Në një prononcim për median, anëtari i Kryesisë së LSI-së, njëkohësisht edhe kryetari i grupit të punës PS-LSI, z. Edmond Haxhinasto ka folur lidhur me ecurinë e punës për hartimin e programit të 300 ditëve të para të qeverisjes.
Sipas tij, puna vazhdon me takime periodike për sa i takon konvergimit të të gjithë prioriteteve që ne kemi në këtë program por gjithashtu edhe për elementë të tjerë të veçantë e konkretë që do të realizojnë pikërisht pra prioritetet kryesore që do të ketë programi.
Ai shton se “jemi marrë konkretisht me çështjet e financimit të zhvillimit, me çështjet e shëndetësisë, çështjet ekonomike etj. Po kështu edhe me strukturën kryesore që do të ketë programi, që ishte hapi e parë që bëmë, për ndërhyrjet e shpejta në fushën e ekonomisë, në fushën institucionale, të cilat mendojmë se do të sjellin një ritëm tjetër në ecurinë e vendit”.
Diskutimet janë bërë për sa i takon rrugëve konkrete për të realizuar një qëllim të përbashkët. “Mendoj se deri më tani secila palë ka treguar fleksibilitetin e duhur që të gjendet një zgjidhje sa më optimale dhe sa më efikase për sa i takon rrugës për të arritur objektivin që në tashmë e kemi të identifikuar dhe të pranuar nga të dyja palët”.
Lidhur me sistemin e taksimit, Haxhinasto ka pohuar se edhe LSI ka pasur progresivitet në programin e saj, veçanërisht për sa i takon tatimit mbi të ardhurat. “Deri më tani ne jemi në fazën e një mirëkuptimi që sistemi fiskal ka nevojë për një konsolidim me qëllim që me këto politika që ne kemi aktualisht, me këtë sistem që ne kemi aktualisht dhe me ndërhyrjet e tjera që ne propozojmë të realizojmë një nxitje më të madhe për të pasur një rritje ekonomike dhe më pas të përpunojmë në detaje të gjithë planin tonë për të vendosur një progresivitet, jo vetëm tek të ardhurat por edhe tek biznesi. Kjo është diçka që i takon së ardhshmes. Për sa i takon kohës se kur do të realizohet kjo është për tu vendosur dhe do të jetë një nga pikat që do të vendoset me programin e ri. Akoma nuk është vendosur”.
Lidhur me sektorin e shëndetësisë, ai shtoi se reformat e shërbimit shëndetësor janë reforma të cilat kërkojnë një kohë të konsiderueshme për t’u përgatitur dhe detajet e tyre. Ajo që ne dëshirojmë të realizojmë sigurisht duke konverguar edhe me qëndrimet e PS-së është që të realizojmë disa ndërhyrje sa më të shpejta në sistemin shëndetësor, veçanërisht në fushën e furnizimit me barna për spitalet e kam fjalën me qëllim që të rritet menjëherë cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve. Të jetë plotësimi i një vakumi që aktualisht ekziston sa i takon këtij shërbimi. “Ndryshimi i sistemit kërkon një kohë të konsiderueshme, duhen sigurisht përpunuar aktet ligjore, duhet të mësohet edhe i gjithë personeli i shërbimit shëndetësor me modelin e ri, pra kërkohet një kohë. Por edhe në rastin kur flasim për një sistem shëndetësor falas, sigurisht do të ketë kontribute nga qytetarët, sepse nuk mund të ketë buxhet shteti, por nuk pati kontribute nga qytetarët. Kështu që ju e kuptoni që në këtë lloj sistemi janë qytetarët ata që duhet të kontribuojnë me taksën e tyre për sistemin shëndetësor. Ne si LSI kemi propozuar që të ruanim sistemin aktual që kontributi shëndetësor të shkonte në një fond të veçantë për shëndetësinë, ndërsa propozimi i PS-së është që kontributi për shërbimin shëndetësor të jetë pjesë e taksës së përgjithshme që paguan çdo qytetar i Shqipërisë, pra duke mos e quajtur atë taksë për shërbimin shëndetësor. Pastaj buxheti i shtetit mbulon në një masa të caktuar, sigurisht ka një masë për buxhetin, shërbimin që i ofrohet qytetarëve”, tha Haxhinasto.
Lidhur me këto dy propozime Haxhinasto u shpreh se “Do t’i konvergojmë, do të përgatisim propozime sa më të përpunuara me qëllim që të mbajmë syrin tek synimi final, objektivi final që t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve. Sistemet janë gjithnjë në funksion të qëllimeve dhe qëllimi që ne kemi është t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve që të realizojmë një diagnostifikim sa më të mirë me kosto më të ulët, të realizojmë furnizimin me barna, të realizojmë një shërbim sa më të mirë spitalor, të rajonalizojmë spitalet me qëllim që aty të kemi të gjithë shërbimet e nevojshme që kërkojnë qytetarët. Këto janë objektivat, pastaj mjetet janë të dorës së dytë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.