Projekti “Modeli 2050 i Energjisë në Kosovë”, pritet se do të ndihmojë drejtpërdrejt Qeverinë dhe institucionet e Kosovës, që të ecin më shpejt drejt kritereve që ofron fusha e energjisë dhe respektimit të atyre kritereve, sipas standardeve të BE-së.
Drejtues të Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim që organizuan këtë projekt, thanë se promovimi i modelit energjetik të Kosovës është një dokument shumë i rëndësishëm për fushën e energjisë në periudhën e ardhshme, pasi sipas tyre këtë model e ka përkrah Komisioni Evropian.
Po kështu, me rëndësi u vlerësua edhe nga zyrtarë të USAID-it, të cilat thanë se Kosova ka potencial energjetik.
Drejtori i Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim, Kushtrim Kaloshi, tha se ky projekt është një nismë e shteteve të Ballkanit Perëndimorë, me përkrahje të drejtpërdrejt nga Komisioni Evropian, i cili ka për qëllim krijimin dhe zhvillimin e modelit energjetik të shteteve përkatëse.
“Modeli energjetik i rajonit është publikuar e lansuar më datë 17 qershor të këtij muaj në Bruksel në një takim në nivel evropian. Mandej, jemi marr vesh që lansimet ose promovimet shtetërore të bëhen po këtë muaj ose muajin tjetër sipas vet agjendës së vendeve dhe anëtarëve të rrjetit të organizatave partnere. Ky model nuk është dokument i politikave e as strategji dhe as analizë, por është një mjet që ndihmon Qeverinë në këtë rast të orientimeve strategjike në fushën e energjisë”, tha Kaloshi.
Ai tutje tha se modeli në këtë rast e hap dialogun në nivel të shteteve në lidhje me politikat energjetike dhe sistemin energjetik – objektivat e projektit përqendrohen në hapjen e zhvillimit të dialogut, shkruan Kosova Press.
Sipas tij, praktikat janë në favor të krijimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm në Evropën Juglindore, të përafruara me politikat dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
“Përdorimi i këtij modeli do ta ndihmojë drejtpërdrejt qeverinë dhe institucionet e Kosovës, që të ecin më shpejt drejt kritereve që kemi për fushën e energjisë dhe të respektimit të atyre kritereve që ne jemi të obliguar t’i respektojmë karshi faktorëve ndërkombëtar, por edhe të BE-së”, tha Kaloshi.
Ndërsa, nënkryetarja e seksionit politik, ekonomik, pranë zyrës së BE-së në Kosovë, Radica Nusdorfer, tha se kur flitet për fushën e energjisë, ata iu referohen energjisë së pastër.
“Komisioni Evropian më së shumti fokusohet për energji efiçiente dhe të pastër në Ballkanin Perëndimor. Në mbështetje financiare, ne gjithherë kemi pasur fokus në Kosovën dhe vendet tjera gjithashtu. Por gjithë herë duke u fokusuar në dy udhëzues në ngritjen e efiçiencës dhe në reduktimin e ndikimit mjedisor të energjisë. Ne, në të ardhmen e afërt do të financojmë një studim për investimet e nevojshme për ta bërë Kosovën që të jetë në përputhshmëri me standardet e lirimit të gazrave”, tha Nusdorfe.
Nënkryetari i Zyrës për Rritje Ekonomie, misioni i USAID-it në Kosovë, Luis Guzman, tha se mbështetja për Qeverinë e Kosovës në sektorin energjisë, është shumë prioritet i madh për Amerikën për të përmirësuar gjendjen e Kosovës në energji të pastër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.