisht përgjegjës për zhvillimin dhe politikat sociale”, që gjithashtu është një variant që ekziston sot në mjaft vende të botës, duhet të pranojmë faktin se ky lloj shteti ka nevojë për buxhete “të shëndosha”, për të ardhura buxhetore në rritje, pra për taksa më të larta, ose për rritje borxhesh e deficitesh buxhetore.
“Gjysma e mirë”, domethënë taksat e ulëta apo përjashtimet fiskale dhe “gjysma e keqe”, domethënë shteti që merr përsipër të rregullojë, subvencionojë e të paguajë gjithçka është e pamundur të rrinë në ekuilibër së bashku. Thjesht duhet të bëjmë një zgjedhje dhe ta zbatojmë me përpikëri atë, të bashkëshoqëruar me paketën e politikave ekonomike, reformave strukturore e përmirësimeve institucionale të domosdoshme. Mund të privilegjojmë modelin e kapitalizmit liberal në versionin anglosakson, ose modelin e kapitalizmit shtetëror apo social-demokrat në versionin francez apo gjerman. Gjysmën e njërit dhe gjysmën e tjetrit do të ishte utopi ta mendosh se mund t’i bashkosh, aq më pak në realitetin shqiptar.
Civici
Modeli më i përshtatshëm fiskal dhe ekonomik për Shqipërinë është ai i taksave të ulëta dhe lehtësimit të barrës fiskale për një pjesë të madhe të bizneseve dhe individëve, i shoqëruar me një “qeveri të vogël”, që nuk merr përsipër të zgjidhë dhe të rregullojë gjithçka në ekonomi, por që në plan të parë ka krijimin dhe garantimin e një klime optimale biznesi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.