Të dhënat e publikuara nga INSTAT flasin për një rritje konstante të masës së popullsisë në moshë pune, gjatë 18 viteve të fundit, por projeksionet e fundit tregojnë se rritja tashmë e ka arritur kulmin dhe pritet që vitet në vijim të shënojnë rënie graduale të popullsisë në moshë pune.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në një analizë të posaçme për dinamikën e forcës së punës të publikuar së fundmi, vënë në dukje se, është hera e parë që vendi ynë ndeshet me një zhvillim të tillë demografik, deri tani i panjohur nga ekonomia jonë.
Analistët e Bankës Qendrore lajmërojnë se rrjedhojat e tij shpejt do të fillojnë të ndihen në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore në vend, duke filluar nga nivelet e ndryshme të arsimit e deri tek implikimet më të rëndësishme ekonomike të lidhura me prodhimin e brendshëm, produktivitetin, konsumin, skemat e sigurimeve shoqërore, standardin e jetesës etj.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, popullsia në moshë pune ka përfshirë rreth 2/3 e së gjithë popullsisë së vendit. Në forcën e punës janë përfshirë 63.6% të popullsisë në moshë pune – rreth 1.3 milionë individë – ndërsa pjesa e mbetur përbën popullsinë ekonomikisht joaktive.
Në vitin 2015, për herë të parë nga përfshirja e vendit tonë në ekonominë e tregut të lirë, popullsia në moshë pune kapi shifrën 2 milionë. Viti 2018 shënoi frenimin e trendit rritës prej mesatarisht 0.4% në vit, që e karakterizoi këtë tregues nga viti 2009.
Sipas raportit të Bankës Botërore për ecuritë e tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor më 2018, të vetmet rajone tek të cilat nuk vihej re trend rënës i popullsisë në moshë pune janë trevat ku banojnë shqiptarë.
Megjithatë, të dhënat për vitin 2018 dhe ritmet me të cilat kjo popullsi po shtohet nga prurjet e moshave të reja, tregojnë se ky trend ka filluar rënien graduale edhe në Shqipëri. Projeksionet e popullsisë për tri nënndarje të grup-moshës së të rinjve, për vitet 2018-2021, sipas të dhënave të mbledhura dhe projeksioneve të INSTAT-it tregojnë qartë që prurjet e moshave 15-19 dhe 20-24 vjeç paraqesin rënie të dukshme gjatë 4 viteve në vijim, tendencë kjo që shënon pikënisjen e trendit rënës për forcën e punës.
Gjatë 18 viteve të fundit, pjesëmarrja në forcën e punës është karakterizuar nga luhatje të vazhdueshme në kufijtë e 58% dhe 72%. Trendi aktual i saj është në periudhë rikuperimi nga një minimum historik i këtyre 18 viteve, i shënuar në vitin 2014.
Punësimi i llogaritur si përqindje ndaj popullsisë në moshë pune është relativisht konstant dhe është mesatarisht sa 54% e popullsisë në moshë pune. Norma e punësimit karakterizohet nga një luhatje që ecën në mënyrë thuajse identike me atë të pjesëmarrjes në forcën e punës.
6 vitet e fundit flasin për një ecuri rritëse të punësimit, që aktualisht rezulton në rreth 60% e popullsisë në moshë pune. Krahasuar me periudhën më të mirë të raportuar për këtë tregues (gjashtëmujori i parë i vitit 2001), norma aktuale e punësimit është rreth 1% më e ulët, analizon Banka e Shqipërisë.
Shifrat flasin për vështirësi të punësimit të hasura kryesisht tek të rinjtë. Tek grup-mosha 15-29 vjeç vërehen luhatje më të shpeshta midis gjendjeve të papunësisë dhe punësimit, çka evidenton vështirësi për mbajtjen e vendit të punës.
Norma e papunësisë (matur si përqindje ndaj forcës së punës) nuk paraqet luhatje shumë të mëdha, megjithatë gjatë viteve të fundit vërehet një trend i përgjithshëm rënës. Aktualisht, papunësia është rreth nivelit 12,2%, niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 2000. Parë për grupmosha të ndryshme, vërehet se grup-mosha 15-29 vjeç vuan më shumë nga papunësia, e cila megjithëse ka një trend rëndës përsëri është e lartë (norma aktuale e papunësisë për këtë grup-moshë është rreth 23%).
Popullsia ekonomikisht joaktive është një komponent i rëndësishëm i prurjeve në tregun e punës, që përbën mesatarisht 36% të popullsisë në moshë pune. Femrat vijojnë të mbajnë një përqindje të lartë të këtij komponenti të shoqërisë shqiptare (rreth 63% të tij), çka tregon për një vijim të shfrytëzimit jo-optimal të potencialit femëror punonjës nga tregu ynë i punës.
Nga ana tjetër, popullsia ekonomikisht joaktive shfaq tiparet e një kompozimi heterogjen të saj. Përveç individëve ekonomikisht joaktivë, kjo masë e popullsisë në moshë pune mund të përfshijë brenda saj dhe numra të konsiderueshëm të individëve pjesërisht të lidhur me forcën e punës (që kanë prirje të ngjashme për punësim me të papunët) dhe të punonjësve të dekurajuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.