Pronësia intelektuale, të paguash të drejtën e tjetrit

08/02/2019 10:03 PM 0 komente

Në Shqipëri ka nisur prej një viti strukturimi i tregut për detyrimet që kanë bizneset për ‘copyright’. Pas miratimit të ligjit “Për të Drejtat e autorit” në vitin 2016 dhe krijimit të Agjencisë SUADA, sfidat e këtij viti janë sensibilizimi në masë më të gjerë për bizneset, si dhe lidhjet ndërinstitucionale për të zbatuar ligjin në të gjithë vendin…

 

Nga Deada Hyka

 

Kuptimi i ligjit të Pronësisë Intelektuale është bërë një aftësi thelbësore për fillimin dhe rritjen e një biznesi. Shumë produkte, teknologji dhe vepra krijuese që bën një kompani e caktuar, mbrohen nga një prej katër llojeve të Ligjit të Pronësisë Intelektuale: të drejtat e autorit, markat tregtare, patentat dhe sekreti tregtar.

Ndryshe nga ligji i “Pronës së paluajtshme”, i cili rregullon pronën fizike dhe tokën, duhet kuptuar drejt se pronësia intelektuale rregullon përdorimin e veprave krijuese dhe teknike, si dhe markave.

Nëse jeni të interesuar të ripërdorni përmbajtjen nga të tjerët ose të përpiqeni të mbroni përmbajtjen dhe idetë tuaja, është e rëndësishme që të kuptoni se prona intelektuale është tashmë një pronësi e rëndësishme, e rregulluar me ligj, por që në vendin tonë ka ende mungesa dhe problematika për administrimin e tyre. Lidhur me markat dhe idetë tregtare, kemi jo pak raste në Gjykatë dhe problematikat janë në pranishme çdo vit e më shumë, ndonëse ka pasur përmirësim në ndërgjegjësimin për të regjistruar dhe jo për të vjedhur marka apo ide, sipas Drejtorisë së Patentave dhe Markave Industriale.

Po me të drejtat e autorit ç’po bëhet? Prej një viti në Shqipëri funksionon një agjenci e re, e cila është bashkim i katër instancave të mëparshme nën përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës dhe risi në tregun shqiptar, që vjen me qëllimin e rregullimit të këtij tregu ku askush s’paguan për të drejtat e autorit.

SUADA ose Sporteli Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit (dhe të drejtave të tjera të lidhura me të) ka si rol të kontaktojë, të informojë dhe të mbledhë të ardhura nga subjektet përdorues të veprave që mbrohen nga LDA dhe përfaqëson të gjitha Agjencitë të cilat janë licencuar nga ministri i Kulturës, për të administruar të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të.
Nëse jeni përdorues i veprave artistike, muzikore apo kinematografike duhet të drejtoheni drejt Sporteli Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit (SUADA) për t’u pajisur me leje/autorizimin përkatës për përdorimin e veprave.

 

Flet Erlir Puto, drejtor ekzekutiv i SUADA

 

“Sektori po strukturohet; Ja cilat biznese kanë detyrimin për të paguar të drejtat e autorit”

 

Si funksionon SUADA që prej krijimit të saj?

SUADA, sporteli unik i administrimit të të drejtave të autorit, është vazhdim i punës dhe funksionit që kanë ndjekur deri para një viti 4 agjenci, që funksiononin të gjitha bashkë për administrimin e të drejtave të autorit. Me ndryshimin e ligjit për të drejtën e autorit në 2016, u parashikua që të krijohej agjencia SUADA, e cila nisi të funksionojë në vitin 2017.

Duke qenë se detyrimi për pagesën e së drejtës së autorit lindte për 4 instanca të ndryshme, kishte një situatë të paqartë për hapat në treg nga subjektet përdoruese: ku do të drejtoheshin, pse të paguanin disa herë etj. SUADA u krijua me qëllimin për të shkurtuar kohë dhe burokraci dhe gjithashtu, për të ulur kostot. Pagesa bëhet në bazë të një sistemi tarifor të unifikuar, të miratuar nga Ministria e Kulturës dhe SUADA funksionon si një “one stop shop”.

Pagesat, kur vijnë te SUADA, shpërndahen tek të 4 agjencitë sipas përqindjes që përcakton ligji. Më pas, agjencitë ia shpërndajnë titullarëve të veprës që zotërojnë të drejtat e autorit, kompozitorëve, regjisorëve, interpretuesve, producentëve etj. Agjencia, në vetvete, është më e specializuar në pjesën e shpërndarjes: mënyra se si do të funksionojë, mënyra e shpërndarjes.

