Në Ministrinë e Financave u zhvillua sot ceremonia e miratimit të financimit të gjashtë projekteve, për një vlerë totale financimi prej 2.5 milionë euro, pjesë e thirrjes e tretë në kuadrin e Marrëveshjes Italo-Shqiptare të konvertimit të borxhit për Zhvillim (IADSA), një iniciativë e Programit Aktual të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo-Shqiptar për të mbështetur zhvillimin social në Shqipëri.
Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani, përfitues të projektit: Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, znj. Brunilda Paskali, përfaqësues të lartë të ministrive fituese të projektit, drejtues dhe menaxherë të këtyre projekteve, etj.
Ministri i Financave, gjate takimit deklaroi: “Programi Italo – Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), të cilin kam kënaqësinë ta bashkudhëheq me Ambasadorin Gaiani, është një nga shembujt më konkret se si vullneti i mirë i dy qeverive mund të sjellë ndryshime reale”.
Ministri Cani e vlerësoi si “një nga programet me efikasitet më të lartë”, këtë program, duke shtuar se “projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare”.
Thirrjes së tretë për propozime të shpallur i’u përgjigjën 38 projekt-propozime të paraqitura nga ministritë shqiptare, për një total financimesh të kërkuar prej 14 milionë Eurosh. Projektet janë bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe me strategji të përditësuara sektoriale dhe ndërsektoriale, si edhe me Planin Kombëtar të Veprimit për Realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Republikës së Shqipërisë.
“Ne jemi shumë të kënaqur për të njoftuar sot se ne kemi filluar kohët e fundit negociatat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re midis dy qeverive tona për të siguruar kthimin e borxhit të një shtesë 20 milionë eurosh që do të jetë gjithmonë të destinuara për sektorin social. Eshte rënë dakord tashmë në protokollin bilateral të bashkëpunimit, të nënshkruar dhjetorin e kaluar këtu në Tiranë. Si një mjet i mbështetjes dypalëshe të zhvillimit, konvertimi i borxhit është një konfirmim i ri i angazhimit të dy italian për Shqipërinë, si lidhjet miqësore ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh sakaq i pranishem ne ceremoni ambasadori Gaiani.
Më pas për përfaqësuesit e ministrive përkatëse u shpërndanë dosjet fituese.
Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), një instrument inovativ për vendin tonë, deri tani ka rezultuar të jetë një nga programet më të suksesshme italo-shqiptare të viteve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.