Për më shumë se 40 vjet, ai ka treguar aftësinë e tij dhe qëndrueshmërinë në drejtimin e të gjitha garave të Formula 1. Por ditët e fundit, Bernie Ecclestone-n, e nxorën jashtë piste.
Pronarët e rinj, Liberty Media, zgjodhën Chase Carey si drejtorin e ri ekzekutiv të Formula 1.
Liberty Media, përfundoi blerjen e Formula 1, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje prej 8 miliardë dollarësh, e cila u përmbyll më 23 janar të këtij viti. Kjo nënkupton largimin e CVC-së, një organizate kapitali private, e cila kishte kontrollin që prej vitit 2006.
Z. Ecclestone iu dha titulli “Kryetar Nderi”, në mënyrë të tillë që ai të vazhdonte t’i jepte bordit mendimet e tij të vyera.
Dalja e tij nuk është se ka qenë edhe aq e papritur, edhe pse u bë në një formë jo shumë të qartë. Gjatë bisedave të mëparshme ai kishte rënë dakord që do të qëndronte edhe për një periudhë trevjeçare tek Formula 1.
Por mbase Liberty dëshiron që në njëfarë mënyre t’i japë fund epokës së Ecclestone, sepse gjatë pjesës më të madhe të periudhës kur ai ishte në krye të F1, ajo ishte e mbytur nga padi të shumta.
Një prej tyre ishte edhe ajo e vitit 2014, kur pronari i F1 u akuzua se i dha ryshfet një bankieri gjerman (33 milionë euro) në mënyrë të tillë që të sigurohej se një prej kompanive që ai favorizonte t’i jepej e drejta për të blerë një pjesë të F1.
Gjykata gjermane ra dakord që ta mbyllte procesin gjyqësor ndaj tij pasi ai pagoi një garanci pasurore prej 100 milionë dollarësh.
Vetë z. Ecclestone ka grumbulluar një shumë të majme të ardhurash duke e transformuar këtë sport në një prej më të ndjekurve në mbarë botën. Por një prej të metave të tij ishte se ai nuk e përfshiu fare Formula 1 në platformat dixhitale. Për pasojë, audienca televizive ra në nivele shumë të ulëta, edhe pse F1 u përhap në tregje të tilla si Azia, Europa Lindore dhe Lindja e Mesme.