Përpara vizitës në Serbi më datë 17 janar, Putini dha një intervistë të përbashkët për gazetat beogradase “Politika” dhe “Vecernje Novosti”.
Ai tha se gjiganti rus i energjisë, “Gazprom”, është duke vlerësuar me kujdes opsione të ndryshme për shtrirjen tokësore të gazsjellësit “Rrjedha Turke” në drejtim të Evropës.
“Një prej tyre është bashkimi i tubacionit me qendrën e shpërndarjes në Austri nëpërmjet itinerarit Bullgari-Serbi-Hungari. Nëse veprohet kështu, atëherë Serbia jo vetëm që do të përdorë gazin rus, por njëherësh do të garantojë edhe transmetimin e tij. Kjo do të sigurojë një kontribut të rëndësishëm për ekonominë serbe”, komentoi mes të tjerash shefi i Kremlinit.
Putini theksoi gjithashtu se procesi i ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha Turke” po avancon sipas planit dhe do të jetë funksional deri në fund të këtij viti.
*TRT News