Projekt shtesë tek Pazari i Ri, hapësira magazinimi për bizneset

18/05/2018 9:52 AM 0 komente

Një hapësirë e re pritet që t’i shtohet Pazarit të Ri në Tiranë e cila do të shkojë në ndihmë të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim bëri me dije se tashmë ka hapur një procedurë prokurimi që synon të bëjë përshtatjen dhe rikonstruktimin e ndërtesës së magazinës në këtë zonë. Limiti tavan është 10.4 milionë lekë (pa TVSH) dhe afati i fundit është 21 maji.
“Nën programin e sipërmarrjes dhe Projektin e Tiranës (Rivitalizimi i Pazarit të Ri në Tiranë) Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim do të krijojë një hapësirë magazinimi për bizneset në këtë Pazar. Aktualisht bizneset i mbajnë produktet e tyre në tezga ose I marrin me vete në shtëpi” thuhet në njoftimin e Fondit.

Burime pranë këtij institucioni konfirmuan se në këtë rast bëhet fjalë për një hapësirë që do t’ju dedikohet kryesisht tregtarëve që tregtojnë fruta-perime në hapësirën e xhamit brenda Pazarit të Ri.
Lidhur me menaxhimin pra nëse bizneset do të paguajnë për këtë hapësirë magazinimi apo jo Fondi konfirmon se ky është një atribut që i takon Shoqatës së Biznesit që është përgjegjëse për mbarëvajtjen në treg.
“Fondi është vetëm mbështetës përmes financimit kurse mënyra sesi menaxhohet kjo hapësirë pas përfundimit i mbetet në dorë shoqatës” konfirmoi Fondi.
Për këtë projekt është vendosur një fond limit prej më shumë se 10 milionë lekësh ndërkohë që roli i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në projektin e Pazarit të Ri ka qenë domethënës sidomos në aspektin financiar.
Pazari i Ri i rivitalizuar rinisi punën në mars të vitit 2017. Aktualisht në ambientet e tij ushtrojnë aktivitetin të paktën 300 biznese. Kostoja totale e projektit ishte rreth 9.5 milionë dollarë nga të cilat 4 milionë USD janë investuar nga bizneset, 3 milionë dollarë nga Fondi dhe 2.5 milionë dollarë nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz