Mbështetur në kushtetutën dhe në platformën e drejtë të qeverisë, që në bregdetin Jon të zhvillohet turizmi elitar, shoqata Bregdeti, e cila përfaqëson mbi 60 000 banorë të zonës në bashkëpunim edhe me gjithë faktorët e tjerë, ka përpunuar me kohë platformën që edhe në kushtet e mosprekjes së ligjit 7501, bregdetasit të marrin pronat e tyre të trashëguara sipas dokumenteve kadastrale të paraçlirimit.-Thelbi i kësaj veçorie që kërkohet të merret parasysh për kthimin e pronave të zotëve, qëndron në përqendrimin e një sërë faktorësh e karakteresh, cilësisht të veçantë e të rrallë në llojin e tyre:-Bregdetasit në territorin e tyre kanë një histori legjendare mijëravjeçare, pa pushtime e shpopullime të mëdha. Ata e kanë mbrojtur me gjak dhe lulëzuar me djersë vendin e tyre të ashpër si askush tjetër. -Tokat e bregdetasve nuk janë as të dhuruara nga dikush dhe as të pushtuara, por të trashëguara nga një pafundësi brezash me gjak të pastër shqiptari. Qysh në fillimet e kohës moderne kanë frekuentuar kurbetet, duke i përdorur fitimet për të lulëzuar tokën e tyre, të cilën e transformuan nga pllaja e gërxhe gurore në tarraca dheu dhe e veshën me ullinj, agrume e pemë gjithfarësh. Andej ata kanë sjellë edhe edukatë e civilizim, prandaj në bregdet edhe sot në këto kohë të trazuara krimet janë më të pakta se kudo. Prej këndej rrjedh dhe specifika e dytë e bregdetasve për të respektuar ligjin, shtetin, bashkëjetesën, zakonet dhe traditat, pronën, sinorët e kufijtë së bashku me fqinjët e tyre, me të cilët mbajnë miqësi shekullore të palëkundur. Po ashtu, siç respektojnë bregdetasit kërkojnë edhe të respektohen nga të tjerët, ndryshe nuk të falin.-Në bregdet nuk ka pasur historikisht pronarë të mëdhenj tokash dhe as toka shtetërore, por vetëm pronarë privatë të vegjël, si dhe prona kolektive të fshatrave.-Bregdetasit ndër shekuj i kanë kënduar me zemrën e tyre të zjarrtë atdheut të tyre të vogël, bregdetit; krahas atdheut të madh. Elegjitë si, vajza e valëve, lirikat si, bejke e bardhë dhe patriotiket si, kemi derdhur gjak me okë e tregojnë më së miri lidhjen e bregdetasve me trojet e tyre. Ndërkohë në kohën e sotme të tranzicionit, bregdeti me bukuritë e tij të rralla, por dhe me portat e hapura nga Ligji 7501 është bërë objekt i lakmuar nga të pasuruarit me shpejtësi, qeveritarë e partiakë të ndryshëm, sikurse dhe nga mafiozët zanatllinj, objekt i grabitjeve masive të tokave më të mira të tij. Për të gjitha këto arsye, mbështetur në kushtetutën e vendit dhe në konventën europiane për të drejtat themelore të njeriut, bregdetasit kërkojnë si rrugëzgjidhje të vetme e të saktë kthimin e tokave trashëgimtarëve ligjorë.Mirëpo për këtë zgjidhje, shpreh shqetësim edhe miku im i respektuar Ismail Bega. Lidhur me idenë e tij se do të kemi një copëzim të madh të trojeve, siç ndodhi me fragmentizimin ekstrem që solli Ligji 7501 në tokat bujqësore, mendimi im ndryshon nga ai i zotit Bega dhe ja sepse:1.Po të shkojnë pronat te trashëgimtari ligjor, copëtimi i tokës do të jetë shumë më i vogël sesa ai që krijon Ligji 7501 po të zbatohet aty. Dhe kjo është e qartë për këdo.2. Sido që të zgjidhet çështja e pronësisë së tokës në bregdet, pronarët do të jenë të vegjël dhe jo si në kohën e socializmit, kur toka u përqendrua në një bllok të vetëm. Por këto prona të vogla private janë të shenjta, mbrohen me ligj dhe vetëm me ligj mund të preken, vetëm për interesa publike, gjë që askush nuk e kundërshton.3. Ne bregdet, zhvillimin e turizmit nuk e pengon copëzimi, por disa faktorë të tjerë më të vështirë për t u zgjidhur sesa ai.