Individët që kanë të ardhura 300 mijë lekë, ose më shumë në muaj do të paguajnë tatim mbi të ardhurat 25%, nga 10% aktualisht, sipas projektit që po punohet nga Ministria e Financave, në kuadër të kalimit të pritshtëm nga taksa e sheshtë tek taksa progressive, i parashikuar në programin e socialistëve në pushtet.
Sipas burimeve nga anëtarë të grupit të punës që po punon për paketën e re fiskale, që pritet të jetë më e madhja dhe me më shumë ndryshime deri tani, taksa progressive për tatimin mbi të ardhurat po diskutohet që të ketë tre deri në katër shkallë, 0-10, 10-15, 15-20, 20-25%.
Nga të dhënat pararake, janë rreth 7000-8000 individë që deklarojnë të ardhura 300 mijë lekë, apo më shumë në muaj.
Ndërkohë që dhe rreth 95% e individëve, sipas projektit pritet që të kenë një rritje të lehtë të tatimit mbi të ardhurat. Më të prekur do të jenë individët që kanë të ardhura mbi 150 mijë lekë.
Ndryshime të tjera për të cilat po punohet në paketë është heqja e TVSH-së për shëndetësinë, që aktualisht është 10%.
Tatim fitimi pritet të bëhet në dy nivele, 15% për biznesin që ka më shumë se 5 milionë lekë xhiro në vit dhe 7.5% për biznesin e vogël me xhiro nga 2-5 milionë lekë.
Taksa e ndotjes për karburantet pritet të rritet nga 7 lekë për litër në 14 lekë për litër, pra dyfishim.
Ndërkohë që po punohet në dy variante për taksën e automjeteve, që në thelb kanë supertaksimin e makinave të vjetra.
Gjithsesi, detajet e mëtejshme të paketës fiskale pritet të bëhen të ditura në takimin e të hënës së grupit të punës për këtë paketë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.