Agjencia bën një vit të plotë që është në funksion dhe ky vit ka qenë sfidë. Si çdo institucion i ri që krijohet në Shqipëri, viti i parë mbart problematika. Kjo, sepse edhe funksionimi në vetvete ka nevojë për një proces qartësimi për mënyrën e funksionimit dhe më pas stabilizim. Mund të pohoj që pikërisht në fund të vitit 2018, pas nëntorit, arritëm një pikë stabiliteti, me mënyrën se si funksionon dhe me marrëdhëniet me subjektet përdoruese. Për vitin e ri kemi shpresa që do të funksionojë më mirë.

Çfarë vështirësish keni hasur gjatë zbatimit?

Vështirësia kryesore është refuzimi i subjekteve për të paguar. Natyrisht që çdo subjekt detyrues heziton që të paguajë, pasi agjencia funksionon me kompetenca të plota prej vetëm një viti. Duhet të kemi parasysh megjithatë, që është detyrim ligjor. Ka subjekte që ende mundohen që të shmangen për sa kohë që kanë mundësi. Në momentin që një subjekt, që përdor një të drejtë autori në funksion të aktivitetit të tij privat komercial, refuzon që ta paguajë, ne i drejtohemi Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), i cili vendos më pas gjoba.

Sa janë pagesat?

Në sistemin tarifor, varet nga lloji i aktivitetit që ushtron subjekti. Mund të them që është më e ulëta e rajonit dhe gjithashtu ndër më të ulëtat në Europë. Shembull: një bar-kafe e thjeshtë në një lagje të Tiranës ka një detyrim prej rreth 10 mijë lekësh në vit. Një diskoje, kjo shumë i shkon deri në qindra mijë lekë, sepse varet nga niveli i përdorimit. Pra, është e lidhur me kapacitetin e biznesit.

Gjatë vitit të parë të zbatimit, sa subjekte janë gjobitur nga ISHMT?

Rreth 500 subjekte i kemi dërguar pranë Inspektoratit për t’u mbikëqyrur, të cilët kanë refuzuar të paguajnë. Gjithashtu, po veprojmë edhe nëpërmjet Gjykatës, ku kërkojmë detyrimin e pagesës. Aktualisht kemi 12 çështje të hapura, të cilat janë kosto shtesë për agjencinë, për shkak të kontraktimit të një avokati për çështjen, të një kontabilisti për përllogaritjen e detyrimit etj.

Cilat biznese janë pjesë e detyrimit për të paguar?

Operatorët audio-vizualë, media kombëtare, lokale dhe TV kabllore
Bar-kafe, restorantet, hotelet
Dyqanet, pikat e shitjes me pakicë
Taksi, shërbimi i transportit urban
Shërbimet: studio avokatie, kontabiliteti, dentistët, farmacistët
Koncertet e hapura
Panairet
Si dhe çdo subjekt tjetër që përdor vepra audio-vizuale

Si e parashikoni vitin 2019?

Përveç pjesës sonë ekzekutive në këtë fushë, po përpiqemi që të ndërtojmë marrëdhënie me një sërë institucionesh, që kanë lidhje me fushën tonë. Në radhë të parë, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Duhet theksuar se një pagesë ndaj SUADA-s shoqërohet me një faturë me TVSH, mospagesa do të thotë që shteti humbet vlerën e TVSH-së.

Këto para që ne mbledhim, u shpërndahen autorëve dhe çdo individ përfitues i këtyre të drejtave tatohet në burim-fitim 15%. Po të bëjmë një përllogaritje, mbi 30% e pagesës që bëhet në SUADA i shkon arkës së shtetit, ndaj refuzimi për të paguar është në dëm të shtetit. Për këtë arsye, bashkëpunimi me Tatimeve është i nevojshëm. Këtë vit po bëjmë lobim për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse nëpërmjet ISHMT.

Nga ana tjetër, po krijojmë linja bashkëpunimi me AMA-n, për sa u përket mediave audio-vizive. Sepse, edhe vetë AMA në funksionin e vet ka detyrimin që të vendosë sanksione administrative për të gjithë subjektet që nuk paguajnë të drejtat e autorit. Kemi nisur edhe bashkëpunimet e para me institucione si Opera dhe bashkitë, të cilat organizojnë shumë evente. Shpresojmë që 2019 të jetë viti që do të vendosen bazat shumë të shëndosha në strukturimin e tregut dhe sensibilizimin në një masë më të madhe.

