Institucionet publike kanë humbur dukshëm këtë vit aftësinë për të realizuar projektet me financime të huaja.
Ministria e Financave bën me dije se, në fund të nëntëmujorit 2015 projektet me financim të huaj ishin në vlerën 84.2 milionë eurove ose 19 për qind e programit të periudhës.
Në të njëjtën periudhë të 2014 qeveria disbursoi 109 milionë euro ose 33.33 % të programit për financimin e projekteve në kryesisht në infrastrukturë.
Në të njëjtën periudhë të 2013 qeveria lëvroi 165.5 milionë euro, ose 99.8 për qind të programit të projekteve të parashikuara për tu zhvilluar me financime të huaja.
Ministria e Financave argumenton se për sa i përket realizimit të projekteve me financim të huaj është konstatuar se në realizimin e tyre ekzistojnë disa problematika kryesore si: Zgjatja në kohë e procedurave të tenderimit, pamjaftueshmëria e fondeve të vëna në dispozicion nga kredituesit, vonesat në punimet civile të shkaktuara nga vonesat në tenderët dhe nga forcat madhore, vonesa në plotësimin me staf të njësisë zbatuese, duke penguar implementimin e projektit, Punime shtesë të paparashikuara në kontratë dhe të domosdoshme për tu kryer, të cilat kërkojnë kohë dhe fonde shtesë për tu realizuar, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.