Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi, mori pjesë sot në takimin lançues të Programit Ekonomik të Reformave (ERP) 2018-2020.
Programi ekonomik i reformave, ose ERP, është një dokument i konsoliduar i punuar nga një grup ndërministror, i koordinuar nga Ministria e Ekonomisë dhe është dokumenti bazë mbi të cilin Shqipëria monitorohet nga Komisioni Europian në kuadër të reformave ekonomike që kanë një impakt në rritjen ekonomike dhe konkurrueshmëri. Programi Ekonomik i Reformave përbëhet nga dy shtylla kryesore. Shtylla e parë është kuadri makroekonomik e fiskal, ndërsa pjesa e dytë përmban reformat strukturore.
Në takimin e sotshëm në Hotel Rogner, ku të pranishëm ishin përfaqësues të BE-së, OECD-së, donatorë etj, u diskutuan udhëzuesi i ERP 2018-2020, mësimet e nxjerra nga ERP-i i vjetshëm, mbështetja e OECD-së, sfidat e Shqipërisë dhe plani i punës për ERP 2018-2020.
Znj. Ekonomi tha se Shqipëria është bërë pjesë e këtij programi që nga viti 2014 dhe vazhdon të raportojë në mënyrë periodike në këtë program. Ndërkohë sa më shumë ne plotësojmë kërkesat e këtij lloj ushtrimi, aq më shumë kuptojmë se gjërat kanë nevojë të përmirësohen jo vetëm në raportim, por të përmirësohen edhe në rakordime të dhënash dhe vështrimesh tekstuale për ngjarjet që zhvillohen në Shqipëri, si në këndvështrimin makroekonomik, fiskal, të politikave strukturore të ndërmarra, të klimës së biznesit, të reduktimit të ekonomisë informale. Në takimin tonë të fundit të majit 2016 u përpoqëm të realizojmë dy gjëra: Trajnimin e stafit të ministrive apo të agjencive të tjera zbatuese të programit ERP lidhur me mekanizmat që përdor OECD dhe Bashkimi Europian për të raportuar këtë program reformash, si dhe caktuam edhe pikat e kontaktit të agjencive dhe institucioneve që duhet të bëheshin në një lloj mënyre “pronarë” të këtij sistemi raportimi.
Rezultatet e ERP 2017 treguan se kjo lloj ”pronësie” u shpërnda në administratën publike shqiptare dhe në agjencitë zbatuese, ndërkohë gjeti edhe një aprovim politik bazëgjerë si dokument, falë koordinimit që kishte Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes me Ministrinë e Financave. Me këtë rast një falënderim i veçantë shkon për zëvendësministren e MZHETTS, Adela Karapicin dhe për zëvendësministrin e MF, Ervin Mete, të cilët koordinuan këtë ushtrim, dhe falë kësaj pune, në arritëm të çonim në kohë raportimin e këtij plani për ERP 2017 në drejtorinë përkatëse të Bashkimit Europian dhe OECD. Megjithatë në analizën e raportimit të fundit, Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur dhe për të çuar përpara. Prandaj për ne është shumë e rëndësishme të kuptojmë që ata persona në administratën publike të cilët do angazhohen me raportimin e ERP, të jenë persona të cilët kanë njohuri mbi ERP, por edhe të kuptojnë që nuk është një ushtrim i vetmuar, por është një ushtrim i cili ka nevojë për koordinim të vazhdueshëm.
Në mënyrë të vazhdueshme institucionet shqiptare kanë bërë kujdes që të dhënat e raportuara në ERP, të jenë të dhëna që kanë kuptim dhe që i referohen në kohë. Megjithatë këto të dhëna në ERP pavarësisht progresit që po bën në mënyrë të vazhdueshme INSTAT-i kanë akoma nevojë të forcohen, si dhe të përmirësojnë metodologjinë. Por nga ana tjetër kemi nevojë që paketën financiare e cila mbështet programe të caktuara, ta përshkruajmë në disa detaje, që bëhen të rëndësishme edhe për vetë institucionet për t’u kuptuar në menyrë të krahasuar progresin që ka pasur Shqipëria.
Një tjetër fakt i rëndësishëm që duhet ta kemi parasysh në raportimin ERP lidhet me përshkrimin e reformave strukturore të ndërmarra është e rëndësishme të shikojmë mënyrën se si në administratën shqiptare përpiqemi t’i hartojmë kostot e këtyre reformave. Për të gjithë ju që vini nga agjencitë publike, e dini kjo është një përpjekje e vazhdueshme që lidhet me programet dhe përgjegjësisë e secilit institucion, mbi mënyrën se si ne i hartojmë dhe i menaxhojmë buxhetet tona.
Është e rëndësishme të kihet parasysh që duhet të jemi shumë bashkëkohorë në mënyrën se si ne hartojmë Programin Reformave Ekonomike dhe se si mendojmë të qasemi në zbatimin e të gjitha reformave ndaj për ne që bëjmë pjesë në njësinë e koordinimit politik të programit të reformave ekonomike të kemi një qasje ‘holistike’ mbi mënyrën se si po shkojnë reformat përpara dhe që përshkrimet tek ky raport të kenë kuptim.
Besoj se të gjithë biem dakort që ERP ka qenë diçka shumë e rëndësishme drejt procesit të integrimit europian. Nga ky proces ne kemi parë dy gjëra të rëndësishme: kemi parë në mënyrë sistematike si zhvillohet Shqipëria, kemi parë në një mënyrë sistematike se si krahasohet zhvillimi i Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit. Prandaj unë besoj se ka qenë shumë e rëndësishme për të gjithë pjesëmarrja në ERP. Për ata ekspertë që janë pjesë e programit të konektivitetit gjithashtu besoj që ERP është një instrument aq i domosdoshëm për të hartuar edhe më mirë këtë politikën e konektivitetit.
Nga ana tjetër këto takime të vazhdueshme organizuar nga grupi i OECD dhe Bashkimit Europian kanë qenë një kapacitet i shtuar në administratën tonë publike sepse jeni njohur me teknika, me planifikime dhe monitorime të formave të reja. Dhe kjo ka ndihmuar si të qasemi drejt progresit. Besoj se edhe ushtrimi i sotëm është një ushtrim që lidhet me atë që quhet përmbledhje dhe vazhdimësi e ERP 2018-2020. Udhëzuesi metodologjik i sotëm mbështetet në në raportimin e kaluar, por edhe në zgjerimin e kërkesave për një raportim të përmirësuar të ERP 2018.
Qeveria shqiptare është shumë e angazhuar për të bërë një Program Reformash Ekonomike sa më cilësore. Të gjithë ju e dini dhe e keni parë se si kërkohet të ndërthuret njohuria për ERP me njohuritë e buxhetimit, duke u takuar vazhdimisht me donatorë për të kuptuar nënfushat e prioriteteve që duhet të gjejnë zgjidhje në gjithë programet tona të planifikimit buxhetor, tha Ekonomi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.