Kemi bërë hapa të rëndësishëm pasi ‘kundërshtarët’ tanë më të mëdhenj janë ata që këtë vit kanë ardhur të paguajnë të parët, mediat p.sh. Ata e shohin me interes këtë proces, sepse janë të mbrojtur, duke qenë se janë krijimtaritë e tyre autoriale.

Gjithashtu shoqatat e hoteleve, bareve, restoranteve etj. Pengesa institucionale nuk ka më, ndaj ky vit do të jetë më i mirë në funksionimin e agjencisë. Është një hap që vjen bashkë me përmirësimin e strukturave të tjera, për të qenë pjesë e BE-së.

 

Çfarë përfshin e drejta e autorit?

E drejta e autorit mbron përmbajtjen që krijoni, qoftë e shkruar ose e regjistruar. E drejta e autorit mbron krijime të tilla si libra, filma, këngë, vizatime, fotografi, programe softueri dhe postë elektronike. E drejta e autorit nuk mbron idetë dhe markat industriale.

 

Ligji nr.35/2016

Ligji i ri mbron dhe garanton një kategori vulnerabël që është ajo e krijuesve, që asnjëherë nuk kanë përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale. Ky ligj u njeh, mbron dhe garanton autorëve, mjedis të sigurt dhe mundësi për të përfituar nga puna e veprave të tyre.

Autori e gjen veten të mbrojtur në këtë ligj, sidomos për garancitë ligjore që i jep, ç’ka bën që tregu intelektual të funksionojë në interes të krijuesve dhe të jetë dokumenti bazë për të shtrirë dhe për të zhvilluar veprimtarinë e tyre krijuese.

Ndërkohë ka filluar miratimi i akteve nënligjore të këtij ligji, të cilat do të japin efektet e para pozitive drejt standardizimit të tregut shqiptar me atë europian. Edhe ky proces u është nënshtruar konsultimeve të gjera me grupet e interesuara. Procesi i miratimit të këtyre akteve përfundon në fillim të muajit nëntor. Ligji i ri për herë të parë pozicionon qartë palët në fushën e administrimit të të drejtave, ku autori do të ketë mundësi përfitimi nëpërmjet skemave të reja që janë parashikuar.

Një tjetër garanci që buron nga ky ligj është rregullimi i marrëdhënieve të përfaqësimit agjenci – autor, duke siguruar transparencë e llogaridhënie nga agjencitë për krijuesit dhe institucionet publike. Ky ligj tashmë e mbron autorin përballë veprimeve arbitrare të shkelësve dhe i jep mundësinë të shpërblehet për punën e tij krijuese. Për herë të parë:

-krijohet sporteli unik, i cili jep lehtësi për subjektet përdoruese dhe i shërben formalizimit të tregut intelektual.
-janë bërë rregullimet e nevojshme, të thjeshta dhe të qarta për organin procedues, gjykatën dhe adresimin e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore;
-vendosen kufijtë sa duhet të shpenzojnë agjencitë për të qenë eficentë dhe transparentë. Kështu shpërblimet e merituara të autorëve nuk shkojnë për asgjë tjetër, përveçse në emër të tyre.
-rriten dhe forcohen sanksionet për shkelësit dhe abuzuesit me të drejta pasurore të autorëve;
vendosen tarifat për shpërblim të drejtë, të cilat do të jenë të publikuara dhe të qarta për këdo.

 

Të ardhurat nga të drejtat e autorit

Duke caktuar të drejtën ekskluzive për të kopjuar dhe për të shpërndarë veprat origjinale të krijuesit, ligjet e autorit sigurojnë që mbajtësit e së drejtës së autorit mund të fitojnë të ardhura nga puna e tyre. Autorët mund të shesin, të marrin ose të licencojnë veprat e tyre, ose t’u japin leje të tjerëve t’i përdorin ato dhe të mbledhin honoraret. Këto të ardhura i lejojnë krijuesit të vazhdojnë aktivitetet dhe të prodhojnë vepra të reja.

Përveç përcaktimit të veprave që mund të mbrohen dhe caktimit të të drejtave ekskluzive, ligjet e autorit përfshijnë përdorimin e drejtë si një kufizim mbi të drejtën e autorit. Anëtarët që mund të riprodhojnë seksione të vogla të një vepre të mbrojtur nga të drejtat e autorit për qëllime kritike, mësimdhënieje, komentimi ose kërkimi. Përdorimi i drejtë i materialit me të drejtë autori është përgjithësisht jokomercial, i kufizuar në një pjesë të vogël të punës dhe i kufizuar në aktivitete që nuk ndikojnë ndjeshëm në vlerën komerciale të punës.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of