-I pari nga këta është indiferentizmi i shtetit që nuk gjen mundësitë për të plotësuar detyrat e tij të drejtpërdrejta, që lidhen me zhvillimin e turizmit, siç janë: infrastruktura rrugore, energjia elektrike, uji dhe planet urbanistike. Pa këtë, strategjia afatmesme e zhvillimit të turizmit në bregdet për të cilin ju keni shqetësim, mund të thuhet me bindje qysh tani që është e dështuar, kurse për atë afatgjatë nuk mund të flasim kaq shpejt …-Faktori tjetër është përsëri shteti, i cili, siç e përmendëm edhe më lart, nuk e ka zgjidhur çështjen e pronësisë mbi tokën, duke penguar kështu drejtpërsëdrejti zhvillimin e turizmit. Kjo çështje është pengesë kryesore, sepse në bregdet, turizmin do ta zhvillojnë vetë bregdetasit me kapitalet e tyre, por sigurisht pa përjashtuar edhe të tjerë, investitorët, veçse vetëm sipas ligjeve dhe rregullave të ekonomisë së tregut e jo të xhunglës! Zoti Bega, unë dyshoj se ju pa dashur me shqetësimin tuaj, shprehni agresivitetin e investitorëve, të cilët me fuqinë mbinjerëzore të parasë që disponojnë, duan të pushtojnë bregdetin, duke i dëbuar pronarët e ligjshëm dhe të bëhen ata vetë të gjithëpushtetshëm edhe në tokë, edhe në ujë, siç janë edhe në paratë e tyre. Por, për të arritur këtë qëllim ata tentojnë të përdorin si masë strukturat e shtetit. Sipas tyre, shteti atje duhet të bëjë nacionalizimin e tokës për zhvillimin e turizmit, sigurisht me një emërtim tjetër më të butë dhe ata investitorë ta gjejnë sofrën shtruar, pa telashe. Ajo që bëhet nga strukturat e shtetit në Kakome, Bunec dhe në vende të tjera të bregdetit me ngritjen e fshatrave turistike në pronat me zotër, është pikërisht ky lloj nacionalizimi i tokës ose më saktë grabitje e saj. Vetëkuptohet se këto qëndrime e veprime të cilat zhvillohen me shpejtësi për t u bërë fakt i kryer, pa përfunduar akoma ligji, janë antidemokratike e antiligjore, të cilat nuk do të pranohen nga bregdetasit e me siguri do të dështojnë. Zoti Bega, më falni që po ju drejtohem për këto çështje, sepse nuk jeni ju autori i këtyre veprimeve, por ju vetëm me shqetësimin tuaj më dhatë shkas për ta trajtuar këtë problem. Përfundimisht duhet thënë se, për zhvillimin e turizmit normal e elitar në bregdet duhet të kthehet prona tek trashëgimtarët ligjorë, kurse shteti të plotësojë detyrimet e veta, ndërsa investitorët e pronarët e tokës të bien në marrëveshje e të vendosin si është më e mira për të dyja palët. Rrugë tjetër për këtë çështje nuk ka. Ky agresivitet i strukturave të veçanta të shtetit dhe i faktorëve të tjerë ka bërë që në bregdet dhe kudo ku janë bregdetasit të krijohet një klimë e tensionuar me tendencë urgjente për t u bashkuar në përballimin e padrejtësisë dhe fatkeqësisë që u kanoset.Në këtë situatë, deri tani është arritur në unifikimin e qëndrimit midis Shoqatës së Bregdetit, pushtetit vendor të Bashkisë së Himarës dhe komunës së Lukovës deri me shumicën dërrmuese të këshillave drejtuese të 18 fshatrave të zonës e shumicën dërrmuese të të gjithë pronarëve. Jashtë këtij bashkimi deri tani kanë mbetur një pakicë individësh, nga ata që i ka zënë një hall.Ndërkohë, janë siguruar dokumentet zyrtare, ku vërtetohet se në bregdet veç kalave e ndonjë ndërtese publike, shteti nuk ka pasur e nuk ka pronësi mbi tokën. Në këto kushte kemi besim se edhe Qeveria edhe Kuvendi do të reflektojnë që problemi i bregdetit të mbyllet deri këtu, si dhe në rrugën që e kërkojnë të gjithë faktorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.